“Trekëndëshi”, si simbol i vëllazërim-bashkimit gjatë periudhës së socializmit, shpesh është bërë “mollë sherri” pas luftës së fundit në Kosovë. Sheshi, ku gjendet, mban emrin e komandantit e heroit Adem Jashari. Tash është artisti zviceran Ugo Rondinone që pas pak ditësh do të bëjë një ndërhyrje në këtë përmendore. Si shumë hapësira të tjera publike që do t’u nënshtrohet ndërhyrjeve në kuadër të edicionit të sivjetmë të bienales nomade “Manifesta”, nikoqire e së cilës është Prishtina, edhe përmendorja do t’i nënshtrohet një intervenimi artistik
Përmendorja e “Vëllazërim-Bashkimit”, e njohur si “Trekëndëshi”, në Prishtinë është rrethuar me skele. Si shumë hapësira të tjera publike që do t’u nënshtrohet ndërhyrjeve në kuadër të edicionit të sivjetmë të bienales nomade “Manifesta”, nikoqire e së cilës është Prishtina. “Trekëndëshi”, si simbol i bashkim-vëllazërimit gjatë periudhës së socializmit, shpesh është bërë “mollë sherri” pas luftës së fundit në Kosovë. Sheshi, ku gjendet, mban emrin e komandantit e heroit Adem Jashari. Tash është artisti zviceran Ugo Rondinone që pas pak ditësh do të bëjë një ndërhyrje në këtë përmendore, poshtë së cilës qëndrojnë skulpturat që simbolizojnë po ashtu vëllazërim-bashkimin.
Punimet që po zhvillohen në prag të bienales nomade “Manifesta” duket se po bëhen edhe më intensive në prag të fillimit të 100-ditëshit të aktiviteteve në kuadër të saj. Pas ndërhyrjeve të lehta te disa prej hapësirave publike të braktisura, konceptit të Bienales po i bashkëngjitën edhe lokacione të tjera. Ndërhyrja në përmendoren ikonike të Prishtinës do të bëhet 61 vjet pas inaugurimit të saj.
Zyrtari për media i “Manifesta 14”, Dardan Hoti, ka bërë të ditur se ndërhyrja artistike në këtë përmendore do të bëhet më 13 dhe 14 korrik. Ka ditë që objekti është veshur në të gjitha anët me skele, si përgatitje e terrenit për të mbërritur në çdo pjesë të tij.
“Në Monumentin që njihet si monumenti i “Vëllazërim-Bashkimit”, që gjendet në sheshin ‘Adem Jashari’, tashmë kanë filluar punimet – si pjesë e ‘Manifesta 14 Prishtina’. Siç edhe mund të shihet, fillimisht janë vendosur skelet dhe shumë shpejt do të nisë intervenimi artistik. Ky intervenim do të realizohet nga Ugo Rondinone, i cili është një artist i lindur në Zvicër, po i cili jeton dhe punon në New York”, ka thënë Hoti në një përgjigje me shkrim për KOHËN.
Po i njëjti ka thënë se përpos hapësirave publike të braktisura e të pashfrytëzuara, rëndësi u është dhënë edhe hapësirave të cilat mund të lidhen mes lokacioneve të ndryshme, në veçanti atyre publike. Sipas tij, ato janë të suksesshme dhe kanë potencial për t’u përdorur në të ardhmen, por edhe si zgjerim i hapësirave të tjera.
“Kjo ndikon në zgjerimin dhe forcimin e rrjetit ekzistues të hapësirave publike. Kjo hapësirë konsiderohet si hapësirë strategjike për të zgjeruar ekon e bulevardit 'Nënë Tereza' - hapësira publike shumë e frekuentuar drejt qendrës së vjetër të qytetit”, ka thënë ai, derisa ka bërë të ditur se nuk do të ketë ndërhyrje në ndryshim të formës së monumentit.
Artisti 59-vjeçar, Ugo Rondinone, është i lindur në Zvicër, por që jeton dhe punon në New York. Ai punon mes mediumeve të ndryshme, por kryesisht me skulpturë, vizatim dhe pikturë, gjithashtu edhe me fotografi, arkitekturë, video dhe audio-instalacione. Veçanti e punës së tij është se refuzon të punojë vetëm me një material apo vetëm me një model disipline. Veprat e tij zgjerojnë traditën romantike, në hulumtimin e kalimit të kohës dhe nuancat e gjuhës trupore e asaj të folur. Plumb, dru, dyllë, bronz, xhama qelqi, bojë, ngjyrë e gur, janë të gjitha mjetet që Rondinone i përdor në punimet e tij. Por se si do t’i qaset “Trekëndëshit” mbetet të shihet.
Përmendorja e “Vëllazërim-Bashkimit” përbëhet nga tri shtylla të gjata prej 22 metrash, të ndërtuara me beton e hekur. Kjo përmendore simbolizon bashkimin e tri kombeve kryesore që jetonin në Kosovë, të cilat ishin pjesë të luftës partizane, shqiptarët, malazezët dhe serbët. Tetë statuja të ushtarëve partizanë qëndrojnë para përmendores. Autor i krejt memorialit është skulptori i njohur serb, Miodrag Zhivkoviq, që u lind më 1928 në Leskoc të Serbisë. Përmendorja u ngrit më 1961, përderisa Zhivkoviq është autor i njohur i veprave të artit nëpër të gjithë ish-Jugosllavinë.
Qëkur Prishtina u vendos si nikoqire e edicionit të 14-të të bienales nomade evropiane “Manifesta”, ishte bërë i ditur qëllimi i saj që përkon me gjetjen e strategjive të reja për të fuqizuar qytetarët në mënyrë që të rimarrin hapësirat publike. Kryeqyteti i Kosovës pritet të jetë kryeqendra evropiane e kulturës për vitin 2022, ku në këtë vend mblidhen artistët ndërkombëtarë.