Kulturë

“GRANFesti” me artistë nga të katër anët e botës për identitetet e përziera

Festivalit ndërkombëtar të romanit grafik “GRANFest” nuk i është dashur shumë kohë që të krijojë identitetin e vet e të shquhet si ngjarje unike, jo vetëm në Kosovë, por sivjet do të merret me identitetet e përziera e do të hedhë këndvështrimin te diaspora. Janë artistë nga të katër anët e botës që do të vijnë në Prishtinë, në ngjarjen treditore.

“Identitetet e përziera” është tema e edicionit të sivjetmë, i cili do të hapet sot (e premte). Mysafirë e pjesëmarrës janë emra të shquar të artit të nëntë për të cilin “GRANFesti” edhe në Kosovë ka hapur kapitull të ri. Pos ekspozitave, punëtorive, debateve, paneleve, një pjesë me peshë janë edhe botimet në shqip të romaneve grafike që i sjell kjo ngjarje.

Punëtoria e artistes Duchy Man Valderá, e titulluar “Between Posters and Graphics Novel”, në Kolegjin AAB, i paraprin ceremonisë së hapjes zyrtare, e cila do të mbahet në bibliotekën kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”. Ekspozita me veprat e mysafirëve, sikurse edhe prezantimi i botimeve, janë pjesë e ditës së parë.

Që nga fillimi i tij, Festivali Ndërkombëtar i Romanit Grafik ka sjellë në Kosovë artistë të njohur të këtij zhanri, por edhe të tillë të cilët kanë qenë në fillesat e tyre artistike. Madje disa prej tyre, si Marcelo Quintanilha, i cili ishte pjesë e këtij festivali më 2019, ka arritur të marrë çmimin prestigjioz “Le fauve d’Or”, në Francë.

Një prej synimeve kryesore të “GRANFestit” mbetet njoftimi i publiku kosovar me rrjedhat e romanit grafik dhe të arriturat e tij. Por, përveç kësaj, edhe t’i nxisë kosovarët që të krijojnë vetë romanet e tyre grafike. Këtë e dëshmon edhe me programin e këtij viti, pasi punëtoritë i organizon edhe në shkollën fillore “Model” e në atë të mesmen “Sami Frashëri” në Prishtinë, sikurse edhe në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës.

“Qëllimi fillestar i festivalit është familjarizimi i publikut kosovar me rrjedhat e romanit grafik bashkëkohor dhe njëkohësisht me të arriturat e deritanishme. Por qëllimi final është t’i nxisë artistët e vendin me e kapë lapsin, brushën, makinën e shkrimit, për të krijuar ne vetë narrativën tonë e jo të presim që të na prezantojnë të tjerët, sipas tekeve të tyre”, ka thënë për KOHË-n, Gani Jakupi, drejtor artistik i festivalit.

Për temën “Mixed identitites”, Jakupi, emër i shquar në Francë e Spanjë, jo vetëm në artin e romanit grafik, por edhe në atë muzikor, ka thënë se synohet prezantimi i diasporës dhe paraqitja e saj si një burim i pasur vlerash kulturore.

“Përmes ‘Mixed identitites’ dëshirojmë të prezantojmë diasporën nga një anë tjetër, nga ajo e zakonshmja: jo si burim valutash, siç shihen te ne dhe as si ‘fukarallëk’, siç paragjykohet ngandonjëherë në Perëndim. Kosovarët shpesh i frikësohen tjetërsimit të gjeneratave që lindin apo rriten në diasporë. Por ato munden me qenë pasurim kulturor, burim i ndryshimit të mënyrës se si të huajt e shohin kombin tonë”, ka thënë Jakupi të enjten, një ditë para hapjes së edicionit të tretë të “GRANFestit”.

Përpos ekspozitave dhe pesë punëtorive që do të organizohen anembanë Prishtinës, një pjesë e madhe e autorëve do të marrin pjesë edhe në konferenca e debate “ku do të flasin për veçantitë e veprave të tyre nën titullin: ‘diaspora hebraike’”.

Me këtë temë do të paraqiten autorë të shumtë, si: Didier Pasaonik nga Franca, Duchy Man Valderá nga Kuba, Li-chin Lin nga Tajvani, Mana Neyestani nga Irani e të tjerë.

“GRANFest” do të promovojë veprën e dy gjenive të romanit grafik kuban: Duchy Man Valderá dhe Alexander Izquierdo Plasencia, “Rosa de La Habana” (Trëndafili i Havanës), i cili vjen në shqip, i përkthyer nga Gazmend Bërlajolli, pas botimeve që pati në spanjisht dhe frëngjisht. Corto Maltese i Hugo Prattit, personazhi historik në botën e romanit grafik, për herë të parë do të flasë në shqip, me serinë “Dita e Toroweanit”. Një tjetër titull që sjell “GRANFest” është edhe “Një takim me vetveten”, nga Fumio Abata.

Duchy Man Valderá, e lindur më 1978, është një artiste vizuale me përvojë të gjerë në fushën e ilustrimit të librave për fëmijë dhe pikturës. Duchy, e cila po ashtu ka një përvojë në shkrimin e letërsisë artistike, ka studiuar dizajn kostumesh në Madrid, Spanjë. E diplomuar në Qendrën e Edukimit Letrar, Onelio Jorge Cardoso, në Kubë, Valderá ajo ka marrë pjesë në disa ekspozita.

Alexander Izquierdo Plasencia, lindur në Havana në vitin 1978, ka një përvojë të madhe në fushën e ilustrimit të librave për fëmijët, si dhe pikturës. Plasencia ka diplomuar në Akademia e Arteve të Bukura të San Alejandro të Havanas. Ka punuar edhe në studiot e animacionit të televizionit kuban. Vepra e saj, është edhe posteri i edicionit të sivjetmë të “GRANFestit”.

Festivali Ndërkombëtar i Romanit Grafik e nisi rrugëtimin e tij për herë të parë më 2019. Nisi me idenë për të ringjallur artin e komikeve, por njëherësh duke refuzuar idenë e krijuar nga të rinjtë se librat komikë janë përshtatje e kinematografisë me superheronj apo të tilla si mangat japoneze.

Duke dashur t’i shmangej një gjëje të tillë, “GRANFest” vendosi të përdorte emërtimin “roman grafik”, duke refuzuar fjalën komik si anglicizëm ose termin libër vizatimor, që zakonisht lidhet me fëmijët.

Sikurse shumica e organizimeve, “GRANFest” nuk arriti të mbahej në 2020-n por u rikthye në tetorin e vitit 2021, me temën “Gratë dhe romani grafik”, kur krahas ngjarjeve të tjera, u përuruan edhe botimet në shqip të romaneve grafike, “Anmiku n’gji” i Lili Sohn dhe “M’u desh me ta thane” i Aude Mermilliod.