Kulturë

Shqiptarët “e panjohur” më 1912, Kosova mobilizuese e përçarëse e viteve ‘40

“Pozita gjeografike, politike dhe popullsia shqiptare në dokumentet diplomatike të Ministrisë së Jashtme të Britanisë së Madhe 1912-1918” i Frashër Demajt, si dhe “Shqiptarët gjatë vitit 1943 sipas dokumenteve ushtarake gjermane” dhe “Shqiptarët në përfundim të Luftës së Dytë Botërore (1944) sipas burimeve gjermane”, të autorëve Jusuf Bajraktari, Frashër Demaj dhe Teki Kurti, janë librat që janë promovuar në ASHAK si botime të këtij institucioni. Me të parin, ndër të tjera demantohet ideja se Fuqitë e Mëdha nuk e kanë njohur problemin shqiptar, e nëpërmjet dokumenteve gjermane, Kosova e viteve ‘40 del në dy ekstreme: në njërin si shkaktare kryesore për mobilizimin e popullsisë, ndërsa në tjetrin si faktor për ndarjen dhe përçarjen e shqiptarëve

 

Tre libra shkencorë mëtojnë të hedhin dritë në historinë e popullit shqiptar, si shuarje e paragjykimit për qëndrimet e Fuqive të Mëdha ndaj Shqipërisë, këndvështrimin e Britanisë së Madhe ndaj shqiptarëve këtu e 110 vjet më parë dhe ai i Gjermanisë, para tetë dekadash, në kohë ngjarjesh e kthesash të mëdha, gjatë dhe në përfundim të Luftës së Dytë Botërore.

Madje, dokumentet gjermane e nxjerrin Kosovën, në dy ekstreme në vitet ’40 të shekullit të kaluar: në njërin si shkaktare kryesore për mobilizimin e popullsisë, ndërsa në tjetrin si faktor për ndarjen dhe përçarjen e shqiptarëve, gjë që vlerësohet se e ka dëmtuar procesin e Luftës Antifashiste, pasi ka lënë mënjanë çështjen kombëtare.

Autorët Frashër Demaj, Jusuf Bajraktari dhe Teki Kurti kanë sjellë studimet e tyre si pasqyrim i fakteve mbi qëndrimet zyrtare të këtyre shteteve në aspekte të ndryshme si për nga pozicioni gjeografik e gjeostrategjik, politik, social e religjioz. Burimet bazohen në dokumente arkivore të shteteve përkatëse.

Dyert e objektit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës janë hapur me tre tituj të rinj në listën e botimeve të këtij institucioni, paraditen e së premtes. Këta libra reflektojnë në rezultatet e hulumtimeve të vazhdueshme shkencore në dokumentet arkivore të institucioneve protagoniste në këta libra.

“Pozita gjeografike, politike dhe popullsia shqiptare në dokumentet diplomatike të Ministrisë së Jashtme të Britanisë së Madhe 1912-1918”, me autor historianin Frashër Demaj, si dhe “Shqiptarët gjatë vitit 1943 sipas dokumenteve ushtarake gjermane” dhe “Shqiptarët në përfundim të Luftës së Dytë Botërore (1944) sipas burimeve gjermane”, të autorëve Jusuf Bajraktari, Frashër Demaj dhe Teki Kurti, janë librat që janë promovuar në ASHAK-ut si botime të këtij institucioni.

Libri i Frashër Demajt, anëtar korrespodent i ASHAK-ut, është rezultat i hulumtimeve shkencore në dokumentet arkivore të Britanisë së Madhe, në të cilat Shqipëria paraqitet në disa dimensione, si për nga pozicioni gjeografik dhe gjeostrategjik, ai politik, social, demografik, religjioz, ekonomik, diplomatik dhe aspekte të tjera të shoqërisë shqiptare mes viteve 1912-1918, si periudhë e rëndësishme për shtetin shqiptar.

Akademik Jusuf Bajraktari e ka vlerësuar Demajn si studiues serioz të brezit të ri të historisë së lëvizjes kombëtare shqiptare, ndërsa si recensent i librit monografik “Pozita gjeografike, politike dhe popullsia shqiptare në dokumentet diplomatike të Ministrisë së Jashtme të Britanisë së Madhe 1912-1918” e ka konsideruar atë si kontribut me rëndësi në vazhdën e hulumtimeve të tij shkencore, në të cilin ka përdorur dokumente arkivore të qeverive evropiane me ndikim në Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore.

“Ai në këtë studim, për të qenë sa më hulumtues dhe për të krahasuar fakte, ka shfrytëzuar dokumente arkivore austro-hungareze, gjermane, italiane, osmane, franceze, ruse, serbe dhe malazeze, mirëpo baza e këtij botimi janë faktet arkivore të hulumtuara nga arkivi nacional në Londër në vitin 2017”, ka thënë Jusuf Bajraktari, derisa është ndalur edhe te temat konkrete që ka trajtuar Demaj në librin e ndarë në pesë kapituj. Ndër të tjera, libri ndalet te Konferenca e Ambasadorëve në Londër, pozita e shqiptarëve në Luftën e Parë Botërore, pozicionet e kufijve, shtrirja etnike, sipërfaqja, bregdeti, sistemet ujore, klima, popullsinë shqiptare mes dy regjioneve gegë e toskë, pozita e gruas dhe ngjarje e faktorë të tjerë gjatë viteve 1912-1918.

“Demaj paraqet edhe dorëheqjen e Qeverisë së Ismail Qemalit, ardhjen në pushtet të Princ Vidit, traktatin e fshehtë të Londrës dhe e përmbyll me qëndrimet e Britanisë dhe disa fuqive të tjera në këtë periudhë”, ka thënë Bajraktari. Ndërsa vetë autori, librin e cilëson si kontribut të tij modest në nevojën e madhe që ka historigrafia për trajtimin e ngjarjeve dhe aspekteve në periudha të ndryshme nga perspektiva ndërkombëtare.

“Ideja që lindi për ta shkruar ishte që nga koha kur isha në studime, në Arkivin Nacional të Londrës gjeta shumë dokumente për këtë periudhë historike, por ishte një fakt tjetër që më nxiti më shumë. Ishte një departament në kuadër të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe që kishte ndërtuar një komision që kishte marrë përsipër përgjegjësinë që të orientonte edhe Qeverinë britanike, por edhe Ministrinë e Punëve të Jashtme me informacione të rëndësishme, me këtë rast të shqiptarëve”, ka thënë Demaj. Ndër të tjera, ai në këtë libër demanton idenë se Fuqitë e Mëdha nuk e kanë njohur problemin shqiptar, teksa ka thënë se “...e kanë njohur sepse ky komision ka marrë informacione përmes konsullatave e ambasadave të akredituara”. Në bazë të gjetjeve të tij, Fuqitë e Mëdha e kanë vlerësuar të rëndësishme periudhën e kohës së Lidhjes së Prizrenit, si pjesë e zgjimit kombëtar për të ndërtuar shtetin e pavarur, ndërsa tema tjetër që ka prekur është edhe ajo fetare pasi, siç ka thënë autori, ata që pretendonin të kishin toka shqiptare, popullatën e besimit islam e quanin “osmanë”, atyre të besimit ortodoks u referoheshin si “grekë” e “sllavë”, e të besimit katolikë si “latinë”.

Në librin “Shqiptarët gjatë vitit 1943 sipas dokumenteve ushtarake gjermane”, autorët Jusuf Bajraktari, Frashër Demaj e Teki Kurti, sjellin burime të rëndësishme dokumentare, për ta njohur të vërtetën mbi organizimin, veprimtarinë dhe qëndrimin e formacioneve luftarake të këmbimeve politike nacionaliste shqiptare, siç ishte Balli Kombëtar. Libri paraqet bashkëpunimin e organizatave nacionaliste të cilat kanë bashkëpunuar me gjermanët në veprime ushtarake me idenë për formimin e shtetit kombëtar.

Recensenti i këtij librit, akademik Arsim Bajrami, ka përmendur se një numër i konsiderueshëm i dokumenteve u kushtohet konflikteve të armatosura të trupave gjermane me ato italiane në divizione të ndryshme.

“Brenda botimit janë dhjetë dosje dokumentarë të vitit 1943, ku në to janë sistemuar dokumente, ndër të tjera, me urdhëresa, njoftime, kërkesa të armatës italiane, lëvizjet e forcave nacionaliste, sigurimi i rrugëve për furnizime me ushqim, lëvizjet e çetave partizane, numri i të plagosurve e të tjera”, ka thënë akademik Bajrami. Libri është i ndarë në shtatë kapituj, si punë kërkimore shkencore disavjeçare e tre autorëve.

Temë të njëjtë e burime të njëjta me këtë libër, por zhvillimet e një viti më pas trajtojnë Bajraktari, Demaj dhe Kurti te “Shqiptarët në përfundim të Luftës së Dytë Botërore (1944) sipas burimeve gjermane”, që është finalizuar në bashkëpunim edhe me Institutin e Historisë në Tiranë. Trajton luftën e trupave gjermane, aleatëve të tyre përballë lëvizjes antifashiste nacionalçlirimtare dhe aleatëve në Shqipëri e në trojet shqiptare në përfundim të Luftës së Dytë Botërore. Brenda librit janë përfshirë shtatë dosje të vitit 1944, të cilat, ndër të tjera, kanë të bëjnë edhe me mbrojtjen e Shqipërisë.

“Në to bëhet fjalë për urdhra, raporte ditore, telegrame të komandave ushtarake mbi mbrojtjen e Shqipërisë dhe Malit të Zi, raporte mbi gjendjen e armikut në Shqipërinë e Veriut, të Mesme dhe të Jugut”, ka thënë recensenti i librit, Fehmi Rexhepi. Ndërsa bashkautori i librit, Jusuf Bajraktari, ka theksuar se nga këto dokumente, Kosova vendoset mbi dy faktorë: për mobilizimin e popullatës dhe përçarjen mes tyre, e cila ka ndikuar në lënien anash të çështjes kombëtare.

“Dokumentet paraqesin realitetin e proceseve të ndryshme. Nga këto dokumente gjermane vërtetohet se Kosova ka qenë një nga faktorët kryesorë për mobilizim, por edhe për ndarjen e faktorit shqiptar që e ka dëmtuar procesin e luftës antifashiste. Përçarja mes shqiptarëve nga koncepte të gabueshme duke e lënë në një anë çështjen kombëtare, që vazhdon edhe sot, na ka dëmtuar si në luftë ashtu edhe në mendim politik”, ka thënë Bajraktari, derisa ka folur në emër të autorëve të librit. Ai e konsideron të rëndësishëm bashkëpunimin midis institucioneve të Kosovës dhe Shqipërisë në fushat e ndryshme të studimeve shkencore, në veçanti në lëmin e historisë, teksa ka falënderuar Institutin e Historisë në Tiranë për bashkëpunim.

Tre librat të cilët bëjnë pjesë në veprimtarinë botuese të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, janë vlerësuar të rëndësishëm për studiuesit në fushën e historisë, por edhe si botime të dokumenteve të shteteve të cilat kanë bartur barrën më të madhe në procese të rëndësishme, si luftarake, por edhe në aspekte të tjera.