Për katër ditë radhazi, nga e hëna në të enjten, me terminë nga ora 20:00, plateja e “Doku Kinos” ka qenë e rezervuar për premierat e filmave të shkurtër nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Të mbështetur në temën “How to Survive?” të festivalit ndërkombëtar të filmave dokumentarë dhe dokumentarë “Doku Fest”, këta filma, pos tematikave të tjera, kanë tërhequr edhe paralelen për mbijetesë ndaj fashizmit, dhunës, paragjykimeve, ndotjes, shkatërrimit të natyrës e vrasjeve
Është mbyllur programi i filmave të shkurtër në kuadër të kategorisë “National”. Projektori është ndezur për filmat: “Luma”, “The Torrent of Nothing”, “Past Imperfect” dhe “Death of a Boy”. Dhjetëra shikues kanë qenë për të parë filmat e fundit të shfaqur, ndërkohë që këta filma janë përsëritur edhe të premten në kinemanë “CineMarine” në Prizren.
Për katër ditë radhazi, nga e hëna në të enjten, me terminë nga ora 20:00, plateja e “Doku Kinos” ka qenë e rezervuar për premierat e filmave të shkurtër nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Të mbështetur në temën “How to Survive?” të festivalit ndërkombëtar të filmave dokumentarë dhe dokumentarë “Doku Fest”, këta filma, pos tematikave të tjera, kanë tërhequr edhe paralelen për mbijetesë ndaj fashizmit, dhunës, paragjykimeve, ndotjes, shkatërrimit e vrasjeve.
Shumica e regjisorëve të filmave kanë qenë në premiera për të prezantuar filmat e për të bashkëbiseduar me publikun rreth tyre. Kësisoj edhe regjisorët e katër filmave të fundit të shfaqur kanë shpalosur punën dhe projektimin e ideve të tyre.
Gjithsej janë 15 filma që garojnë në këtë kategori dhe fituesi do të shpallet të shtunën mbrëma.
Filmi “Luma” sjell rrëfimin e banorëve rreth luginës së lumit në Valbonë të Shqipërisë. Ata kanë jetuar brez pas brezi aty dhe kanë parë shkatërrimin që i është bërë lumit me ndërtimin e hidrocentralit e me ndërhyrjet e tjera në luginën e tij.
“Ka qenë traditë që mos me prek e mos me marrë tokën pranë lumit. Sikur damarët e trupit janë damarët e ujit në tokë”, ka thënë njëri nga banorët më të moshuarit në zonë duke përmendur rëndësinë e ujit dhe sidomos të lumit. Rëndësi u është kushtuar pamjeve të rrjedhës e zërit të ujit të lumit që rrjedh. Lulet e bjeshkëve e uji i kristaltë e bën të veçantë këtë zonë të Malësisë së Shqipërisë.
Në Valbonë, uji nuk shteron kurrë, ka shtatë gryka lumi që bashkohen në të. Por shtrati i lumit që mban emrin e zonës, është zvogëluar. Rrëfimi në film vijon edhe për rregullat e Kanunit për malet e lumenjtë. Ato kanë qenë të caktuara për ujitje, për të peshkuar, se ku duhet e ku jo. Personazhet në filmin “Luma” bëjnë jetën tradicionale ku gratë e vajzat vishen me veshjet kombëtare, kujdesen për punët e shtëpisë e për bagëtinë, ndërsa burrat dalin në fusha e për peshkim. Ata ruajnë zakonet e kulturën.
Loja në çifteli shfaqet në film si dokumentim i kulturave tradicionale e kombëtare. Shpërfaqen edhe besëtytnitë për Zanat si fuqinë ku e gjenin njerëzit, edhe mitet për luftërat. Vijon edhe gojëdhëna se motrës i ka vdekur vëllai dhe ka mallkuar që kurrë mos u dëgjoftë zilja e lopës dhe që banorët pretendojnë se nga atëherë e deri më tash nuk dëgjohet. Mes pamjeve hapet peizazhi i bukurive të Shqipërisë. Uji është përdorur edhe për mullinj e tani shfrytëzohen edhe për hidrocentrale. Është shkatërruar mali e një pjesë uji është ndotur. “Ka qenë uji më i pasur në Evropë, derisa erdhën këta maskarenjtë”, rrëfen njëri nga banorët. Ata shprehen të mos ketë ndërhyrje më në luginën e Lumit, pasi do të bëhet e pabanueshme dhe e papërshtatshme për ta. Filmi është thirrje për ndalimin e ndotjes së mëtutjeshme të lumit në Valbonë.
Regjisorja Eleanor Mortimer e filmit ka thënë se pasi ka dëgjuar për Valbonën, kanë dashur ta sjellin rrëfimin nga atje. “Historia e Lumit është rrëfimi që sjell edhe jetën nga atje. Kemi shpenzuar shumë kohë duke incizuar audion e Lumit, tingëllonte ndryshe në pjesë të ndryshme. Ka qenë një element i rëndësishëm ajo”, ka thënë regjisorja e filmit, Mortimer.
Filmi “The Torrent of Nothing” i Eranda Bokshit është rrëfim poetik që përcillet me vizualizimin e natyrës pa njerëz. Skena e filmit hapet me pamjet e lumit e me rrëfimin poetik për të. Shfaqet rrjedha e lumit, gjallesat që jetojnë aty e mbeturinat e ngujuara në bregun e lumit.
Narratorja ka kryer studimet në Fakultetin e Filozofisë dhe filmi vjen si gërshetim poetik e lumi i shkatërruar si zbrazëti që shpjegon gjithçka. Shkatërrimi i lumit përshkruhet si vdekje e gjallë, si errësirë e pastër, e valët pa valë. Bukuria e lumit është në shkatërrim sipas saj. Narratorja shprehet e humbur në rrjedhën e lumit e në ujërat kaotike, por që burimet do të kthehen prapë. Ajo vjen si bashkëbisedim me lumin dhe është filmi i parë i autores. “Gjithmonë më ka pëlqyer kinemaja shumë. Ka qenë një prej pasioneve të mia. Kam menduar a mundem me kthy filozofinë në film dhe se a mundem ta bëj atë vizuale kështu kam dashur t'i bashkoj”, ka thënë Bokshi.
Filmi “Past Imperfect” zhvillohet në qytetin Bruges në Belgjikë dhe rrëfen eksperiencat e një vajze të re në qytetin e ri, hotelin e çuditshëm dhe rrugët e zbrazëta. Dy shoqe bisedojnë në telefon për jetën e tyre personale. Në diskutim me shoqërinë nga larg e përmes kujtimeve shpreh dashurinë për personin e zemrës me të cilin ka pak ditë që kanë shkëputur kontaktet. E kujton në udhëtimet e saj me barkë, e rrugicave të qytetit, ndërsa e kujton në hartën e qytetit të Bruges, ku e kërkon në çdo cep të tij.
Regjisorja Aulona Fetahaj në fjalën e saj para publikut është shprehur e lumtur me dhënien e premierës së filmit në festivalin “DokuFest”. “Mendoj se kam përdorur gjithçka është dashur për filmin, gjithë forcat në kohën kur ishte pandemia dhe ishim të kufizuar në atë që po bënim. Ndoshta ka qenë interesante të luaj me përkthim në film. Është sensacion i lezetshëm mendoj unë”, ka thënë Fetahaj.
Filmi i fundit që është shfaqur në platenë e “Doku Kino” ka qenë “Death of a Boy” i regjisorit Basha Troni. Me të është mbyllur dhënia e filmave në kategorinë “National” për edicionin e 21-të të “DokuFest”. Protagonistë të filmit janë një grup shokësh shqiptarë e suedezë ata ushtrojnë boks. Vetëm njëri nga ta është më i mbyllur nga të tjerët dhe më i tërhequr. Alberti, një 12-vjeçar. Vendos të shkojë në palestër boksi ku aty mbizotëron dhuna. Moshatarët e tij që stërvitin e bulizojnë.
Ai vendos të ngjitet në ring dhe të luftojë me njërin nga ta. Instruksionet e vëllait i dalin në ndihmë. Ai lumturohet me çdo hap pozitiv në stërvitjet e boksit, por filmi mbyllet me vrasjen e njërit nga djemtë aty. Regjisori Basha Troni ka thënë se është paraqitur edhe një lloj shprehje e gjaknxehtësisë që në Ballkan kanë njerëzit në përgjithësi. “Ishte kënaqësi të punojmë bashkë, ky projekt ka qenë shumë interesant për mua pasi karakteret dhe emocionet e tyre janë të forta”, ka thënë ai.
Publiku është ndarë i kënaqur me përmbajtjen e filmave dhe strukturën ndërtuese të tyre. Shkrimtari dhe gazetari, Artrit Bytyçi, e ka vlerësuar filmin “Luma” si shumë të mirë vizualisht dhe që në mënyrë indirekte e ngrit vetëdijen për mbrojtjen e lumit. “Luma ishte shumë i bukur vizualisht, shumë ambient i qëlluar. Më pëlqeu që janë fokusuar te njerëzit që jetojnë aty. Mu duk se participantët në film ishin pak si të sforcuar para kamerës, por kuptohet se jo gjithkush është natyral para kamerës”, ka thënë ai.
Bajram Krasniqi nga Obiliqi ka thënë se mesazhi që i është përçuar ka qenë ai për mbrojtjen e ambientit. “Djemtë e vajzat e reja kanë plot entuziazëm. Filmi i fundit më pëlqeu më shumë. Jemi në pushim dhe nuk kemi pasur shumë kohë ta përcjellim Festivalin. Mesazhin për mbrojtjen e natyrës e kuptova që ta ruajmë atë”, ka thënë ai. Për të riun Habib Hajziri filmi “Death of a Boy” ka qenë përcjellje e mesazhit për të mos u dorëzuar e për më shumë vetëbesim. “Ka pasur mesazhe, po flas për filmin e fundit që më pëlqeu, që duhet pasur më shumë vetëbesim, të mos e kemi atë ndjenjën se unë nuk di e nuk mundem”, ka thënë Hajziri derisa ka treguar se ky ka qenë filmi që i ka pëlqyer më shumë. Filmi fitues në kategorinë e filmave vendorë bëhet i ditur të shtunën mbrëma në ceremoninë e ndarjes së çmimeve.