Kulturë

Britania kërkon që Ukrainës t’i jepet mundësia ta organizojë “Eurovisionin 2023”

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, ka thënë se Ukrainës duhet t’i jepet mundësia që ta organizojë “Eurovisionin” e vitit 2023.

Duke folur para gazetarëve pas kthimit nga Kiev, ku ka qëndruar për vizitë të premten, Johnsoni ka thënë se rrugët atje janë gjallëruar dhe se ukrainasit janë “të sigurtë”, raportoi BBC të shtunën.

Si fituese e “Eurovisionit” të këtij viti në muajin maj, Ukraina është ajo që do të duhej ta organizonte garën vitin e ardhshëm, mirëpo organizatorët kanë bërë të ditur të premten se një gjë e tillë do të ishte e pasigurtë.

Organizatorët kanë kërkuar nga Britania e Madhe që të bëhet nikoqire e “Eurovisionit” të vitit 2023, e cila ka zënë vendin e dytë në garën e sivjetme.

Grupi rep-folk ukrainas “Kalush Orchestra”, të cilit iu dha leja speciale për t'u larguar nga vendi për të konkurruar, u ngjit në vendin e parë me 631 pikë, si një shfaqje simbolike e mbështetjes publike pas pushtimit të Rusisë.

Pavarësisht se fitoi votën e jurisë në ngjarjen në Torino të Italisë, Sam Ryder i cili përfaqësoi Britaninë, doli i dyti - rezultati më i mirë i vendit që nga viti 1998.

"Ukrainasit e fituan atë në mënyrë korrekte, edhe pse ne patëm një hyrje të shkëlqyer, dhe atyre duhet t'u jepet shansi për të qenë nikoqir", ka deklaruar Johnson.

Ukraina ka thënë tashmë se nuk është e kënaqur me vendimin dhe thotë se beson se do të jetë në gjendje të garantojë sigurinë për ngjarjen, pavarësisht kërcënimit të pushtimit të vazhdueshëm rus.

Ministri ukrainas i Kulturës, Oleksandr Tkachenko, ka thënë se do të kërkojnë ndryshimin e vendimit.