Kulturë

Çeku: “Europa Nostra” është e ndikuar politikisht nga Serbia

Organizata “Europa Nostra” e ka humbur kredibilitetin pasi i është nënshtruar ndikimit politik nga Serbia, ka thënë ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku. Vizitën e delegacionit të kësaj organizate në Kosovë më 13 korrik, ai e quajti të pakuptimtë.

Përveç ndikimit nga Serbia, Çeku tha se “EuropaNostra” i shkel parimet e profesionalizmit dhe objektivitetit jo vetëm në rastin e Manastirit të Deçanit, por edhe në të tjera.

“Për ne kjo vizitë vazhdo të jetë e pakuptim dhe pa asnjë efekt. EuropaNostra ka humbur kredibilitetin pasi që i është nënshtruar ndikimit politik të shtetit të Serbisë. E kemi konstatuar edhe një hipokrizi të EuropaNostras sepse vitin e kaluar e ka përfshirë Manastirin e Deçanit pa të drejtë dhe me ndikim politik nga Serbia në listën e shtatë monumenteve më të rrezikuara, kurse vitin e kaluar një organizatë e trashëgimisë kulturore e Kosovës ka dërguar një nominim tjetër për këtë listë, Kalaja e Novobërdës. Por, përkundër konstatimeve që kompania e Serbisë e angazhuar për punime në Kalanë e Novobërdës ka bërë dëmtime të pariparueshme në integritetin e kësaj kalaje, EuropaNostra e ka refuzuar këtë nominim dhe nuk e ka përfshirë në listë”, theksoi Çeku.

Përveç takimit me përfaqësues të Kishës Ortodokse Serbe dhe të Qeverisë gjatë qëndrimit në Kosovë, delegacioni i “Europa Nostras” u takua edhe me raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon. Më 15 korrik Cramon doli me një shkrim në Twitter. Aty tha se takimi u fokusua në nevojën për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në Evropë, por veçanërisht të Manastirit të Deçanit dhe të trashëgimisë kulturore të shkatërruar në Ukrainë.

“Takim i hapur dhe produktin me Sekretaren e Përgjithshme të Europa Nostras rreth nevojës për të përmirësuar mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të rrezikuar përreth Evropës, me fokus të veçantë të Manastirit të Deçanit dhe trashëgimisë së shkatërruar kulturore në Ukrainë”, shkroi Cramon një ditë më parë.

Ministri Çeku për këtë shkrim ka kërkuar përgjigje nga Cramoni. Ai do të dijë nëse Cramoni ka tërhequr paralele mes Kosovës dhe Rusisë në këtë rast.

“E kemi një pyetje për Cramon, a ka tërhequr ndonjë paralele mes neve dhe Rusisë kur në të njëjtën fjali e ka përfshirë Manastirin e Deçanit dhe monumentet e Ukrainës që po shkatërrohen nga agresioni rus. Ajo duhet të na sqarojë se a tërheq paralele mes Kosovës dhe Rusisë kur i futë në një fjali”, tha ai.

Çeku tha se do që të besojë se Cramoni ka gabuar kur ka përmendur Manastirin e Deçanit dhe monumentet ukrainase të shkatërruara nga rusët, në një postim.

“Për ne nuk është organizatë kredibile, ditëve të fundit e kemi parë një publikim nga von Cramon, në një takim me zyrtarë të EuropaNostras. Në postimin e Cramonit, Manastiri i Deçanit dhe monumentet e shkatërruara në Ukrainë nga agresioni rus futen në një fjali. Ne duam të besojmë që ajo e kas bërë këtë gabim paqëllimshëm, që nuk i ka informatat e sakta dhe e ka bërë në mënyrë të ngutshme, por ajo duhet të na ofrojë një sqarim për këtë gabim që e ka bërë”.