Kulturë

Librashitësit e shtëpitë botuese në garë për tetë kioska në kryeqytet

Prishtinë, 20 korrik - Dëshmi se kanë shitur libra në sheshet e kryeqytetit së paku në tre vjetët e fundit, është ndër kriteret bazë për shitësit individualë që synojnë të zënë vend në “Këndeve të librave”. Të tjera kritere janë ato për shtëpitë botuese. Kryerja e obligimeve tatimore, arka fiskale e numri i titujve të botuar në tre vjetët e fundit janë disa prej tyre. Shitësit individualë do të kenë përparësi ndaj shtëpive botuese, shkruan sot Koha Ditore.

Gati tre muaj pas vendosjes së kioskave në kryeqytet, Komuna e Prishtinës tek të mërkurën e ka bërë publike thirrjen për aplikim. Konkursi për sistemimin e librarëve, që ishte paralajmëruar qysh më 24 prill, përcakton kriteret dhe mënyrën se si do të bëhet ndarja e tetë kioskave të shpërndara në dy sheshet e Prishtinës. Aty është cekur edhe tarifa për shfrytëzimin e hapësirave, që do të jetë prej 10 euro në muaj për metër katrorë për periudhën e shfrytëzimit të shtëpizës në hapësirë publike, dhe se shfrytëzuesit do të lejohen të punojnë çdo ditë, nga e hëna deri në të dielën, duke filluar nga ora 09:00 deri në 20:00.

Çmimi i kioskave aktuale të “Këndit të librave” për të cilat tashmë është bërë thirrja publike, ishte përllogaritur të jetë 5 mijë e 700 euro (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.