Kulturë

“Bëhu i shumëtrajtshëm si gjithësia”

Ditari portugez (1): Një shtegtim nëpër Lisbonën e shkrimtarit Fernando Pessoa. Dhe një shënim për George Byronin, i cili afër Lisbonës shkroi kryeveprën e tij “Çajlld Harolldin”, ku përmend edhe shtegtimet e tij në viset shqiptare.

Secili qytet i ka mitet e veta. Lisbona e ka Fernando Pessoan (1888-1935). Të dhënat biografike tregojnë se ky njeri ka ekzistuar, por a ka ekzistuar me të vërtetë? “Poet pa biografi” e ka quajtur Pessoan shkrimtari meksikan Octavio Paz. Autori italian Antonio Tabucchi ka thënë se Fernando Pessoa është “shpikje e njëfarë Fernando Pessoas”. Nga këto fjali nuk buron përçmimi, por respekti.

Pessoa punoi si korrespondent tregtar.

Pessoa ishte shkrimtar.

Pessoa kishte shumë heteronime.

Disa prej tyre: Alberto Caeiro. Ai injoron çdo gjë moderne dhe është i dashuruar pas mistikës së mosdijes.

Ricardo Reis, adhurues i epikureizmit dhe stoicizmit, emigron nga Porto në Brazil.

Álvaro de Campos, inxhinier i papunë në Lisbonë, njeri urban, ëndërron përparimin teknik dhe shoqëror, hedh poshtë kulturën e kanonizuar dhe i këndon “natës amnore”.

Image

Ndoshta Fernando Pessoa ka ekzistuar. Boll është Franz Kafka enigmatik, por me Pessoan nuk krahasohet dot. Duket se vetë mbiemri Pessoa është paralajmërim i frikshëm. Në portugalishte “pessoa” domethënë “person”, “maskë” dhe “askush”.

“Bëhu i shumëtrajtshëm si gjithësia”, shkruan Pessoa. “Zoti nuk është një, si mund të jem unë i tillë”. Me këso fjalish Pessoalëviz në labirintin e heteronimeve. Ai është tjetërkushi tjetëror i tjetërsuar. Një maksimë tjetër e tij: “Le ta krijojmë paganizmin më të lartë, politeizmin më të sipërm! Në rrenën e përjetshme të të gjitha perëndive vetëm të gjithë zotat janë e vërteta”.

Image

Pessoa kundërshtonte jo vetëm autoritetet hyjnore. Ai shkroi vargje kundër diktatorit António de Oliveira Salazar, i cili sundoi Portugalinë për 36 vjet. “Patriotizëm analfabetik” – kështu e quante Pessoa politikën e Salazarit.

Fëmijërinë dhe rininë Pessoa i kaloi në Durban të Afrikës së Jugut. Ishte 17-vjeçar kur u kthye në Lisbonë. Në kontinentin “matanë Mesdheut” ai vërejti se pothuaj askush nuk e dinte se një bashkëkombës i hershëm i Pessoas, lundërtari Vasco da Gama, zbuloi rrugën ujore përreth Kepit të Shpresës së Mirë drejt Indisë.

Më 1935 Pessoa shkroi në anglisht: “I know not what tomorrow will bring”, nuk e di çka sjell e nesërmja. Ishin fjalët e fundit të tij, pastaj vdiq. U varros në varrin e përbashkët familjar të gjyshes së tij. 50 vjet më vonë fama e Pessoas u bë e madhe. Eshtrat e tij u zhgroposën dhe u rivarrosën në manastirin Mosteiro dos Jerónimos në lagjen Belém të Lisbonës. Këtu ai pushon me portugezë të tjerë me nam si Luís de Camões apo Vasco da Gama.

Luís de Camões (1524 ose 1525 deri 1579 ose 1580) ka shkruar eposin nacional të Portugalisë, Lusiadat e famshme.Aty Luís de Camões përshkruan historinë e një populli që brenda një shekulli e gjysmë zotëroi shumë dete e oqeane dhe shpalosi flamurin nga Brazili në Japoni, duke kontrolluar edhe shumë rrugë detare dhe oqeanike. Misionari António Vieira shkroi në shekullin e 17-të: “Zoti ua fali portugezëve një vend të vogël si djep, por tërë botën si varr”. Luís de Camões supozohet se u lind më 1524, në vitin kur vdiq Vasco de Gama. Interesimi për botën e largët buronte nga historia familjare: gjyshi i Luís de Camões ishte kapiten anijeje.

Image

“Rregullisht çrregullt mbledh në arkën time gjithçka që mendoj, ndiej, shkruaj, dyshoj dhe anuloj – për të ardhmen”, shkruan Pessoa.

Në sheshin para Operës, në Largo de São Carlos, gjendet njëra nga shumë statujat e Pessoas në Lisbonë: një burrë gatitu me kokë të thelluar në një libër.

Te kafehania “A Brasileira”, e hapur më 1905, pret Pessoa tjetër: ulur në karrige, krejt në bronz, me kapelë e kostum. Aty afër gjendet edhe një karrige: turistët mund të dalin në fotografi me idhullin e tyre letrar. “A Brasileira” ka qenë lokali i preferuar i Pessoas.

Te Rua Coelho da Rocha nr. 16 pret Pessoa i radhës. Këtu ka banuar shkrimtari deri kur vdiq më 30 nëntor 1935. Sot shtëpia e tij e dikurshme është muze. Aty janë: makina e shkrimit. Dëftesa e notave kur ndiqte shkollën në Durban. Biblioteka e tij. Portrete të tij. Në një dhomë, mbi një tavolinë, janë të shpërndara botimet e veprave të tij në gjuhë të ndryshme. Nga gjermanishtja e turqishtja deri te urdishtja. Urdishtja? Është gjuha kombëtare e Pakistanit.

Image

Kryevepra e Pessoas mban titullin: “Libri i trazimit”. Botuesi më i mirë i tij në gjermanisht ka qenë Egon Ammann, një zviceran i dashuruar pas librit. (Ammann ka qenë edhe botues i veprave të Ismail Kadaresë në gjermanisht). “Libri i trazimit” është një vepër totale artistike që përfshin filozofi, letërsi dhe magji, pastaj fragmente, ditarë, një shumësi mendimesh të një poligloti. Një pjesë e konsiderueshme e veprës së Pessoas është botuar edhe në shqip.

****

Një intermexo: rreth 30 kilometra larg Lisbonës gjendet Sintra. Prej shekujsh qyteza ka shërbyer si teferiç për pasanikët e Lisbonës që nuk e durojnë dot vapën. Kopshte e vila renditen si perla prej qelibari e sedefi në një fill. Këtu Lord Byroni (Lordi Bajron) shkroi kryeveprën e tij “Childe Harold” (Çajlld Harolldin). Nga Sintra e Portugalisë Byroni i këndoi Shqipërisë:

Kalanë e Tepelenës unë e pashë:

E shkretë ish, bedenat pa njeri,

As roje, as shtiza; emri Ali Pashë,

Më nuk kumbon. Por heshtje. Qetësi.

Nuk pashë un’ as zjarre sipër kullash,

As kuaj, as llambadha mbi xhami,

Por pashë tek libraria anës udhës

Si blinte ”Çajlld Haroldin” një fëmi.

Çajlld Haroldi, heroi i kryeveprës së Byronit, udhëton nga Portugalia nëpër Spanjë dhe Maltë në Perandorinë Osmane. Të njëjtin udhëtim e kishte bërë vetë Byroni më 1810. Më vonë ai vizitoi Ali Pashë Tepelenën në sarajet e tij në Tepelenë dhe iu bashkua lëvizjes greke për pavarësi. Vdiq në Greqi.