Kulturë

“Hasi Jehon” përmbyll edicionin si trashëgimi shpirtërore që mbrohet nga shteti

Hasi Jehon - Festival

Festivali Folklorik, “Hasi Jehon”, që mbahet në Gjonaj të Prizrenit ka përmbyllur edicionin e 33-të me ndarjen e çmimeve për më të mirët dhe me pranimin e vendimit nga MKRS-ja që konfirmon se ky organizim është pjesë e Listës së Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përkohshme, në kategorinë e trashëgimisë shpirtërore. Madje është vlerësuar se deri më tani ka luajtur edhe rolin e një shkolle edukative për bartjen e këtyre vlerave te gjeneratat e reja

Edicioni i 33-të i Festivalit Folklorik, “Hasi Jehon”, është përmbyllur me ndarjen e çmimeve dhe konfirmimin nga Ministria e Kulturës se ky organizim është përfshirë në Listën e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përkohshme, në kategorinë e trashëgimisë shpirtërore. Përgjatë tri netëve të festivalit, në Gjonaj të Prizrenit, janë paraqitur programet e 16 grupeve artistike nga hapësirat mbarëshqiptare, duke prezantuar koloritin e gjallë të folklorit kombëtar.

Juria profesionale e festivalit ka përgëzuar gjithë pjesëmarrësit për maksimumin e dhënë në skenë gjatë tri netëve, duke pohuar se paraqitjet e tyre janë shpresëdhënëse për të ardhmen.

“Lojërat në skenë, por edhe vetë prezenca e pjesëmarrësve me larushinë e kostumeve që janë goxha të kompletuara japin shpresë që tashmë rrjedha e vlerave muzikore në skenë e pas kësaj që përjetojmë është jashtëzakonisht optimiste”, ka thënë kompozitori Sami Piraj, anëtar i jurisë në këtë edicion.

Bazuar në vlerësimet e jurisë, çmimi “Malësori” ka shkuar te ShKA “Kastriotët” nga Ferizaj, çmimi “Malësorja” te SHKA “Bresana” nga Opoja e Dragashit, pastaj çmimi “Lahuta” i është ndarë SHKA “Bajram Currit” nga Prishtina dhe çmimi “Nazmije Totaj- Hoxha” ka shkuar te solistja Rita Kastrati nga SHKA “Bajrami Curri” nga Krusha e Madhe.

“Jemi shumë falënderues për këtë Çmim, mirëpo përkushtimi ynë dhe puna jonë e ka bërë këtë që jemi fituesi kryesor”, ka deklaruar Musa Ahmeti nga SHKA “Kastriotët”.

Në natën finale të festivalit, të dielën mbrëma, është shpalosur edhe vendimi i ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, se ky organizim tashmë është përfshirë në Listën e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përkohshme, në kategorinë e trashëgimisë shpirtërore.

Vjollca Aliu, drejtoreshë e Departamentit të Trashëgimisë Kulturore në MKRS, teksa ka prezantuar vendimin, ka bërë të ditur se ky festival konsiderohet si një prej institucioneve unike të ruajtjes, prezantimit, bartjes dhe promovimit të vlerave trashëgimisë kulturore shpirtërore të shqiptarëve. “Festivali deri më tani ka luajtur dhe rolin e një shkolle edukative për ruajtjen, bartjen, promovimin e trashëgimisë kulturore shpirtërore tek gjeneratat e reja. Festivali folklorik “Hasi Jehon” konsiderohet si një prej aktiviteteve më unike për prezantimin dhe promovimin e vlerave të folklorit, traditës dhe të trashëgimisë kulturore në përgjithësi", ka thënë Aliu.

Ndërsa drejtuesi i SHKA “Malësori”, Haziz Hodaj, ka vlerësuar se kjo arritje u takon themeluesve e të gjithë kontribuuesve të kësaj shoqërie, përgjatë veprimtarisë afër gjysmëshekullore.

“Sigurisht që ky vendim përveç se është një privilegj, është edhe një obligim shtesë që i bëhet SHKA 'Malësori', por me këtë armatë që më rri prapa besoj se ne do ta arsyetojmë këtë vendim, do ta avancojmë edhe më tutje dhe do ta krijojmë një skenë e cila do të jetë skenë apo shkollë e gjeneratave të ardhshme për të kultivuar, për të hulumtuar dhe për të plasuar në skenë vlerat e trashëgimisë sonë që padyshim janë thesari dhe identiteti ynë kombëtar”, ka thënë Hodaj.

Propozimi për mbrojtjen ligjore të këtij festivali, vjet ishte paraqitur nga Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Prizren, në bashkëpunim me drejtuesit e “Hasi Jehon”, në kuadër të shënimit të 45-vjetorit të ekzistencës së kësaj ngjarjeje kulturore.

Festivali Folklorik, “Hasi Jehon”, sipas të dhënave të organizatorëve dhe të Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore, si manifestim i përshpirtshëm kulturor, në skenë sjell vlerat më autentike të trashëgimisë shpirtërore, është unik, më i vjetri dhe më i organizuari në veprimtarinë e këtij lloji në trevat e Ballkanit. Është themeluar në shtator të vitit 1976, nga SHKA “Malësori” dhe rinia e fshatit Gjonaj. Ka nisur veprimtarinë e vet me SHKA, grupet artistike të shkollave të Hasit, rapsodë, lojtarë të lojërave popullore, instrumentistë popullorë, me veshje unike kombëtare, për të arritur pas luftës në organizimin më të konsoliduar të kulturës e trashëgimisë në nivel kombëtar. Festivali Folklorik “Hasi Jehon”, bazohet në disa shtylla të veprimtarisë së vet dhe ato kanë bazë dhe ekskluzivet, trashëgiminë shpirtërore, por që identifikohet me folklor burimor, vallet, këngët, lojërat, doket dhe zakonet e mbarë trevave shqiptare. Gjatë 46 vjetëve të ekzistencës është organizuar gjithsej 33 herë, përderisa prej vitit 2000 është organizuar në mënyrë të pandërprerë.