Kulturë

Dyshja në piano e violinë rikthen kompozimet ikonike

Melodia e butë e melankolike me të cilën nis sonata për violinë e kompozitorit austriak Johannes Brahms ishte ajo me të cilën Gëzim Latifi dhe Elena Atanasovska - Ivanovska hapën natën e shtatë me radhë të festivalit “DAM”.

Kompozuar në G maxhor për violinë dhe piano, Sonata e violinës, e njohur ndryshe edhe si “Sonata e shiut” e Brahmsit u kompozua gjatë verës së 1878-s dhe 1879-s në Pörtschach am Wörthersee të Austrisë.

Gëzim Latifi violinist i Filarmonisë së Kosovës së bashku me pianisten e Orkestrës Filharmonike të Maqedonisë së Veriut, Elena Atanasovska – Ivanovska arritën që me mjeshtërinë dhe profesionalizmin e tyre t’i bëjnë publikun për vete.

Gjatë tërë kohës sa dyshja luajti tri sonata e gjithë audienca ishte plot vesh dhe e përqendruar në lëvizjet e dy artistëve. Pas një pauze të shkurtër, Latifi dhe Atanasovska- Ivanovska vazhduan më “Suitën italienne” për violinë dhe piano të kompozitorit të njohur rus Igor Stravinsky.

“Suita italienne” u kompozua nga Igor Stravinsky për Serge Diaghilev dhe “Baletin rus” në vitin 1920. Kjo sonatë, e cila kërkonte një shpejtësi të madhe në lëvizjen e gishtërinjve dhe një sinkronizim midis pianos dhe violinës, ishte vepra që impresionoi më së shumti publikun të shtunën mbrëma.

Pas përfundimi të koncertit, violinisti Gëzim Latifi ka thënë se ndonëse programi kishte qenë shumë i vështirë, ata prapëseprapë ja arritën që ta realizonin me saktësi.

Kjo u pa edhe gjatë performancës atëherë kur Latifi, i cili gjendej më pranë publikut për shkak të pozitës që ia lejonte violina, përmes mimikës dhe gjesteve dëshmonte për punën e vështirë që këto tri vepra kërkonin. Shpesh pas përfundimit të pjesëve, publiku arrinte të shihte lehtësimin shpirtëror dhe kënaqësinë që dy artistët përçonin pasi ia kishin dalë ta realizonin me sukses atë pjesë.

Lidhur me bashkëpunimin me Helenën, Latifi i cili studimet master i ka përfunduar në Shkup, ka thënë se në të vërtetë kjo nuk ishte hera e parë që ata të dy po performonin para publikut.

“Me Helenën kemi bashkëpunuar edhe më herët, faktikisht recitalin e parë kur e kam pasur e kam pasur me Helenën në edicionin e parë të Festivalit DAM, pastaj unë i kam vazhduar studimet në Maqedoni dhe aty më ka përcjellë ajo si pianiste. Aty ka vazhduar edhe besimi dhe për këtë unë jam shumë i kënaqur”, ka thënë ai para publikut.

Vepra e fundit e performuar nga këta dy artistë ishte përsëri një sonatë për violinë dhe piano, por tani nga kompozitori francez Claude Debussy.

E shkruar në vitin 1917, kjo sonatë është kompozimi i fundit madhor i kompozitorit Debussy. Karakteristika kryesore e saj është shkurtësia, ku një performancë tipike zgjat diku 13 minuta.

Por, pavarësisht shkurtësisë, sonata kërkonte mjeshtri të lëvizjes dhe një dramacitet i cili krijohej vazhdimisht.

Arta Shatri, e cila me profesion është violiniste dhe që performancën e kishte përcjellë nga publiku, tha se ishte shumë e lumtur që kishte parë duke u luajtur disa prej veprave më të vështira.

“Sonata Brahms dhe Sonata Debussy janë dy vepra shumë të vështira dhe shumë të bukura për violinë. Më vjen shumë mirë që po i dëgjojmë edhe live dhe po kemi mundësi të shohim artistë të ndryshëm”, ka thënë ajo.