Kulturë

“Nga Revolucioni në Evolucion” 10 vjet me FemArt Festival

FemArt
 

Festivali i parë feminist në Kosovë e më i madhi në rajon, FemArt sjell edicionin e 10-të për dhjetë ditë me radhë, 14-23 qershor, 2022, i cili vjen për të shpërfaqur aftësinë e grave dhe burrave artiste/ë dhe aktiviste/ë, për t’u përmbushur, inspiruar e për të gjetur paqen. Nën moton “Nga Revolucioni në Evolucion” gra e burra, të reja e të rinj, artiste dhe artistë, aktiviste dhe aktivistë mblidhen për të vazhduar evolucionin feminist, për të inspiruar dhe sjellë ndryshimin. FemArt feston një dekadë të njohjes dhe nderimit të guximit të grave artiste dhe aktiviste, fuqisë kreative, dhe angazhimit të tyre për barazi e drejtësi.

Edicionin e dhjetë e hap shfaqja premierë “Kosova: Toka e Shpirtrave të Trazuar” me autore Shqipe Malushin, dhe regji të Zana Hoxhës. Kjo shfaqje është një dëshmi e përjetimeve të shumë grave që vjen si thirrje për të kujtuar dhe pranuar të kaluarën, ndryshuar të tashmen, dhe ndërtuar të ardhmen. Poezitë në lëvizje të Shqipe Malushit dramatizohen, inskenohen e jetësohen nga Trupa Artistike e Artpolis më 14 qershor, 2022, nga ora 20:00 në Teatrin Kombëtar të Kosovës.