Kulturë

“Burrnesha” thyen paragjykimin në rikthim te rrënjët femërore

Rrëfimi i vajzës që u kthye në burrneshë në premierën e shfaqjes “Burrnesha”, në teatrin “Oda” nuk vjen veç si shpërfaqje e fenomenit të njohur ballkanik, por si rikthim te rrënjët në një vend me krizë kulturore. Sose e luajtur nga Tringa Hasani në dramën e Jeton Nezirajt, nën regji të Erson Zymberit, bëhet arenë interesimi për antropologen angleze, Edith (Semira Latifi), e cila vendos që historinë e burrneshës ta sjellë përpara publikut londinez. Teatri “Soho” nuk është veç vendi ku burrnesha përqeshet nga ‘drag queen’ (Kushtrimi Qerimi) gjatë prezantimit të saj, por edhe adresa që ia shfaq brendinë e fshehur

Ecja krenare, qëndrimi stoik e zëri mashkullor krijojnë përshtypjen e ndeshjes me një burrë. Bindja përforcohet për faktin e të qenit rojtar i nderit të shtëpisë. Por kur sytë e të tjerëve largohen dhe zbret pasqyra përpara vetes, dalëngadalë fillon të shkrihet imazhi i kamuflimit personal te të tjerët.

Gënjeshtrën e burrneshës e shqyen si një letër të pavyer sentimentaliteti femëror. Flokët e shkurtër, rrobat e gjera e mungesa e grimit mund të jenë një dimension i mohimit të të qenit grua. Por e njëjta s’ndodh me palcën trupore, sepse ajo s’mund të ndryshohet. Lakuriqësia shpirtërore më shumë se ajo fizike bën të bien të gjitha përfundimet.

Viti 1995 është moment kthese në jetën e Soses. Për vajzën nga Shqipëria e Veriut nis kapitulli i ri jetësor kur i vriten prindërit. Në një shtëpi me katër motra, ajo sakrifikohet deri në vetëmohim.

Rrëfimi i saj në premierën e shfaqjes “Burrnesha”, në teatrin “Oda” nuk vjen veç si shpërfaqje e fenomenit të njohur ballkanik, por si rikthim te rrënjët në një vend me krizë kulturore. Sose e luajtur nga Tringa Hasani në dramën e Jeton Nezirajt bëhet arenë interesimi për antropologen angleze, Edith (Semira Latifi), e cila vendos që historinë e burrneshës ta sjellë përpara publikut londinez.

Teatri “Soho” nuk është veç vendi ku burrnesha përqeshet nga ‘drag queen’ (Kushtrimi Qerimi) gjatë prezantimit të saj, por edhe adresa që ia shfaq brendinë e fshehur.

Larg vendit paragjykues e linçues, Sose e gjen veten të rrëfehet tek antropologia Edith. Për herë të parë ndihet e lirë të tregojë për tradhtinë që i bëhet nga vetja si femër. Por më e rëndësishmja, për herë të parë përjeton intimitet e atë me një personazh me gjininë e njëjtë, e cila si ngjarje epilogun e ka te fshehja nga bashkëvendësit dhe mbyllje e kapitullit në Londër.

Në shfaqjen me regji të Erson Zymberit është vlerësuar lart fuqia shpërfaqëse e emocionalitetit prej gruaje në monologët ku Sose ndihet vetja. Edhe më gjatë është duartrokitur shfaqja për shkak të mjeshtërisë së interpretimit të rolit nga Hasani, së cilës transformimi dhe mishërimi me rol dalin në pah edhe më shumë pas përfundimit të shfaqjes.

“Ajo që kemi trajtuar është fakti që ky fenomen i burrneshave vjen në kohën kur debati për ligjin e martesave mes gjinive të njëjta është shumë aktual në Kosovë dhe ne shpresojmë që ta nxisim këtë debat me teatër”, ka thënë regjisori Zymberi, i cili ka eksperimentuar me hapësirën, lojën e aktorëve e qasjen ndaj tekstit, duke sjellë risi në dërrasat e këtij teatri.

Sipas tij, ndarja e publikut në dy pjesë e show nga ‘drag queen’ kanë ardhur për shkak se “ky pompozitet medial, që shpesh u është dhënë burrneshave qoftë nga mediat e huaja, ka qenë më shumë medial, trivial, sipërfaqësor sesa të merren me anën e brendshme të tyre”.

“Ka qenë pikërisht njëri prej monologëve të burrneshës ku ajo flet për tradhtinë e saj në një odë burrash, në shoqëri patriarkale kur i vijnë periodat apo menstruacionet, burrëria e saj tradhtohet”, thotë ai për momentin më kulmor të dramës. “Më ka bërë shumë përshtypje të veçantë se si autori Jeton Neziraj e ka shkruar në këtë nivel dhe është marrë me një detaj i cili më vonë zhvillohet shumë interesant dhe ka qenë pikënisje e parë për ta trajtuar këtë tekst”.

Për të është e rëndësishme fakti i shpërfaqjes së realitetit shpirtëror të Soses në momentin kur ajo ndryshon vend.

“Pikërisht këto ndikime të këtij mjedisi kulturor e bëjnë të kuptojë diçka tjetër. Ka qenë shumë me rëndësi për ne, për shkak që në mes të një antropologe prej Londrës dhe një burrneshe nga Shqipëria ndodh një ndjenjë, afsh, ofshamë. Kjo ka qenë rruga që e kemi ndjekur për ta ndërtuar këtë shfaqje”, ka thënë Zymberi.

Për aktoren Tringa Hasani portretizimi i burrneshës vërehet edhe gjatë shfaqjes që s’ka qenë i lehtë. Ajo është dashur të thellohet jo veç në brendinë e një personazhi që sakrifikon, por edhe të një ndryshimi rrënjësor në esencë.

“Në fillim kur e kam marrë ta lexoj tekstin nuk kam besuar që mund t’ia dal”, ka thënë Hasani në fillim të intervistës, por që gjatë rrugës ka ndërruar mendje. “S’ka qenë aspak e lehtë, por shpresoj që kam mundur ta përçoj mesazhin e dramës dhe ndjenjat e femrës kur vendos me qenë burrneshë, se ajo është sakrificë shumë e madhe”.

Kur pyetet për pjesën më të vështirë të rolit përmend monologun e Soses si përballje me veten, si tradhti nga kamuflimi fizik si burrneshë.

“Një rol shumë i vështirë përderisa një femër vendos ta sakrifikojë veten, me u ba burrneshë veç pse në shtëpi janë katër motra e me mbrojtë nderin e shtëpisë është sa e vështirë aq e dhimbshme”, shprehet Hasani.

Ajo ka thënë se ka bindjen që publiku e ka pritur shumë mirë.

“Në Shqipëri nuk ka shumë burrnesha, thuhet edhe në tekst, që janë vetëm pesë. Është shumë mirë që ka ndryshuar mentaliteti tash që femrat nuk kanë nevojë të sakrifikohen për me u ba burrneshë dhe me ruajtë nderin e shtëpisë. Edhe mesazhi ynë ka qenë ky”, përfundon ajo.

Për profesorin dhe regjisorin Fadil Hysaj, shfaqja “Burrnesha” është shpërfaqje e trajtimit më të thellë të kësaj teme sesa nga ajo që është servuar si informatë me vite.

“Është për lakmi mënyra se si është qasur, ka sarkazmë, ka ironi, ka dramë, elemente tragjike brenda. Ka aso që njerëzit kanë tentuar të bëjnë show për një zonë të braktisur të Evropës, siç ka qenë Shqipëria e Veriut. Ka aspekt psiko-analitik, antropologjik, ka shumë dimensione që janë harmonizuar shumë bukur në shfaqje me lojë të jashtëzakonshme të aktorëve dhe me një regjisor të kursyer, e cila shumë mirë është e komponuar me një dramaturgji kushtimisht cinike të Jeton Nezirajt, i cili me shumë sukses i trajton temat delikate”, pohon ai.

Për të dramaturgjia që krijon Neziraj është një “proces çlirimi nga makthet ideologjike kulturore” , duke shtuar se “ky lloj trajtimi si në çdo dramë të Jetonit është konfrontues, i ashpër, që sulmon paragjykimin, gënjeshtrën publike e institucionale”.

“Jam shumë i gëzuar që kjo dramë është shkruar nga Neziraj dhe jam shumë i gëzuar që është trajtuar në këtë mënyrë. Shumëçka shpjegon dhe na sjell vendin në kulturën ballkanike e evropiane. Po përfundon koha e temave të mëdha, patetizmit sistemor që e kanë inkurajuar ato filozofitë komuniste diktatoriale, e cila është dashur ta trajtojë këtë popull si primitiv për me pasë edhe një shekull mandat mbi të”, ka thënë Hysaj.

Sipas tij, në vitet ’90 Shqipëria është paraqitur si “Afrikë e vogël”, që gratë nuk kanë të drejta dhe kthimi në burrnesha ka qenë mjet për gëzimin e tyre.

“Këto lloj propagandash në të cilat ka pasur sistem në to janë bërë tema në media botërore, artistët janë shndërruar në instrumente për të bërë diçka sikundër efekt, por që na ka dëmtuar shumë në aspektin kulturor”, ka theksuar ai, duke shtuar se fatmirësisht kjo kohë ka përfunduar.

“Ata që duan të jenë meshkuj kanë të drejtë të kalojnë në proces biologjik të ndërrimit të gjinisë, diçka që shtetet demokratike insistojnë ta ndërtojnë si të drejtë të njeriut, në traditën shqiptare ka ekzistuar shumë moti”, ka thënë Hysaj.

Aktorja Aurita Agushi ka thënë se trajtimi i kësaj teme në Kosovë është më i vështirë për shkak të fenomenit që ka ndodhur kryesisht në Shqipëri.

“Është shumë më e vështirë për ne kur e marrim edhe e inskenojmë, është shumë sfiduese për regjisorin e aktorët ta trajtojmë këtë dukuri, kështu që Ersoni dhe aktorët na e sollën shumë afër, në një dimension tjetër çfarë jemi mësuar me pa në filma, emisione dokumentare”, ka thënë Agushi.

Tutje ajo ka çmuar mënyrën e interpretimit të burrneshës nga Tringa Hasani, duke thënë se ka shkuar edhe “përmes limiteve të saj si aktore”.

“Nëse s’kisha punuar më herët do të pyesja se kush është, s’kisha mundur ta identifikoj lehtë e saktë se cila qe burrnesha”, ka thënë Agushi.