Si tablo e qartë e politikës serbe të fshehjes sistematike të masakrave, të paraqitjes së civilëve të masakruar si luftëtarë dhe të krimeve gjenocidale të viteve ‘98-’99, është cilësuar vepra “Fshehja e krimit: politika serbe e mashtrimeve të mëdha në Kosovë” e Anton Vukpalajt, e cila është përuruar të enjten në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Por, se si kanë jetuar edhe shqiptarët nëpër histori, është tema që prek Anton K. Berishaj në librin e tij “Në botën e përbashkët: tradita, tranzicioni, anomia”. Në fakt, akademik Berishaj trajton një çështje shumë të rëndësishme dhe të pranishme në shoqërinë bashkëkohore – përbashkësinë
Janë të shumta dëshmitë mbi krimet serbe në Kosovë, jo vetëm në luftën e fundit, prej së cilës ende janë mbi një mijë e 600 të zhdukur. Por vepra “Fshehja e krimit: politika serbe e mashtrimeve të mëdha në Kosovë” e Anton Vukpalajt nuk merret vetëm me statistika. Zbërthen luftën e vazhdueshme të shtetit serb edhe me kufomat e shqiptarëve të vrarë në Kosovë, si dhe tendencat për ta fshehur gjenocidin e tyre.
Ky ka qenë vetëm njëri prej titujve që ka përuruar të enjten Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës. Me veprën studimore “Në botën e përbashkët: tradita, tranzicioni, anomia”, akademik Anton K. Berishaj zbërthen konceptin e jetës së përbashkët, tek ndalet te ky fenomen në shoqërinë shqiptare.
Gjyljeta Mushkolaj, anëtare korrespondente e AShAK-ut, ligjëruese në Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës, ka thënë se “Fshehja...” është e para vepër shkencore, e cila dëshmon për fshehjen e krimeve në Kosovë.
“Edhe pse në Kosovë janë bërë përpjekje të shumta, dokumentimi i fshehjes së krimit si një segment tejet i rëndësishëm i gjenocidit, ku krimi nuk përfundon me vdekjen, por vazhdon edhe më tutje, ka munguar. Këtë segment në të vërtetë, për herë të parë, në kuptim shkencor, do të mund ta gjeni të studiuar në këtë botim të Anton Vukpalajt”, ka thënë Mushkolaj.
Për veprën e Vukpalajt ka folur edhe akademik Hivzi Islami, i cili u shpreh se “Fshehja e krimeve” paraqet para lexuesve një tablo të qartë të politikës serbe të fshehjes sistematike të masakrave, të paraqitjes së civilëve të masakruar si luftëtarë dhe të krimeve gjenocidale të viteve 98-99.
“Këto praktika ishin përdorur edhe më parë në Kroaci dhe në Bosnjë”, ka thënë akademik Islami.
Ka potencuar se Vukpalaj në të vërtetë dëshmon për veprime, të cila janë planifikuar qysh moti nga shteti serb.
“Në vargun e krimeve të luftës, të krimeve të njerëzimit, të krimeve gjenocidale serbe mbi shqiptarët, shquhet një veprim i tmerrshëm, e ky është fshehja e krimeve specifikisht zhvarrosja e kufomave në Kosovë dhe varrosja e tyre në Serbi. Krimi dhe gjenocidi në Kosovë kundër shqiptarëve ishin të paramenduar dhe të planifikuar një kohë të gjatë nga shteti serb dhe të inspiruar nga strukturat intelektuale krijuese dhe fetare, mediat e të tjera”, ka thënë akademik Islami, në rolin e recensentit të kësaj vepre.
Ai ka numëruar edhe një sërë elementesh të cilat preken brenda “Fshehjes së krimit” duke u shprehur se tërë këto krime kishin nisur edhe para shpërthimit të luftës, qysh para viteve ‘80.
“Vrasja dhe varrezat masive në Kosovë e pastaj zhvarrosja e kufomave dhe bartja e tyre në Serbi, për t’i varrosur në baza ushtarake, objekte ndërtimi, nën ura, për t’i hedhur në ujëra dhe djegur në miniera, u kanë paraprirë në vitet ‘80 dhe ‘90 represioni i egër ushtarak, diskriminimi dhe krimet kundër shqiptarëve, si vazhdimësi, torturat dhe arrestimet arbitrare, bastisjet dhe ekspeditat ndëshkuese, rrënimi i bazës ekonomike përmes plaçkitjes së teknologjisë dhe pronës private me masa policore, përjashtimi i shqiptarëve nga puna dhe shteti, mbyllja e shkollave dhe ndjekja e arsimtarëve, sikundër kolonializimi i Kosovës si aspiratë shekullore, dëbimi masiv i shqiptarëve, spastrimi etnik”, ka numëruar ai.
Vetë autori i librit, profesor në Fakultetin Filozofik në Universitetin e Prishtinës, Vukpalaj, në pika të shkurtra ka folur për përmbajtjen e kësaj vepre duke theksuar posaçërisht rëndësinë që për shtetin serb kishte zgjerimi i territorit.
“Libri trajton periudhën e viteve ‘90 të historisë së Kosovës që karakterizohet me dhunë politike, e cila gjeneron masakra, krime të njerëzimit. Këto raste të organizuara dhe të kryera nga shteti serb kanë qenë me karakter politik dhe edhe dhuna politike ka qenë akt i shtetit serb dhe kjo ka marrë edhe formën e spastrimit etnik, i cili është formë specifike e kësaj dhune”, ka thënë Vukpalaj, profesor i shkencave politike. Ai ka studiuar shkencat politike, sociologjinë politike dhe politikat krahasuese në Universitetin francez të Sorbonës (1994-1999) dhe në Universitetin e Parisit (2001-2008). Është i specializuar në studimin e drejtësisë transicionale dhe ballafaqimin e shoqërive postkonfliktuale me të kaluarën, me fokus të veçantë tek Evropa Juglindore.
Në përurimin e veprës së tij ka tërhequr paralele midis asaj se çfarë ka ndodhur më herët në Kroaci e në Bosnjë-Hercegovinë dhe asaj në Kosovë duke nxjerrë përfundimin se Serbia në të vërtetë kishte “mësuar nga praktikat dhe përvojat e saj të mëhershme”.
Kështu, derisa në rastin e Bosnjës, sipas Vukpalajt, Serbia i kishte fshehur trupat në territorin ku po zhvillohej lufta, pra në Bosnjë, në rastin e Kosovës kufomat i kishte dërguar në Serbi.
Por se si kanë jetuar edhe shqiptarët nëpër histori, është tema që prek Anton K. Berishaj në librin e tij “Në botën e përbashkët: tradita, tranzicioni, anomia”. Në fakt, akademik Berishaj trajton një çështje shumë të rëndësishme dhe të pranishme në shoqërinë bashkëkohore.
“Libri i fundit i akademik Anton Kolë Berishajt është një studim kompleks, sociologjik i disa rrjedhave, fenomeneve shoqërore që kanë prodhuar modele të veçanta të organizimit shoqëror brenda botës së përbashkët. Është fjala këtu për një koncept që është bërë i pranishëm në sociologjinë bashkëkohore, në veçanti në deceniet e fundit”, ka thënë akademik Muhamedin Kullashi, kur ka folur për librin.
Sipas tij, “autori ka qëllim të ndriçojë një varg faktorësh objektivë e subjektivë që kanë ndikuar në strukturimin e brendshëm të kësaj bote të përbashkët, kryesisht për shqiptarët në Ballkan dhe fqinjit të tyre”.
Vetë profesori i sociologjisë, Anton K. Berishaj, shpjegimin për veprën e ka nisur duke e lidhur me veprat e hershme të antikës dhe fillimet e hershme të asaj që sot njihet si bashkësi.
“Koncepti qendror është përbashkësia. Çfarë nënkupton kjo? Kjo nënkupton – t’ia nisim nga Aristoteli, ku në librin e tij thotë se ai ‘që mund të jetojë vetë ose është perëndi, ose është bishë’. Ne nuk jemi as bishë e as perëndi. Jemi njerëz, jemi individë. Më vonë teoritë fetare e kanë shfrytëzuar kopshtin e Edenit që perëndia e paska krijuar në mënyrë shumë të denjë burrin, Adamin, e më vonë ka thënë: ‘Po çka do ky njeri vetëm? Do t’ia krijoj edhe një grua’. Dhe kështu fillon përbashkësia”, ka thënë akademik Berishaj.
Autori i veprës “Në botën e përbashkët...” ka thënë se bashkësia përveç të mirave në të vërtetë ka sjellë edhe shumë të këqija, të cilat kanë vazhduar ta përcjellin njerëzimin gjatë tërë kohës.
“Përbashkësia duket shumë e bukur. Ne e kemi edhe në jetën e përditshme shprehjen: ‘Hajde për të mirë e bashkë’. Mirëpo në përbashkësi fshihen të këqijat, të cilat e kanë përcjellë vazhdimisht njerëzimin, siç janë: diskriminimi, në raportin e forcave dikush është më i dobët, është i mbizotëruar, është i përdorur i maltretuar. Dhe ky rrugëtim i njerëzimit, qoftë edhe prej mitit të kohës së Edentit e deri sot, e ka përcjellë edhe botën, por na ka përcjellë edhe ne”, ka thënë ai.
Ishte vetë çështja e shqiptarëve, periudhës kur ata kanë jetuar në përbashkësi, ajo që e ka nxitur të shkruajë për këtë çështje.
“Raporti me të tjerët në atë përbashkësi, e cila kryesisht ka qenë e dhunshme, nuk them që nuk ka pasur edhe ndonjë periudhë të simbiozës, por kryesisht ka qenë destruktive. Ka ndodhur edhe te vendet e ndryshme që janë reflektuar më vonë, edhe në ndryshimin apo rikonfigurimin e traditës. Nuk mundesh pesë shekuj të jetosh nën robëri e të mos thuash: ‘Jo, ne kemi dalë shqiptarë’. Kështu janë këto fenomene që në njëfarë forme më kanë bërë të shkruaj për to”, ka thënë, Berishaj.