Ka qenë mënyrë e veçantë me të cilën të martën në Prishtinë është festuar Dita Ndërkombëtare e Muzikës. Kuinteti i Tunxhit i Filharmonisë së Kosovës e ka nisur rrugëtimin me mini-koncert në shkollën “Elena Gjika”, për të vazhduar në Parkun e Qytetit e para Ministrisë së Kulturës.
Në shkollën fillore të mesme të ulët “Elena Gjika” në kryeqytet, pushimi i gjatë qe më ndryshe. Kuinteti në oborrin e kësaj shkolle ka zgjedhur që audienca e tij të jenë nxënësit dhe mësimdhënësit, për të vazhduar pastaj performancën për audienca të lira, që rastësisht kishin fatin të ishin në ato vende kur u bë kjo performancë.
Ka qenë një repertor simpatik, të cilin e ka sjellë ky kuintet i përbërë prej instrumentistësh profesionistë të gjeneratës së parë të tunxhit në Kosovë. Për 15 minuta në secilin vend e ka shëtitur publikun nëpër epoka e stile të ndryshme muzike. E Ka nisur me “Valsin nr.1” të Shostakovichit, për të kaluar te kult-kënga “Yesterday” të John Lenonnit e Paul McCartney. Ka sjellë edhe “Mood Indigo” të Duke Ellington për t’u rikthyer te “The Beatles” me “When I’m 64”, për ta përmbyllur me “Caravan” të Ellingtonit, që ka sjellë tisin e jazzit standard të viteve ’30 të shekullit të kaluar.
{gallery}
Trumpetisti Avni Krasniqi ka thënë se audienca e rastësishme, por jo edhe e zakonshme për të cilën ata performuan u dha atyre një emocion të veçantë. Ka thënë se për ta ishte shumë e rëndësishme që të siguroheshin se muzika e zgjedhur për t’u luajtur të jetë e tillë që do t’i argëtojë dhe do t’u pëlqejë atyre që do t’i dëgjonin.
“Veprat të cilat do të luhen jemi munduar t’i zgjedhim me kujdes për këtë audiencë. Jemi munduar ta zgjedhim një program, i cili është i dashur për publikun e gjerë”, ka thënë Krasniqi për KOHËN.
Aktivitete të ngjashme me këtë që organizoi Filharmonia e Kosovës nuk kanë qenë edhe në vitet paraprake për shkak të problemeve me pandeminë dhe kufizimeve që solli ajo. Kësaj radhe anëtarët e kuintetit janë shprehur të lumtur që kishin mundësi ta festojnë ditën që u dedikohet atyre.
Avni Krasniqi ka pasur edhe një urim në këtë ditë dhe pikërisht për të gjithë që si ata nuk patën mundësi që të bëjnë punën e tyre, muzikën.
“Siç dihet në periudhën e fundit dhe vitet e fundit kemi pasur momente kur e kemi pasur të vështirë të realizojmë koncerte të tilla, dihet për shkak të pandemisë. Në Ukrainë po ndodh lufta dhe qytetarët atje e kanë problem të realizojnë koncerte të tilla. Ne urojmë që në Ditën e Muzikës në vitin e ardhshëm në çdo vend të botës të luhen koncerte të tilla”, ka thënë ai.
Ky ndryshim nga rutina e zakonshme u erdhi mirë nxënësve dhe mësimdhënësve të shkollës “Elena Gjika”.
“Në fakt ka qenë një nismë interesante. Asnjëherë nuk ka ndodhur që në shkollën tonë të vijë Filharmonia dhe të performojë në një mënyrë të tillë. Dihet që muzika është argëtim dhe motivim për nxënësit, kështu që besoj që fëmijët u argëtuan dhe u kënaqen me muzikën e tillë. Muzika ndikon pozitivisht në komunikimin mes nxënësve, andaj besoj që do të ndikojë mirë në lëndët e tjera që do t’i kemi sot”, ka thënë për KOHËN Blerta Hasani, mësimdhënëse e nxënësve të klasës së katërt në këtë shkollë.
Nxënësja e kësaj shkolle, Denisa Sokoli, e cila ka katër vjet që edhe vetë merret me muzikë ka thënë se e marta ka qenë një ditë jo e zakonshme në shkollë.
“U ndjeva shumë mirë dhe kjo më pëlqeu shumë, sepse unë i dua muzikën dhe këndimin. Sot jemi kënaqur shumë dhe për mua ishte dita më e mira. Dua të bëhem këngëtare kur të rritem dhe për të tjerët që duan të bëhen muzikantë dua t’u them që ta ndjekin ëndrrën e tyre”, ka thënë ajo.