Kulturë

Cannes i rikthehet shkëlqimi me fuqinë e kinemasë si thirrje për paqe

Descriptive Text

Është pushtuar nga bota e filmit, dhe siç shihet nëpër imazhe e raportime direkte, Festivali i Filmit në Cannes, vjen më shkëlqim në kohë lufte. Hapja, të martën mbrëma është bërë edhe me fjalimin e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, i cili ka potencuar fuqinë e kinemasë në luftë për liri. Kosova sivjet ka përfaqësim të trefishtë: pos shtandit në Tregun e filmit “DokuFesti” ka një kapitull të veçantë, e Alban Ukaj është zëri tjetër shqiptar në këtë edicion. Luan në filmin “Tori dhe Lokita” të vëllezërve Dardenne, që garon për “Palmën e Artë”

Festivali më i madh i filmit në botë, ai i Cannes, përgatitjet për sivjet i kishte nisur me idenë se do të festohej jubileu i 75-vjetorit. Por festa me glamur qysh prej hapjes së festivalit në rivierën franceze, ka nisur edhe me thirrje kundër luftërave e me mesazhe të drejtpërdrejta për ndaljen e invazionit rus në Ukrainë.

Bile, para se të ndizej projektori për filmin që ka hapur edicionin e 75-të të Festivalit të Cannes, ai është ndezur për të dëgjuar fjalimin e udhëheqësit të popullit ukrainas, njëherësh prijësit të luftës kundër pushtimit rus, presidentit Volodymyr Zelenskyy. Ceremonia është transmetuar direkt në kanalin zyrtar të Festivalit.

Në ngjarjen nga e cila ka kthyer sytë e gjithë bota e filmit, siç ndodh rëndom viteve të fundit merr pjesë edhe një shtet që para dy dekadash po përballej me luftë pushtuese. Kosova është duke u prezantuar në një shtand me Shqipërinë. Në atë që njihet si festivali i festivaleve, për herë të dytë do të jetë edhe aktori Alban Ukaj si pjesë e ekipit të filmit “Tori and Lokita”, që mban vulën e vëllezërve Dardenne, emra të shquar në këtë festival.

Presidenti Zelenskyy: Bashkohuni në luftë për liri

Qysh në fillim të marsit, pak ditë pasi nisi invazioni rus në Ukrainë, Festivali ka bërë të ditur se nuk do të mirëpresë delegacionet ruse në shenjë proteste e kundërshtimi për agresionin ndaj Ukrainës. Madje, nuk janë akredituar as gazetarët rusë. Por solidarizimi e mbështetja për Ukrainën nuk ka mbetur me kaq.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, është paraqitur nëpërmjet një lidhjeje të drejtpërdrejtë para se të niste shfaqja e filmit “Final cut” i francezit Michel Hazanavicius, projekt ky me të cilin është hapur edicioni i sivjetmë.

Me paraqitjen e tij të zakonshme sa i përket veshjes duke simbolizuar ngjyrat e ushtrisë, Zelenskyy nga zyra e tij në Kiev ka folur qartë se si industria e filmit gjithnjë ka informuar drejt e ka dhënë mesazhe me peshë.

“Është e domosdoshme që kinemaja të mos qëndrojë e qetë”, ka thënë ai derisa ka folur për botën e filmit ai ka marrë disa shembuj. Midis tyre, filmin e Charlie Chaplin “The great Dictator” që ishte një satirë kundër diktatorit gjerman, Adolf Hitler më 1940. Bota edhe sot vuan pasojat e asaj që ka bërë Hitleri në pesë vjetët pasues.

“Diktatorët më brutalë të shekullit XX e kanë dashur kinemanë”, ka thënë Zelenskyy.

Disa herë ka pyetur se a mund të qëndrojë kinemaja e qetë në raste të tilla kur një popull përballet me pushtim.

“Nëse ka një diktator, nëse ka një luftë për liri, gjithçka varet nga bashkimi. A mund të qëndrojë kinemaja jashtë këtij bashkimi?”, ka thënë presidenti Zelenskyy. Ai u ka bërë thirrje gjeneratave të reja të filmbërësve që t’u kundërvihen diktatorëve siç Charlie Chaplini bëri me filmin “The Great Dictator”.

“Neve na duhet një Chaplin i ri që sot të vërtetojmë se kinemaja nuk është e pa zë. A mund të qëndrojë e qetë kinemaja apo do të flasë?”, ka përsëritur ai.

Image
Para se të ndizej projektori për filmin që ka hapur edicionin e 75-të të Festivalit të Cannes, ai është ndezur për të dëgjuar fjalimin e udhëheqësit të popullit ukrainas, njëherësh prijësit të luftës kundër pushtimit rus, presidentit Volodymyr Zelenskyy

Dedikim për Ukrainën

Përderisa presidenti ukrainas vazhdimisht ka folur për sulmin rus kundër shtetit që ai udhëheq, Festivali është hapur me një komedi që flet për sulm kundër njerëzimit.

“Final cut”, siç përshkruhet, shtjellon rrëfimin e një ekipi filmik që me buxhet të vogël po xhironin një film për zombit dhe ata sulmohen nga zombit e vërtetë. Ceremonisë hapëse të Festivalit që nisi të martën e do të zgjasë deri më 28 maj i ka paraprirë ecja e yjeve të filmit nëpër tapetin e kuq.

Në ditën e hapjes së Festivalit, emrat e njohur të botës së filmit kanë folur për këtë industri.

“Thjesht jam i stërkënaqur”, ka thënë presidenti i jurisë së Festivalit, Vincent Lindon në një konferencë për media derisa ishte nën shoqërim të anëtarëve të tjerë të jurisë si: Rebecca Hall, Noomi Rapace, Deepika Padukone, Jeff Nichols dhe Asghar Farhadi. Festivali u është kthyer organizimeve tradicionale pas dy viteve të pandemisë. Sivjet, Ukraina është një temë më vete në raport me Festivalin.

Do të jepet filmi “Mariupolis 2” nga regjisori lituan, Mantas Kvedaravicius, 45-vjeçar, i cili u vra në Mariupol, qyteti ukrainas i bombarduar rëndë nga forcat ruse, gati një muaj më parë ndërsa po punonte për filmin. Atë do ta prezantojë e fejuara e tij, Hanna Bilobrova, e cila e përfundoi projektin. Një tjetër projekt ukrainas është ai nga Maksim Nakonechnyi, “Butterfly Vision” me historinë e një gruaje të re ukrainase që kthehet në vendin e saj pasi u kap dhe u lirua në një shkëmbim të burgosurish.

“Ne do të mendojmë shumë për filmin, por nuk do të ndalemi kurrë së menduari për atë që po ndodh edhe në Ukrainë”, ka thënë drejtori i Festivalit, Thierry Fremaux, në një konferencë për media, i cili u përball me shumë pyetje rreth pozicionit të Festivalit ndaj luftës.

Përfaqësimi i trefishtë i Kosovës

Kosova si vend i dalë nga lufta para dy dekadash sivjet po ashtu do të jetë në Cannes. Siç është bërë traditë, Qendra Kinematografike e Kosovës prezantohet në festival në një shtand të përbashkët me Qendrën Kombëtare të Kinematografisë që përfaqëson Shqipërinë. Shtandi gjendet në “Village International Riviera” në pavijonin numër 134. Për dallim nga herët e kaluara sivjet QKK-ja nuk ka lëshuar kurrfarë lajmërimi për pjesëmarrje e zyrtarët e këtij institucioni nuk kanë qenë të qasshëm as për pyetje. Ajo që dihet është marrëveshja që Kosova do ta nënshkruajë për bashkëprodhim filmash me Francën të shtunën e kësaj jave. Është një marrëveshje të cilën ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku ka kohë që e proklamon. Kjo marrëveshje ka nisur së negociuari nga ish-drejtori i QKK-së Arben Zharku qysh në edicionin e kaluar të Festivalit.

Sivjet “DokuFesti” si festival ndërkombëtar i filmit dokumentar dhe të shkurtër nga Kosova do të jetë partner i Festivalit të Cannes. Si pjesë e “Cannes Docs”, “DokuFest” do të jetë në “Tregun e filmit” që është edhe tregu më i madh në botë i fushës së kinematografisë.

Midis partnerëve të Festivalit të Cannes, sivjet janë edhe ngjarje me traditë e nam në botë si “CPH:DOX”, “DMZ Docs”, “DOK Leipzig”, “É Tudo Verdade/It’s All True”, “Movies that Matter”, “RIDM”, “Visions du Réel” dhe “ZINEBI”.

Çdo vit gjatë festivalit, “Cannes Docs” ofron një vend të posaçëm dhe program ngjarjesh për të gjithë profesionistët e filmit dokumentar, përfshirë emrat më të rëndësishëm të industrisë. Në kuadër të organizimit, mbahet edhe Dita Vjetore e Dokumentarëve, si një festë ekskluzive njëditore e kinemasë dokumentare dhe e rolit të saj thelbësor në shoqëritë bashkëkohore. Kësisoj, përfaqësuesit e “DokuFest” nga e shtuna do të qëndrojnë në Festival.

Stafi i “DokuFest” rikthehet në Cannes pas suksesit të vitit 2021, që ishte historik për Kosovën, pasi për herë të parë një film vendor ishte në garë për “Palmën e Artë”. Filmi i shkurtër i Samir Karahodës, “Pa Vend”, ishte pjesë e konkurrencës zyrtare në kategorinë e filmave të shkurtër. Po ashtu, vjet u dha premiera botërore e filmit “Luaneshat e kodrës” nën regji të Luana Bajramit në “Director's Fortnight”, organizim paralel brenda Festivalit të Cannes.

E Alban Ukaj si aktor ka arritur atë që e ka konsideruar ëndërr për shumicën e kolegëve të tij: të kthehet në Festivalin e Cannes. Ukaj është në këtë edicion pasi luan në “Tori and Lokita” të vëllezërve Jean-Pierre dhe Luc Dardenne, film i cili është në konkurrencë zyrtare. Premiera botërore do të jepet të martën që vjen. Sikurse sivjet, Ukaj qe në Cannes po me një projekt kinematografik të vëllezërve Dardenne më 2008 kur së bashku me aktoren Arta Dobroshi luanin në filmin “Heshtja e Lornës”. Kthimi i vëllezërve belg në Cannes ka marrë vëmendje të madhe edhe në mediat ndërkombëtare.

“Pas 13 vjetësh, pata prapë nderin dhe fatin të punoj me vëllezërit Dardenne. Për mua, puna me ta është një shkollë e posaçme para kamerës”, kishte thënë Ukaj muajin e kaluar kur edhe u bë i ditur lajmi se ai do të kthehet në Cannes.