Kulturë

“Brutal Times” në ringjalljen e përkohshme të frymës së “Rilindjes”

Objekti dikurshëm “Rilindjes” është njëri nga lokacionet në hartën e bienales nomade evropiane, “Manifesta 14”. Nëpërmjet “Brutal Times”, që lidhet me stilin arkitektonik të objektit, rikthehet ndjesia e një dite të zakonshme pune, ashtu siç ishte për më shumë se gjashtë dekada

Nga njëri korridor përhapet jehona, që ngjan me zhurmën e makinerive, që shtypin gazetën, ndërsa te një tjetër, ajo e stilolapsit e shtypja e tasteve të makinave të shkrimit. “Brutal Times” e artistit Cevdet Erek në kuadër të “Manifesta 14” në objektin e dikurshëm të “Rilindjes” rikthen ndjesinë e një dite të zakonshme pune

 

Nga njëri korridor përhapet jehona, që ngjan me zhurmën e makinerive, që shtypin gazetën, ndërsa te një tjetër, ajo e stilolapsit e shtypja e tasteve të makinave të shkrimit. “Brutal Times” e artistit Cevdet Erek në kuadër të “Manifesta 14” në objektin e dikurshëm të “Rilindjes” rikthen ndjesinë e një dite të zakonshme pune

Disa nga numrat e “Rilindjes” janë kthyer në vendin ku u shtyp kjo gazetë për 65 vjet. Zhurma e tasteve të makinave të shkrimit, ajo e shtypshkronjës, e shfletimi i saj nëpërmjet një ekrani në qoshe, kanë mbërthyer hapësirën e shtypshkronjës. Është kthyer ndjesia e punës dhe atmosfera e dinamizmit në objektin e gazetës së parë shqipe, në kohën e ish-Jugosllavisë. Dikur gjithçka brenda bëhej një me përgatitjen e gazetës, por që tash e 13 vjet i kanë mbetur vetëm muret.

Objekti i dikurshëm i “Rilindjes” është njëri nga lokacionet në hartën e bienales nomade evropiane, “Manifesta 14”. Edhe te ky objekt çojnë rrathët jeshilë, të vendosur në rrugët e trotuaret e kryeqytetit. Posa ato mbarojnë, zgjatet një “shteg” me dërrasa e anësore të zeza. Që para hyrjes e brenda saj janë vendosura drita ledë, që ndriçojnë hapësirën, që tash e sa kohë e zdrisin veç rrezet e diellit. Zhurma mund të dëgjohet që në hyrje. Në fillim duket e çakorduar. Brenda hapësirës, sa vjen e qartësohet. Nga njëri korridor përhapet jehona, që ngjan me zhurmën e makinerive, që shtypin gazetën, ndërsa te një tjetër, ajo e stilolapsit e shtypja e tasteve të makinës së shkrimit. Një kat më poshtë kësaj hapësire, janë vendosur drita lëvizëse me ngjyrë të kuqe. Disa nga muret ndriçohen herë pas here e vazhdimisht i shoqëron zhurma, që e ka karakterizuar për më shumë se gjashtë dekada.