Kulturë

“Burrat” nga Portugalia me rutinën e grave që kërkojnë lirinë

Descriptive Text

Ende pa filluar shfaqja publiku mund të dëgjonte zëra që vinin nga aktoret që ushtronin para se të dilnin në skenë.

Shfaqja nisi me disa video të cilat transmetoheshin përmes projektorit në perden e mëndafshtë, ku ende nuk ishte hapur skena teatrore. Më pas, ende pa u ngritur perdja, para pamjeve të projektorit dolën tri aktoret të veshura krejt në të zeza. Nga Portugalia në Kosovë, Leonor Cabral, Carolina Figueiredo dhe Joana Cotrim qenë të pranishme së bashku me regjisorin Pedro Alves, për të luajtur shfaqjen “Burrat”.

Teksa përmes projektorit audienca shihte ca njerëz të cilët kishin ardhur në një varrim, tri aktoret bëheshin bashkë në imazhe. Kështu, publiku arrinte të shihte një përzierje të reales dhe videove të cilat miksoheshin nga loja e aktoreve në teatër dhe atyre në videoincizim.

Përpjekja e gruas për të qenë e lirë nga çdo gjë dhe për ta jetuar jetën ashtu siç do vetë, ishte tema e shfaqjes teatrale “Burrat” e cila erdhi të shtunën në edicionin e sivjetmë të “FemArt” si një pasqyrim paralel i filmit “Husbands” të regjisorit John Cassavetes.

Lidhjen e shfaqjes me këtë film e bëri të ditur edhe vetë regjisori i shfaqjes, Pedro Alves, i cili ka thënë se ideja ishte që të sillnin një version tjetër nga ai i Cassavetes, ku në vend të tre burrave të ishin tri gra.

“Shfaqja bazohet në filmin e John Cassavetes të viteve ‘70 dhe ne kemi vendosur të bëjmë, jo një adaptim, por një version të ri, të treguar nga tri gra. Filmi i Cassavetes tregon historinë e tre burrave të cilët pësojnë krizën e moshës së mesme. Ata vendosin t’i lënë gratë e tyre dhe të bëjnë gjëra të çmendura e të jetojnë ashtu siç ndoshta nuk kanë pasur mundësi të jetojnë deri atëherë”, shpjegonte Alves.

Shfaqja shpërfaq tri vajza në ambient shtëpiak, të cilat kërcejnë, debatojnë e pinë pa pushim. Janë pothuajse 10 minuta ku në skenë dëgjohen vetëm këngë të ndryshme si “I remember” e Molly Drake, “Ain’t got no – I got Life” të Nina Simoes, “American woman” të “The Guess Who” e madje edhe kënga shqipe “Mu aty ke 7 zymbylat”.

Por menjëherë pas këtij vallëzimi, nis debati midis tri vajzave. E gjithë tema sillet rreth lirisë. Lirisë për të bërë çka do, qoftë për të kryer marrëdhënie me cilindo djalë që dëshirojnë e deri te liria e zgjedhjes për të mos u martuar dhe për të mos bërë fëmijë.

Sipas regjisorit Alvez, “këto tri gra mund të jenë tri gratë që burrat e filmit të Cassavetes i lanë pas. Ato vendosin të jetojnë jetën e tyre, të bëjnë çka do që dëshirojnë, dhe me një fjalë të jenë të lira”.

Megjithatë, e tërë kjo shfaqje ka qenë gati të dështonte, sepse, siç ka njoftuar regjisori e më vonë edhe drejtoresha e “FemArt”, Zana Hoxha, materiali skenik i cili ishte nisur të vinte në Kosovë përmes dy kamionëve ishte kthyer në Kroaci.

Sipas Hoxhës, autoritetet kroate nuk e kishin pranuan ftesën e bërë nga “FemArt” i Kosovës, dhe për këtë arsye kamionët ishin detyruar të ktheheshin mbrapa.

“Ne jemi munduar 48 orë që ta gjejmë një kompani në Kroaci, e cila do t’i sillte materialet në Kosovë, por ka qenë shumë e shtrenjtë dhe nuk kemi pasur mundësi ta bëjmë këtë. Kanë qenë 440 elemente që po vinin nga Portugalia përmes dy kamionëve”, është shprehur Hoxha.

anën tjetër, regjisori i shfaqjes Pedro Alvez ka thënë se në të vërtetë performanca origjinale ishte shumë më ndryshe nga ajo që u shfaq në Kosovë, megjithatë, pavarësisht të gjitha pengesave, falë ndihmës së ekipit kosovar, ata ia dolën në krye.

“E gjithë shfaqja u realizua pa as më të voglin gjësend nga origjinali, gjithçka u improvizua këtu. Morëm materiale nga arkivi i Teatrit Kombëtar dhe nga ‘Art Polis’. Ekipi kosovar ishte ai që solli gjithçka dhe ishte pothuajse një mrekulli që mundëm ta realizonim shfaqjen, sepse gjithçka që mund të kishim nga origjinali ishin aktoret dhe teksti i cili gjendet në mendjen e tyre”, ka thënë ai.

Aktorja Leonor Cabral, e cila ka përfunduar studimet teatrore në Universitetin e Lisbonës, u shpreh e gëzuar nga mikpritja kosovare. Meqenëse shfaqja u dha në gjuhën portugeze, Cabral ka thënë se shpresonte që ajo ishte kuptuar nga publiku, pavarësisht pengesave të gjuhës.

“Kam parë disa shfaqje në gjuhë të ndryshme dhe mendoj se gjithmonë është kënaqësi e madhe të dëgjohesh gjuhë të reja dhe shpresoj që edhe audienca këtu pati kënaqësinë të dëgjonte një shfaqje në portugalisht, dhe atë çka ata s’mund ta kuptonin përmes gjuhës, shpresoj ta kenë kuptuar përmes emocioneve, gjuhës së trupit, ritmit dhe aktrimit”, ka thënë ajo.

Aktorja tjetër, Carolina Figueiredo, u shpreh shumë falënderuese për ndihmën e dhënë nga ekipi kosovar.

“Në u ndiem shumë të mirëseardhur. Do të ishte e pamundur ta realizonim shfaqjen nëse nuk do të ishte i gjithë ekipi, i cili na ndihmoi shumë. Është kënaqësi të jemi këtu, ka qenë shumë emocionuese për ne e edhe audienca ishte shumë e mirë”, ka thënë ajo derisa ishte ende në emocionet e skenës.

Figueiredo ka diplomuar për teatër në Universitetin e Evoras. Punon si aktore rezidente në Teatromosca dhe është bashkëdrejtoreshë e teatrit të ri “Efemero”.

“Ishte me të vërtetë shumë kënaqësi dhe ishim shumë të nderuar, por gjithsesi ishte edhe e vështirë, sepse kur aktrojmë zakonisht marrim reagime të menjëhershme nga audienca, ndërsa këtu ishte komplet ndryshe në aspektin se s’i reagonte publiku”, ka thënë portugezja Joana Cotrim.

Cotrim ka diplomuar në regji dhe është autore e disa produksioneve, si: “My beauty TV project”, “Prelude to Helena”, “Ticket to Heaven” e të tjera.