Kulturë

Letërsia e Zef Pllumit sprovon ideologjinë doktrinare

Në kuadër të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, në sallën që mban emrin e njërin prej albanologëve më të shquar të gjuhës shqipe, Idriz Ajeti, është mbajtur sot ligjërata e parë e edicionit të 40-të me radhë. Kjo ligjëratë u mbajt nën titullin “Ora e Rexhep Ismajlit”, në nder të albanologut, linguistit, profesorit e akademikut Rexhep Ismajli.

Serinë e ligjëratave të këtij viti e hapi akademik Kujtim Shala, me temën “Ideologjia e letërsisë: rasti i Zef Pllumit”. Ai foli për konceptin e ideologjisë letrare, kritikën letrare, pikëpamjet e majta dhe dallimin midis ideologjisë letrare dhe ideologjive të tjera.

“Në traditën e ideologjizuar, ideologjia dhe raporti i saj me letërsinë përbëjnë një objekt të përshtatshëm për pikëpamjet e majta dhe kritikën letrare marksiste. Në pikëpamjet e tilla, ideologjia kryesisht konceptohet si raport ndërmjet dy domeneve, njëri që shpreh ideologji nëpërmjet letërsisë dhe tjetri që ka statusin e burimit të ideologjisë, si për shembull shoqëria”, ka thënë Shala.

Tutje Shala ka folur edhe për diskursin neomarksist, si dhe ideologjinë që e mbizotëroi këtë diskurs, e cila si parim ka ndarjen e shoqërisë në klasa.

“Por, në këtë mënyrë vërejmë se huqet ontologjia e letërsisë, natyra dhe raportet e saj me jetën e me idetë. Ndërsa diskursi neomarksist ideologjinë e koncepton si një ndërgjegje imagjinare. Ideologjia e përcaktuar dhe e shpjeguar në këtë mënyrë ka për bazë ndarjen e shoqërisë në klasa, ndarje në të cilën përherë një klasë dominon e një tjetër është e shtypur”, e ka vazhduar ai ligjëratën e tij.

Meqenëse studimi i Shalës ka në fokus veprën e shkrimtarit e njëherësh edhe priftit françeskan, At Zef Pllumit, ligjërimin e vazhdoi duke sjellë para publikut edhe disa dëshmi të ideologjisë letrare, të cilat lexuesi mund t’i gjejë në veprën e tij.

“Në shtrirjen e ideologjisë letrare të Pllumit, qoftë edhe formula klasike e mësimit françeskan redukton idetë, madje edhe ato të paqes dhe mirësisë, meqë idetë e tij lidhin mendjen me zemrën për të kapur thelbin e humanitetit, pastaj thuren si ide politike, si zgjidhje të projektuara, të propozuara, situatash, të cilat vështirë se mund të zgjidhen me mirësi. Duhet së paku drejtësi dhe ky nuk është një makiavelist sepse edhe në bazën e drejtësisë Pllumi e gjen dashurinë”, ka thënë ai.

njëherësh edhe ligjërues i lëndës së estetikës në Degën e letërsisë shqipe të Fakultetit të Filologjisë, ka thënë se vepra e Pllumit në radhë të parë e dëshmon se letërsia nuk është vetëm diskurs i bukur i ideologjisë, por edhe një strukturë ku lidhen e thuhen ide.

“Letërsia e Pllumit e sprovon vetë ideologjinë doktrinare të tij, të them me qartësi në diskurset e tij argumentuese. Vepra letrare e Pllumit e provon se letërsia nuk është diskursi i bukur i ideologjisë, por një diskurs ontologjik ‘sui generis’, jo një strukturë që mban ide, por që thur e madje lidh e thotë ide. Prandaj ideologjia e letërsisë para se të mësohet duhet të përjetohet, ashtu siç përjetohet një figurë, një ndjesi apo një kuptimsi letrare”, shtoi ai.

Duke mos dashur që termi “ideologji letrare” të keqkuptohet nga lexuesit dhe interpretuesit e këtij studimi, Shala shpjegoi se në të vërtetë një propozim i tillë i leximit të ideologjisë letrare vetëm se e ndihmon edhe më shumë zbërthimin e një teksti letrar.

“Ideologjia e letërsisë është çështje e interpretimit si çdo kategori tjetër letrare, kështu që përbëjnë një objekt hermeneutik, por edhe çështje kuptimi, prandaj një objekt të kritikës letrare. Leximi i ideologjisë siç po e propozojmë nuk e ideologjizon letërsinë, por e çliron atë”, ka thënë ai.

Ndërkaq lidhur me studimet e Shalës, profesori tjetër i Fakultetit të Filologjisë dhe anëtari korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Nysret Krasniqi, shpjegoi para të pranishmëve se ky shkrim është një studim shtesë nga ato që Shala kishte bërë më herët për krijimtarinë e Pllumit.

“Një studiues që shkruan për problemet letrare dhe përtej estetike filozofike me kujdesin, ta quajmë matematikë të fjalisë, do të thotë: i saktë, preciz, i formuar me dije letrare dhe moderne. Kësaj radhe ai vjen me studimin e ri, sepse Shala ka shkruar edhe libër për Zef Pllumin, por kësaj radhe vjen me një tjetër studim të ri, ku e vështron ideologjinë e letërsisë, pra të rastit se si përthyhet kjo te vepra e Zef Pllumit” ka thënë Krasniqi.

Tutje ai tha se Shala në rend të parë është autor, por edhe njohës studimesh letrare, estetike, si dhe etablues i shkollës së Prishtinës.

“Kam dëshirë të bëj dallimin midis shkrimtarit dhe autorit dhe konsideroj se Kujtim Shala është autor. Autor i poezisë, autor i studimeve letrare dhe njëri prej studiuesve më produktivë në hapësirën shqiptare. Hiq më keq nuk qëndron edhe sa i përket studimit të formave letrare, gjithsesi në transformimin e tyre, në estetikë, njohës i shkëlqyer i korpusit shqiptar dhe formulues apo etablues i nocionit i asaj që tashmë ka krijuar diskursin e shkencave tona albanologjike të shkollës së Prishtinës, si rrjedhim i qarkut letrar te viteve 70-a në kuptimin e trashëgimisë”, përfundoi Krasniqi.

Ndërkaq lidhur me studimin “Ideologjia e letërsisë: rasti i Zef Pllumit” të Shalës foli edhe akademiku Rexhep Ismajli. Ai kërkoi nga Shala që të shpjegonte dallimin dhe ngjashmërinë e poetikëve letrare të Fishtës dhe Pllumit e kjo për faktin që të dy ishin françeskan.

“Pëllumbi është edhe satirik, është shumë kritik dhe kjo vërehet edhe në studimin tim. Ai është nxënës i Fishtës. Në kuptimin letrare gjinor, që për mua është thelbësor, në kuptimin e poetikës është shumë më ndryshe sepse është epokë tjerë”, nisi të shpjegonte Shala, duke shtuar se ideologjikisht Pllumbi nuk është më ndryshe se Fishta.

Seminari XL Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare do ta vazhdojë aktivitetin e tij deri më 26 të këtij muaji. Temat bosht të Seminarit për kçtë vit janë shqipja në kontakt, letërsia shqipe në kontekstin komparatist dhe dezinformimi e propaganda në mediat sociale.