Kulturë

Artizanati i njohur i filigranit në Kosovë, në librin e autores angleze Elizabeth

Shkrimtarja e njohur angleze Elizabeth Gowing prezantoi mbrëmjen e djeshme në Ambasadën e Kosovës në Londër librin e saj “The Silver Thread, a journey through Balkan craftsmanship” (Fija e argjendtë, një rrugëtim në zejtarinë ballkanike).

Në mjediset e ambasadës, ku ishin të pranishëm artistë e dashamirës të librit, autorja ndau përvojën e saj në kërkim të gjurmëve të filigranistëve shqiptarë dhe ballkanas, transmeton atsh.

Ambasadori i Kosovës në Londër, Lirim Greiçevci, në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se “libri i kushtohet artizanatit të njohur të filigranit në Kosovë, sidomos në qytetin e bukur të Prizrenit, përmes një rrëfimi personal të Elizabeth gjatë qëndrimit të saj në Kosovë”.“Elizabeth shkruan me shumë dashuri për këtë mjeshtëri të rrallë, duke ia ofruar lexuesve britanikë, por edhe atyre ndërkombëtarë, një thesar të vërtetë për historikun e filigranit, por edhe për stolitë e veçanta të shumë kërkuara në botë. Ajo, përmes librit, na bën edhe një shërbim tjetër si popull dhe si vend, duke e promovuar filigranin e Kosovës, për çka i jemi mirënjohës pafundësisht”, thekson Greiçevci.

Ambasadori shprehet se “përveç se është tashmë një autore e mirënjohur, Elizabeth është edhe një humaniste e vërtetë, duke ndihmuar komunitetet më në nevojë në Kosovë, përmes organizatës Theideaspartner Ship (TIP). Për humanizmin e saj në Kosovë, Elizabeth është dekoruar nga presidentja e Kosovës dhe kryeministrja Britanike”.

{gallery}