Kulturë

Denoncimi nga Kosova i Handkes, kryengjarje e “Mittelfestit” italian

Shfaqja me tekst të Jeton Nezirajt e regji të Blerta Rrustemi Nezirajt, e cila në mënyrë të drejtpërdrejtë, e zhvesh nobelistin austriak Peter Handke si një mohues të gjenocidit, e po ashtu bën thirrje që ai bashkë me Sllobodan Millosheviqin të shkojnë në djall – është vlerësuar lart nga kritika italiane. E shfaqur në kuadër të festivalit “Mittelfest”, shfaqja “The Handke Project” është veçuar edhe nga njëri prej kritikëve më të njohur italian, Gianfranco Capitta. Në një tekst, ku qysh në titull e shpall Handken si mohues të krimeve, Capitta në “Il Manifesto”, midis të tjerash ka shkruar se ajo “ishte ndoshta ngjarja më e pritur (ose të paktën “e nxehtë”) e ‘Mittelfestit’”

Përderisa dhjetëra artistë të huaj po shpërfaqin në Kosovë veprat e tyre, kryesisht të artit bashkëkohor, projekti teatror “The Handke Project”, larg vëmendjes së Qeverisë, është dhënë në një prej festivaleve kryesore italiane sa i përket teatrit, baletit e muzikës – “Mittelfest”.

Shfaqja me tekst të Jeton Nezirajt, e regji të Blerta Rrustemi-Nezirajt, e cila në mënyrë të drejtpërdrejtë e zhvesh nobelistin austriak Peter Handke si një mohues të gjenocidit, e po ashtu bën thirrje që, ai bashkë me Sllobodan Millosheviqin të shkojnë në djall – është vlerësuar lart nga kritika italiane.

Në kuadër të festivalit, që prej vitit 1991 mbahet në Cividale del Friuli, qytet dhe komunë në kuadër të provincës së Udines, prej ditës së 22-të të korrikut deri më 31 gusht, janë duke u dhënë shfaqje teatri e baleti e po ashtu edhe koncerte. Midis një programi të ngjeshur, “The Handke Project” është shfaqur në ditën e 23-të të muajit. Kritika italiane është marrë shumë me shfaqjen.

Madje, për të ka shkruar edhe ai, që njihet si njeriu kryesor i kritikës italiane, Gianfranco Capitta. Në një tekst ku qysh në titull e shpall Handken si mohues të krimeve, Capitta në gazetën e rëndësishme “Il Manifesto”, midis të tjerash ka shkruar se “The Handke Project”, “ishte ndoshta ngjarja më e pritur (ose të paktën “e nxehtë”) e ‘Mittelfestit’”. “Ngjarja, që për më shumë se tridhjetë vjet ka krahasuar kulturat, teatrin dhe artet e Evropës Qendrore, që për shekuj ishte zemra rrahëse kulturore e kontinentit”, ka shkruar Capitta. Nga kritikë të tjerë shfaqja është përshkruar si një denoncim i hapur për nobelistin e edhe zhveshëse në raport me hipokrizinë evropiane.

Në projektin teatror të qendrës “Multimedia” bashkë me “Mittelfest” e Teatrin e Toskanës, Teatrin e Dortmundit, Teatrin Kombëtar të Sarajevës e festivalin e njohur botërisht të kryeqytetit boshnjak, “MESS”, Peter Handke pas Prishtinës, Shkupit e Ferizajt, në qershor qe ndalur edhe në Beograd. Në teatrin “Bitef” – objekt, që nisi të ndërtohej si kishë evangjeliste nga gjermanët dhe nuk u konkretizua shkaku i Luftës së Dytë Botërore – Handke zhvilloi një bisedë me Joseph Goebbelsin. Udhëheqësi i propagandës së nazistëve i jep atij leksione se si duhet mohuar krimet e si duhet ngritur pyetje nëse ato janë të vërteta. E Handke shkon deri në nivelin sa tek qëndron mbi një varr, nis të shfaqë dyshime se a bëhet fjalë për varr apo jo.

Kasta e aktorëve: Arben Bajraktaraj, Anja Drljeviq, Adrian Morina, Ejla Bavçiq, Klaus Martini e Verona Koxha për rreth një orë e gjysmë e përballin publikun me dekonspirimin e Handkes, dhe atë që mund të quhet fenomeni Handke. Shfaqja ironizon skajshëm figurën e shkrimtarit, që më 2019 fitoi çmimin “Nobel” për letërsi. Shtjellon temën nëse ka kufij etikë e njerëzorë për një krijues. E tërthorazi jep edhe përgjigje.

Image
“Il Manifesto” të martën ka botuar kritikën për shfaqjen “The Handke Project”

Dramaturgu Jeton Nesiziraj, i cili udhëheq me qendrën “Multimedia” ka thënë se shfaqja është pritur në mënyrë të shkëlyqyeshme dhe ka zgjuar interesim të jashtëzakonshëm te publiku e te kritika italiane. “Duhet ta themi që ‘Mittelfest’ është një prej festivaleve më të vjetra në Itali, në këtë kuptim, ky është një festival historik dhe prandaj çdo edicion merr vëmendje të merituar në Itali”, ka thënë ai. Ka treguar se për shkak të temës, por edhe për faktin, që shfaqja ishte bashkëprodhim me Festivalin, ky edicion ka pasur si pikë qendrore pikërisht “The Handke Project”. Ka përmendur se këtë e ka thënë në një tekst të gjatë në “Il Manifesto” edhe kritiku qendror italian Gianfranco Capitta.

“Për shfaqjen ka shkruar në superlativ edhe gazeta “Avvenire”, kurse një kronikë e gjerë është dhënë edhe në radion publike sllovene. Kemi marrë shumë komente të mira nga publiku, sidomos nga të rinjtë”, ka thënë Neziraj.

Ka rikujtuar se pas “Mittelfest”, shfaqja vazhdon rrugëtimin në Sarajevë në nëntor, në Teatrin Kombëtar të Sarajevës, pastaj në dhjetor në Teatrin e Dortmundit. Më pas në tetor të vitit 2023, do të jepet tri herë në “Teatro Della Pergola”, njëri nga shtatë teatrot kombëtare në Itali, dhe konsiderohet si teatri më i vjetër italian.

“Por, deri atëherë, jam i sigurt që shfaqja do të ketë jetën e vet edhe në festivale të tjera gjetiu në Evropë”, ka thënë Neziraj.

Në këtë projekt teatror me pyetjet e tij prej “shkrimtari gjenial”, Handke vë në dyshim nëse ka ndodhur masakra e Srebrenicës – ku në korrik të vitit 1995 shteti serb vrau 8 mijë boshnjakë – apo është një shpikje e propagandë kundër Serbisë. Handke e di realitetin, por përpëlitet që ta ndryshojë atë. Ironia shkon deri në masën që Handke i ndryshon edhe situatat, që bota i ka parë të xhiruara. Si në rastin kur serbët detyrojnë boshnjakun e quajtur Ramo që ta thërrasë djalin e tij Nermin të zbresë nga kodrina “pasi është i sigurt me serbët”.