(DW) – Shkrimtari Salman Rushdie u largua nga kujdesi intensiv dhe ishte në gjendje të fliste, të shtunën, një ditë pasi u godit me thikë në mënyrë të përsëritur në një dalje publike në shtetin e Nju-Jorkut. Në të njëjtën kohë, policia kërkoi të përcaktojë motivin pas sulmit, i cili ka shkaktuar reagime ndërkombëtare.
Autori tjetër Aatish Taseer postoi një përditësim në “Twitter” mbi gjendjen shëndetësore të Rushdies, duke thënë se ai ishte “i shkëputur nga ventilatori dhe fliste (bënte shaka)”. Andrew Wylie, i cili është agjenti i Rushdies, konfirmoi informacionin, por nuk dha detaje të mëtejshme.
Në një deklaratë, djali i tij, Zafar Rushdie, ka thënë: “Megjithëse dëmtimet e tij që ndryshojnë jetën janë të rënda, sensi i tij i zakonshëm i humorit i guximshëm dhe sfidues mbetet i paprekur”.
Autori i lindur në Indi është më i njohur për romanin e tij të vitit 1981, fitues i çmimit “Booker”, “Fëmijët e mesnatës”, në të cilin ai kritikoi ashpër kryeministren e atëhershme të Indisë, Indira Gandi.
Por ishte "Vargjet Satanike", botuar në 1988, që i dha atij nam më të madh, pasi libri u konsiderua si blasfemi nga shumë myslimanë. Më pas u ndalua dhe u dogj në Indi, Pakistan dhe në vende të tjera.
Kjo bëri që Ajatollahu i Iranit, Ruhollah Khomeini, të lëshonte një fetva që kërkonte vdekjen e Rushdies në vitin 1989. Ndërsa Khomeini vdiq po atë vit, fetvaja mbetet në fuqi. Që atëherë, Rushdie ka jetuar në Britani dhe në Shtetet e Bashkuara.
Autori u godit disa herë me thikë dhe pësoi dëmtime, ka treguar agjenti i tij një ditë më parë. Mësohet se ai mund të humbasë syrin e lënduar.
Goditja me thikë ndodhi në institutin “Chautauqua”, rreth 88 kilometra në jugperëndim të Buffalos në shtetin e New Yorkut, ku Rushdie po mbante një leksion se si Shtetet e Bashkuara ofrojnë azil për artistët në mërgim.
Dëshmitarët thanë se një burrë vrapoi në skenë ndërsa Rushdie ishte gati të mbante një ligjëratë, përpara se ta sulmonte. I dyshuari u kap në vendngjarje nga policët që vepronin si siguri për ngjarjen.
I dyshuari u paraqit në gjykatë dhe ai u deklarua i pafajshëm për akuzat për tentativë vrasjeje dhe sulm gjatë një gjykimi në New Yorkun perëndimor.
Një gjykatës urdhëroi që 24-vjeçari të mbahej pa kusht pas asaj që një prokuror e quajti një krim “të planifikuar paraprakisht”.
Prokurori i rrethit, Jason Schmidt, ka thënë se personi ndërmori hapa për ta vënë veten qëllimisht në një pozicion për të dëmtuar Rushdien duke marrë një leje paraprake për ngjarjen dhe duke mbërritur një ditë më herët me një ID të rreme.
“Ky ishte një sulm i synuar, i paprovokuar, i planifikuar ndaj zotit Rushdie”, ka thënë Schmidt.
Avokati i tij, mbrojtësi publik Nathaniel Barone, ka thënë se autoriteteve iu desh shumë kohë për ta çuar klientin e tij para një gjyqtari, duke e lënë atë “të lidhur në një stol në kazermat e policisë së shtetit”.
“Ai ka të drejtën kushtetuese të pafajësisë së prezumuar”, shtoi ai.