Kulturë

Xhevdet Bajraj – poeti rrëmbyes që me varg “mbrohej nga jeta”

“Krijimin poetik herë e përjetoj si lindje e herë si vdekje, por në të dyja rastet ndjesia është sublime. Fillova të shkruaj për t’u mbrojtur nga jeta. Nuk mendoja as për lexuesit, as për suksesin. Thjesht më duhej të hiqja një peshë që më merrte frymën…”, kishte thënë Xhevdet Bajraj

Se kur vendosi të bëhej poet, Xhevdet Bajraj ishte i prerë: “Në momentin që jeta m’u shfaq lakuriq dhe më tha: ‘Kështu jam, më prano ose më lër’”, do të thoshte ai. Vdiq si poet i madh, larg vendlindjes, në Meksikë, por asnjëherë i shkëputur prej saj. Kosovën e bartte në vargun e tij e me poezi, siç do të thoshte vetë Bajraj, “mbrohej nga jeta”. Poeti i shquar vdiq në moshën 62-vjeçare e ikja e tij është konsideruar humbje jo vetëm për poezinë shqipe

Me barrën se u detyrua ta linte Kosovën jetonte për më shumë se dy dekada. Bile në komunikim me miqtë e tij, në një rast kishte thënë se ndihej sikur e kanë vrarë në luftë e tash bredh rrugëve i verbër e i shurdhër. Në këtë frymë edhe shkruante poezitë e tij. Pikërisht arti do t’i hynte në punë për të nxjerrë jashtë krejt mallin, vuajtjet e dëshirat për vendin e tij. Asnjëherë s’u shkëput prej atdheut. Aty i gjëllinte poezia. Si personazh aspak i zakonshëm në krijimtari e në jetë, Xhevdet Bajraj vdiq të mërkurën. Ai ishte 62 vjeç.

Ikja e Bajrajt pas një sëmundjeje të shkurtër u konsiderua si shuarje e një pene që adhurohej nga krejt gjeneratat, një njeriu që qe model për mënyrën se si duhet vendlindja e si shkruhet për të. Edhe kur qe larg saj. Poet, dramaturg, përkthyes e profesor universitar, Bajraj qysh prej vitit 1999 jetonte në Meksikë. Por Kosovën e kishte me vete nëpërmjet krijimtarisë. Përtej krijuesit, për miqtë e tij ishte njeri model: i thjeshtë, i qetë e punëtor i madh.