Kulturë

“Ora e vdekjes” në burg ngjall fatet njerëzore

Ish-objektit të Burgut të Prishtinës i janë rihapur dyert me “Orën e vdekjes”, nën regji të Ilir Bokshit, e cila, bazuar në histori të vërteta, andej e këndej kufirit, e përball publikun me disa prej rrëfimeve të të burgosurve. Kur publiku ulet në karriget e improvizuara përballë “skenës teatrore”, në atë që ishte shëtitorja e të burgosurve, merret vesh se shfaqja nuk u është kushtuar veç atyre që vuajtën në Krahinën e dikurshme të Kosovës. Është një homazh për vuajtjet e fatet njerëzore

Britmat, duke kërkuar ujë, publiku i përjeton nga afër gjatë ecjes në korridor. Thirrjet bëhen nga ata që janë papa grilave në kthinën, e cila është veç një nga labirintet e ndërtesës. Britmat pa dyshim rrisin ndjesinë e të qenit brenda një burgu. Në rastin e ish-Burgut të Prishtinës ato bartin vuajtjet e shumë të burgosurve të ish-regjimit prej viteve ‘50 e deri në përfundimin e luftës. Por, kur publiku ulet në karriget e improvizuara përballë “skenës teatrore”, në atë që ishte shëtitorja e të burgosurve, merret vesh se shfaqja nuk u është kushtuar veç atyre që vuajtën në Krahinën e dikurshme të Kosovës. Por, ka të integruar edhe histori të Shqipërisë. Të Shqipërisë së prej pas Luftës së Dytë Botërore e deri në fillim të viteve ‘90. Bile, veç me statistikat që shpalosen në mure, edhe një njeri që për herë të parë do të ishte në këto anë, një gjë e merr vesh qartë: Shqipëria qe një burg i madh.

Bazuar në histori të vërteta, andej e këndej kufirit, ekipi i shfaqjes “Ora e vdekjes” e përball publikun me disa prej rrëfimeve. E përballja bëhet në një ish-burg që edhe sot i ka tiparet origjinale. Muzika (Memli Kelmendi) ia shton dramën. Hapësira ku zhvillohet ngjarja është pika më e fortë e shfaqjes. Qeveria e Kosovës ia ka mësyrë ta shndërrojë në muze ndërtesën, por ende s’ka një afat.

Image
Kushtrim Sheremeti, Adrian Morina, Albulena Bokshi, Arben Dërhemi për rreth një orë shpërfaqin histori që për gjeneratat e reja apo vendet që nuk janë përballur me diktatura pa dyshim që mund të duken të pavërteta

Adrian Morina, Albulena Bokshi, Arben Dërhemi e Kushtrim Sheremeti për rreth një orë shpërfaqin histori që për gjeneratat e reja apo vendet që nuk janë përballur me diktatura, pa dyshim që mund të duken të pavërteta.

Të enjten mbrëma “Ora e vdekjes” si bashkëproduksion midis “Arpolisit” dhe teatrit “Hadi Shehu” të Gjakovës është dhënë premierë në kuadër të festivalit “FemArt”.

Një mësimdhënëse e quajtur Tefta Tasi gjatë periudhës komuniste në Shqipëri ishte arrestuar. Qe e bija Koço Tasit, ish-politikan i arrestuar gjatë komunizmit pasi i takonte “borgjezisë së vjetër”. Krejt familja ishin të burgosur e të internuar. Tash i vetmi i gjallë është piktori Lekë Tasi, i cili edhe njihet me veprën e tij me kujtime “Grabjani rrëzë kodrave”.

Në shfaqjen nën regji të Ilir Bokshit, me dramaturgji të Ulpiana Malokut e Agnesa Mahanollit, zhvillohet gjyqi ndaj Tefta Tasit që në lojë vjen si Efta Sasi, portretizuar nga Albulena Bokshi. Gjyqi ngjall të qeshura me absurditetet e montuara nga regjimi. Akuzohet se ka sharë mollët në një dyqan. E nenet e kodit penal e dënojnë rëndë sharjen e produkteve të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë që udhëhiqej nga Enver Hoxha. Ndjesia shkon deri në masën sa loja e aktorëve mund të dalë pak nga fokusi i publikut kur merret parasysh krejt mozaiku absurd i një sistemi që deshifrohet në skenë. E sidomos kur pjesët e këtij mozaiku shfaqen në një ambient burgu. Skenografia, realizuar prej Bekim Korçës, është pothuajse e gatshme. Krejt pak është dashur të intervenohej.

Image
Një prej skenave është edhe gjyqi ndaj Tefta Tasit, që në lojë vjen si Efta Sasi, portretizuar nga Albulena Bokshi

Aty bëhet edhe një përballje interesante. Në një skenë mbi një urë kufitare shkëmbehen të burgosurit, një shqiptar i Kosovës i zënë në Shqipëri e një e Shqipërisë që ishte zënë në Kosovë. Më 1948 ishte mbyllur kufiri midis dy vendeve, konkretisht midis ish-Jugosllavisë dhe Shqipërisë. Një pjesë jo e vogël e shqiptarëve të Kosovës e idealizonin Enver Hoxhën si prijësin më të madh shqiptar. Ëndërronin veç ta shinin. E në Shqipëri ëndërrohej të ikej nga ai vend. Diskutimi që zhvillohet midis dy Fatmirëve në urë, nxjerr në pah se sa fatkeq është secili. Adrian Morina e Arben Dërhemi nuk mund ta marrin vesh njëri-tjetrin si personazhe. I pari është zënë në Shqipëri se donte ta shihte Enver Hoxhën e i dyti në Kosovë pasi kishte ikur prej regjimit të tij. S’ia dalin dot ta kuptojnë njëri-tjetrin. Bile shahen fort. Ndërkohë në projektor shfaqen pamje që tregojnë edhe statistika. Sipas Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri, gjatë periudhës së diktaturës u burgosen politikisht mbi 34 mijë veta, 59 mijë u internuan në kampe përqendrimi, 984 vdiqën në burgje, e mbi 6 mijë u vranë gjatë regjimit. Ka pasur vrasje që janë bërë ende pa u nxjerrë vendim gjyqësor. Si ai i vitit 1951, kur shkaku i një mjeti shpërthyes afër Ambasadës së Bashkimit Sovjetik në Tiranë, pa gjyq, u vranë 22 veta, midis tyre edhe ajo që llogaritet të jetë biologia e parë shqiptare, Sabiha Kasimati. Historia e martires së Kishës Katolike, Marije Tuci, është po ashtu pjesë e shfaqjes. E reja që i ishte përkushtuar mësimdhënies e besimit katolik ishte torturuar deri në vdekje e më pas ishte mbyllur në një thes bashkë me një mace të egër.

Shqipëria qe vend ku njerëzit u dënuan edhe për ëndrrat që kanë parë. Bile, edhe personazhet e ëndrrës e jo veç ai që e ka parë. Një skenë e shtjellon edhe këtë në shfaqje. Duke ëndërruar se lufta në Kosovë është në përfundim e sipër mund të kenë qenë edhe shumë të burgosur të Burgut të Dubravës afër Istogut. Aty po mbaheshin 1.004 të burgosur, shumica shqiptarë. Do të vriteshin nga regjimi serb e kolegët e tyre serbë në burg. Një skenë e shfaqjes nxjerr në pah edhe atë rast, kur të burgosurve u thuhet të mblidhen për t’i liruar e më pas shtihet me armë mbi ta.

E këtë moment jo të lehtë e ka pasur aktorja Albulena Bokshi. Axha i saj është vrarë në atë masakër.

“Artistët e kanë këtë mision – të kujtojnë atë që ka ndodhur. Janë pafund historitë e kohës së komunizmit në Shqipëri. Jam e lumtur që kemi bërë diçka për kujtesën kolektive”, ka thënë Bokshi me lot në sy pas shfaqjes.

Ditën e parë kur janë futur në ambiente të burgut për prova, Kushtrim Sheremeti ka kujtuar se ka qenë goxha i tmerruar.

“Kur e hapnim derën me dalë jashtë, disi ndienim liri. Jam shumë i lumtur që jam pjesë e një dedikimi të bërë për gjithë vuajtjet të burgosurve. Shfaqje shumë e rëndë, por ia dolëm”, ka thënë ai fill pas shfaqjes.

Image
Adrian Morina e Arben Dërhemi nuk mund ta marrin vesh njëri-tjetrin si personazhe. I pari është zënë në Shqipëri se donte ta shihte Enver Hoxhën e i dyti në Kosovë pasi kishte ikur prej regjimit të tij...

Për Adrian Morinën, ambienti e përbën gati pjesën kryesore të këtij procesi artistik.

“Është një temë për të cilën edhe vetë nuk është se mendojmë shumë, sidomos tash kur të paktën te ne njerëzit flasin lirshëm dhe nuk shkojnë në burg për ideologji”, ka thënë ai.

Aktori Arben Dërhemi ka kujtuar se njeriu i ka bërë tmerr njeriut, në rastin e parë shqiptari shqiptarit e në të dytin serbët shqiptarëve.

“Jemi njerëz dhe nuk duhet të ndodhin gjëra të tilla”, ka thënë ai. Problemet e organizimit brenda një ambienti që nuk është teatër bashkë me motin e lig i ka përmendur regjisori Ilir Bokshi.

“Besoj që ia kemi dalë dhe kemi bërë një produkt të mirë”, ka thënë në fund ai.

Të pranishmit e paktë që merren me teatër në baza ditore kanë përtuar të flasin për shfaqjen. Edhe për shkak të ndjesisë që ajo jep. Për rreth një orë edhe publiku krijon përshtypjen që është në një burg. Jo veç se gjendet në një ndërtesë që dikur ishte burg, por edhe për shkak të historisë që i rrëfehet përballë. “Ora e vdekjes” prek labirintet e vuajtjeve e humbjet e jetëve të njerëzve që nuk i kishin kurrfarë faji për ta pasur atë fat. Shfaqja do të udhëtojë edhe nëpër Shqipëri, por zor se do ta krijojë ndjesinë e Prishtinës, pasi nuk do ta ketë me vete elementin kryesor, burgun.