Në vitin 2020, Bundestagu gjerman avokoi për krijimin e një qendre dokumentimi për viktimat e luftës gjermane të shfarosjes dhe pushtimet naziste. Dy vjet më vonë, Qeveria Federale miratoi një propozim të ministres së Kulturës, Claudia Roth, për realizimin e qendrës së dokumentimit “Pushtimi gjerman i Evropës në Luftën e Dytë Botërore”, që u projektua nga Muzeu Historik Gjerman.
Ideja është të ilustrohet dimensioni i mbretërimit të terrorit të nazistëve në të gjithë Evropën. Me vendimin për të krijuar një vend tjetër përkujtimi dhe dokumentimi në Berlin, Qeveria gjermane po avancon projektet kryesore të politikave të përkujtimit të vendosura në periudhën e mëparshme legjislative.
Duke folur në margjinat e një konference të posaçme të kabinetit në Meseberg, në veri të Berlinit, kancelari Olaf Scholz, nënvizoi rëndësinë e kujtimit të përgjegjësisë historike të Gjermanisë, pushtimit gjerman dhe shkatërrimit të shkaktuar nga gjermanët – veçanërisht duke pasur parasysh luftën aktuale në Ukrainë.
“Riorganizimi i politikës së përkujtimit” është një “projekt kyç për Qeverinë gjermane”, sipas Claudia Rothit, e cila ka thënë se koncepti i ri e vendos qëllimisht politikën gjermane të përkujtimit në një kontekst evropian.
Qendra synon të hedhë dritë mbi mënyrën se si diktatura shkatërruese naziste me luftën, shkatërrimin dhe shfarosjen e saj, duke përfshirë mizoritë e Holokaustit, preku gjithë Evropën. Fokusi do të vendoset te viktimat në Poloni, shtetet baltike, Bashkimin Sovjetik, ish-Jugosllavi dhe Greqi.
Qëllimi i qendrës së re të dokumentimit është të kontribuojë në një kuptim më të mirë të së tashmes. “Mbi të gjitha, ky kujtim duhet të drejtohet drejt së ardhmes dhe të bëjë të qartë se sa të rëndësishme janë demokracia, sundimi i ligjit dhe diversiteti aktiv për projektin evropian dhe për vendin tonë në zemër të Evropës, sa vendimtar është angazhimi ynë në dhe për Evropën”, ka thënë Roth.
Ndërkohë, Bundestagu duhet ende të votojë për konceptin, dhe çështja e një lokacioni të përshtatshëm në Berlin është gjithashtu ende pezull.
Qendra e Dokumentimit të Luftës së Dytë Botërore nuk është i vetmi projekt që ka nevojë për një shtëpi - tre memorialë të tjerë supozohet të ndërtohen në kryeqytetin gjerman: për viktimat e tiranisë komuniste, viktimat polake të luftës dhe terrorit nazist, dhe viktimat naziste mes Dëshmitarëve e Jehovait.