Kulturë

Katër zyrtarë administrativë e një korepetitor, punonjësit e parë të Operës

Opera punetore

Në fillim të gushtit bëhet një vit prejse Kuvendi themeloi Operën e Kosovës. Por ky institucion, që vazhdon të jetë veç në letër, ende nuk ka staf të rregullt. Ministria e Kulturës të hënën ka hapur konkurs për dy juristë, dy zyrtarë financiarë e një korepetitor për Operën e Kosovës. Për sivjet, sipas Ligjit për Buxhet, kjo do të jetë pesëshja e vetme që do të punësohet në këtë institucion.

Në nëntor të vitit të kaluar MKRS-ja kishte organizuar atë që quhej “Koncerti inaugurues i Operës”, por realisht institucioni nuk ka ende staf profesional. Sipas MKRS-së, Opera do të funksionojë në ambientet e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë. Sa i përket korepetitorit, sipas konkursit, i përzgjedhuri në këtë pozitë do të shoqërojë ansamblet e do t’i ndihmojë ato në aspektin profesional.

Pos stafit profesional që nuk e ka, Opera e Kosovës ende nuk dihet se kur do të bëhet me ndërtesë.

Në ditën e 28 të prillit shumica e këshilltarëve të Kuvendit të Komunës së Prishtinës kanë votuar pro ndarjes së një pjese të hapësirës prapa Pallatit të Rinisë dhe Sporteve si lokacion për teatrin e operës dhe baletit. Me këtë i kanë hapur rrugë rinisjes së procesit krejt të ri për investimin më të madh kapital që shteti synon në infrastrukturën kulturore. Duhet bërë studim fizibiliteti, detyrë projektuese, konkurs për projekt ideor, më pas atë detaj për të ardhur deri te nisja e punimeve. Në emër të atij që ndër vite quhej teatri i operës dhe baletit “Dr. Ibrahim Rugova” kanë shkuar huq mbi 1 milion euro dhe është shembulli i dështimit tash e gati 13 vjet. Të enjten janë lënë prapa themelet te Fakulteti Teknik e krejt ato që lidheshin me këtë projekt.

Komuna ka vepruar kësisoj pas kërkesës nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit që t’i ndahet një hapësirë për ndërtimin e teatrit të operës dhe baletit. Të hënën ministri i Kulturës ka paralajmëruar konkurs ndërkombëtar për dizajnim.

“Ne si MKRS jemi në fazën e fundit të publikimit të konkursit ndërkombëtar për dizajnimin e teatrit të operës dhe baletit”, kishte thënë ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, në ditën e 16-të të këtij muaji.

I pari projekt i hartuar afro 16 vjet më parë ishte nënshkruar nga arkitekti gjerman Kai Auffermann. Në dhjetor të vitit 2009, aty do të mblidhej krejt paria e shtetit. Mes të tjerash, edhe me një program artistik ishte vënë guri themeltar i teatrit të operës dhe baletit “Dr. Ibrahim Rugova”. Pas krejt pak punimeve, puna ishte ndërprerë për të mos filluar kurrë më.

Projekti ishte shpallur i pavlefshëm në korrik të vitit 2012, kur Ministria e Kulturës udhëhiqej nga Memli Krasniqi.

Nga ajo kohë e deri më sot nuk është bërë kurrfarë shpjegimi se si kanë shkuar 1 milion e 12 mijë euro, kosto që përfshinte hartimin e projektit dhe nisjen e fazës së parë të punimeve. Me arsyetimin se paraqiste rrezik për qytetarët, në vjeshtën e vitit 2018 autoritetet komunale e patën mbyllur gropën e themeleve, e prej vitit të kaluar edhe MKRS-ja kishte hequr dorë nga lokacioni. Ajo hapësirë do të jetë kampus i ri universitar për Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.