Njëra nga balerinat e para në Kosovë, Esma Mulla, ka vdekur të mërkurën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Që nga themelimi i trupës së baletit, në kuadër të atij që ishte Teatri Krahinor më 1972, Esma Mulla ishte një prej anëtarëve. Në vitin 1968 kur do të zgjidheshin nxënësit që po përfundonin shkollën fillore për të vazhduar edukimin për balet në Shkup, Mulla do të caktohej të ishte njëra nga ato. Gjatë karrierës ka luajtur në rreth 40 shfaqje baleti, duke u shndërruar edhe në frymëzim për gjeneratat e reja
Përtej një balerine profesioniste, Esma Mulla njihej edhe si model që frymëzonte vajzat e këtyre anëve për t’u marrë me art. Përkundër vështirësive që ka pasur në jetë, tek të tjerët synonte të reflektonte pozitivitet. Balerina e gjeneratës së parë të balerinëve nga Kosova vdiq të mërkurën. Ajo ishte 69 vjeç.
Që nga themelimi i trupës së baletit, në kuadër të atij që ishte Teatri Krahinor më 1972, Esma Mulla ishte një prej anëtarëve. Në vitin 1968 kur do të zgjidheshin nxënësit që po përfundonin shkollën fillore për të vazhduar edukimin për balet në Shkup, Mulla do të caktohej të ishte njëra nga të ato që jurisë ia kishte mbushur mendjen.
Esma Mulla u lind me 22 shtator të vitit 1952 në Pejë. Shkollën fillore e kishte përfunduar në vendlindje, kurse atë për balet në Shkup. Kishte luajtur në shfaqjet: “Legjenda mbi ngadhënjimin“, “Vallja pranverore“, “Bolero dhe Shtrausiana“, “Interplay“ “Coppelia“,“Era dhe Kolona“, “Kënga e Rexhës“, “Romeo dhe Xhulieta“, “Besa“, “Carmen“, “Balloja e Kadetëve“, “Zef Lush Marku“, “Don Kishoti“, “E bukura More“, “Peter Pani“, “Loja e Sizifit“ e të tjera”. Esma Mulla bashkë me 25 balerinë të tjerë të asaj gjenerate ishin shkolluar në shkollën e mesme të baletit në Shkup. Ka luajtur në rreth 40 premiera deri në fillim të viteve ’90. kur trupa e baletit ndaloi së funksionuari shkaku i regjimit të Serbisë. Kohëve të fundit po jetonte ne Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Miqtë e saj e përmbledhin me pak fjalë karakterin e saj. Përshkruhet si e dashur e profesioniste. Mbi të gjitha, balerina Esma Mulla e ka dashur skenën dhe artin. Mikja e saj, balerina Sabrije Spahiu, e kujton si grua që u ka sjellë dashuri të gjithëve dhe që ka ditur të jetë e dashur përkundër vështirësive në jetën personale. Në bisedën e fundit me të, balerina e ndjerë i kishte bërë me dije se kjo ishte hera e fundit që po bisedonin.
“Kemi pasur raport shumë të mirë, kam biseduar me të para një muaji, jam dëgjuar në telefon. I dhashë një lajm të mirë familjar dhe gjatë bisedës më dha një përshtypje se kjo ishte hera e fundit që bisedojmë. Nuk ma tha, por vërehej, më dha urata më të mëdha se zakonisht”. “Ajo më ka pranuar në grup më mirë se gjithë të tjerët. Të gjitha momentet me të kanë qenë të mira, ka qenë bujare sa nuk keni ide, njerëzit si ajo janë të rrallë. Në shpirtin e saj nuk ka pasur xhelozi, i ka dashur njerëzit”, ka thënë më tej Spahiu për KOHËN.
Pas shumë përpjekjeve për të shkuar në SHBA ia kishte dalë që të jetojë pranë fëmijëve të saj. Në Kosovë i kishte vetëm miqtë, nga të cilët ishte përshëndetur duke e ditur se nuk do të kthehej më. Së pari ishte ndarë nga ta në vitin 1992, kur forcat serbe shtrinë autoritetin në të gjitha institucionet, si rrjedhojë edhe në ato kulturore. Ishin ribashkuar pas lufte kur në krye me drejtorin e atëhershëm të Baletit, Ahmet Brahimi, kishin rithemeluar trupën e baletit të Kosovës.
“Kemi komunikuar me të deri vonë, por u larguam pak kur ka shkuar në Amerikë. Për Esmën jo vetëm unë, por të gjithë, edhe gjeneratat e reja kemi vetëm fjalë të mira. Ka qenë një njeri që nuk ka ditur të ofendojë dhe ka dashur t’u ndihmojë të gjithëve”, ka thënë Januz Beqiri, i cili po ashtu i përket gjeneratës së parë të balerinëve. Sipas tij, Mulla urtësinë e saj e ka shfaqur çdo herë, edhe kur i ishte dhënë ndonjë rol që nuk i ka shkuar për shtati, as atëherë nuk kishte refuzuar. Kontaktet e fundit që i ka pasur Beqiri me balerinën Mulla kanë qenë kur ajo kishte shkuar në SHBA, ku ishte shprehur se po largohet pa u vlerësuar e me ngushëllimin se jeta vazhdon përkundër gjithçka.
“Kontaktet e fundit ishin kur ajo shkoi në Amerikë dhe tha se po largohemi dhe nuk e dimë se kur do të bashkohemi, se ikëm nga ky teatër që e deshëm shumë, ikëm pa kurrfarë fjale të mirë pa na thënë dikush, por vetëm fjalë të këqija gjatë regjimit jugosllav. U ndamë me ngushëllimin se jeta vazhdon dhe duke e ditur se nuk do të takohemi më”, ka treguar Beqiri.
Miqtë e saj shprehen se nuk ishte lodhur përkundër gjithçka, e kishte dashur jetën me gjithë vështirësitë që i ishin shfaqur si barriera. Për vdekjen e saj është adresuar me një shkrim institucioni, ku Esma Mula kishte zhvilluar karrierën e saj.
“Është njëra nga artistet e Dukagjinit që ka dëshmuar jeh skenik në dërrasat e teatrit, gjersa po sendërtohej kultura e hapit skenik të gjinisë femërore. Ajo ishte brezi i art gjinor, e para e kualifikuar në shkollën e baletit, në Shkup. Në TPK do të hapërojë skenikisht, që nga vitet 1972. Aseti performativ i saj do të shënojë kthesë jetike për vrullin teatror. Ishte fabul jetike për një mori rolesh dhe shfaqjesh”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Baletit Kombëtar të Kosovës. Për vdekjen e saj një njoftim e ka lëshuar edhe Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit.
“Mulla ka qenë pjesë e Baletit në Kosovë qysh prej themelimit, ndërsa me performancat e saj ka shënuar kthesë jetike, jo vetëm për baletin, por për vrullin teatror dhe rritjen e vlerave kulturore në Kosovë. Ka qenë e njohur për një mori rolesh dhe shfaqjesh, si ‘Legjenda mbi ngadhënjimin’, ‘Vallja pranverore’, ‘Bolero dhe Shtrausiana’. Sot humbëm një person me vlera të çmuara që kontribuoi pareshtur për artin e vallëzimit dhe teatrit në veçanti, por edhe për kulturën e vendit tonë në përgjithësi”, shkruhet në njoftim.