Kulturë

Alban Ukaj rikthehet në Cannes: Kjo është ëndërr e shumicës së aktorëve

“Tori and Lokita” është titulli i filmit të mjeshtërve, Jean-Pierre dhe Luc Dardenne, i cili garon për “Palmën e Artë”. Aty luan edhe Alban Ukaj dhe qe “Heshtja e Lornës”, po ashtu, e vëllezërve belgë, me të cilin Ukaj më 2008 shkeli tapetin e kuq të atij që njihet si Festival i festivaleve. “Të jesh në Cannes për herën e dytë në konkurrencë zyrtare është ëndërr e shumicës prej aktorëve. Jam i emocionuar dhe jashtë mase i lumtur që do ta shohim filmin së bashku me të gjithë ekipin dhe me, siç kam dëshirë t’i quaj unë, dy regjisorët që kanë bërë histori në botën e kinematografisë”, ka thënë Ukaj për KOHË-n pak orë pasi u shpall lista e garës zyrtare të Festivalit të Filmit në Cannes

Alban Ukaj si aktor ka arritur atë që e konsideron ëndërr për shumicën e kolegëve të tij: të kthehet në Festivalin e Cannes. Ukaj do të jetë në edicionin e 75-të të atij që njihet si Festivali i festivaleve pasi luan në “Tori and Lokita” të vëllezërve Jean-Pierre dhe Luc Dardenne, filmi i cili është në konkurrencë zyrtare të ngjarjes që sivjet mbahet nga 17 deri më 28 maj. Sikurse sivjet, Ukaj qe në Cannes po me një projekt kinematografik të vëllezërve Dardenne më 2008 kur së bashku me aktoren Arta Dobroshi luanin në filmin “Heshtja e Lornës”.

“Pas 13 vjetësh pata prapë nderin dhe fatin të punoj me vëllezërit Dardenne. Për mua, puna me ta është një shkollë e posaçme para kamerës”, ka thënë Ukaj, i cili këto ditë po qëndron në Kosovë për xhirimet e projektit kinematografik “Era” nën regji të Parta Kelmendit. Si ëndërr e ka përshkruar Ukaj të qenët për herë të dytë në Cannes.

“Të jesh në Cannes për herën e dytë në konkurrencë zyrtare është ëndërr e shumicës prej aktorëve. Jam i emocionuar dhe jashtë mase i lumtur që do ta shohim filmin së bashku me të gjithë ekipin dhe me, siç kam dëshirë t’i quaj unë, dy regjisorët që kanë bërë histori në botën e kinematografisë”, ka thënë ai.

Filmi më i ri i vëllezërve Dardenne nxjerr në pah miqësinë që bashkon dy të rinj që kanë udhëtuar vetëm nga Afrika dhe e gjejnë veten duke u përballur me kushtet mizore të mërgimit të tyre në Belgjikë. Është një rrëfim për emigrantët në Belgjikën moderne. Midis të tjerësh pjesë e kastës janë edhe Marc Zinga, Claire Bodson, Baptiste Sornin.

Alban Ukaj në film portretizon Bacolin. Ai ka treguar se ka punuar me dy fëmijë të cilët nuk janë aktorë profesionistë.

“Por që kanë qenë mahnitës”, ka thënë Ukaj. Për të ardhur deri te roli i është dashur që paraprakisht për gjysmë viti të bëjë përgatitje specifike.

“E kam mësuar frëngjishten intensivisht gjashtë muaj”, ka thënë Ukaj. Në film, përballjen me fëmijët që bartin peshën kryesore të projektit e ka si kuzhinier.

“Luaj rrolin e një kuzhinieri i cili i keqpërdor fëmijët me pretekstin se u ndihmon lidhur me letrat për azil, vetëm pse janë nevojtarë”, ka treguar ai. Me këtë përshkrim do të mund të paragjykohej si personazh që i takon karakteri i keq. Por Bacoli nuk është i tillë.

“Personazhi ka shumë kontrapunkte dhe nuk është as i bardhë e as i zi”, ka thënë Ukaj, për të cilin Cannesi i 61-të i 2008-s është vetëm njëri sukses.

E vëllezërit Dardenne janë “veteranë” të Cannes. Më 2005 me filmin “L’enfant” morën “Palmën e Artë”, e më 2019 Çmimin për regjinë më të mirë për filmin “Le jeune Ahmed”, përderisa kanë një seri nominimesh ndër vite. Me “Tori and Lokita” për “Palmën e Artë” do të garojnë me 17 filma të tjerë në mesin e të cilëve ka edhe vepra kineastësh që tashmë kanë fituar në Cannes, si Ruben Östlund që sivjet garon me “Triangle of Sadness” apo Cristian Mungu në konkurrencë me “RMN”.

Për bashkëpunëtorin e vëllezërve Dardenne, aktorin nga Kosova, i cili jeton në Sarajevë, ngjarjet më të mëdha të filmit në botë nuk janë të panjohura tash e sa kohë.

Vjet, filmi “Quo Vadis, Aida?” i regjisores boshnjake Jasmila Zhbaniq qe i nominuar për “Oscar” duke bërë jehonë si rrëfim që prek rritjen e frikës që ngjallet gjersa zbërthen rrëfimin që zë vend gjatë masakrës në Srebrenicë në vitin 1995. Në këtë film rolin e Tarikut e luan Alban Ukaj.

“Jam shumë i lumtur që kam arritur deri këtu, kaq larg, që shumë njerëz e kanë shikuar dhe që shumë prej tyre edhe e kanë rishikuar. Ky është një film për të cilin të gjithë ne kemi nevojë dhe do të na shërbejë si purifikim”, kishte thënë Ukaj për mediat boshnjake pasi ekipi kishte përcjellë ceremoninë e ndarjes së çmimeve prestigjioze nga Teatri Kombëtar i Sarajevës. Por, filmi që garoi për “Luanin e Artë” në Festivalin e Filmit në Venecie, në garë edhe për “BAFTA”, në dhjetor të vitit të kaluar kishte fituar atë që njihet si “Oscari i Evropës”, “European Film Award”.

Aktori Ukaj i lindur më 1980 në Prishtinë deri më tash ka qenë pjesë e shumë projekteve kinematografike e teatrore që kanë shënuar sukses në skenën ndërkombëtare.

“Sympoathy for the Devil”, “Full Moon”, “Tica”, “Martesa” e “Sabina K.” janë veç disa prej tyre.

Bashkë me aktoren Arta Dobroshi më 2008 do të ishin midis yjeve të Festivalit të Cannes. Filmi i vëllezërve Dardenne “Heshtja e Lornës” kishte fituar Çmimin për skenarin më të mirë. Në këtë film Dobroshi portretizon Lornën, kurse Ukaj, Sokolin.

Rolit të një shqiptari i është kthyer përsëri. Të shtunën e kaluar ka qenë në sheshxhirim para Radio Kosovës, kur për filmin “Era” me skenar dhe regji të Parta Kelmendit ishte xhiruar skena kur punëtorët shqiptarë dëboheshin prej Radio Televizionit të Prishtinës. Alban Ukaj ka rolin kryesor. Filmi merr emrin e së bijës së tij në film, Erës, që luhet prej Zana Berishës.

Në “Era”, Ukaj portretizon Agronin, një gazetar që personifikon atë që përjetuan gazetarët kosovarë në atë kohë.

“Unë gëzohem gjithmonë kur xhiroj diçka në Kosovë edhe mendoj që ky është njëri nga skenarët që e ka njëfarë plotnie më të mirë që kam pasur rastin ta lexoj, dhe është një temë që mua më intereson intimisht, personalisht, ngase jam rritur në këtë frymë të kësaj gazetarie, të fundit të viteve të 80-ta, fillimet e viteve të 90-a. Më kujtohet ajo periudhë mirë edhe jam goxha i mishëruar me këtë që po e përpilon Parta”, kishte thënë Ukaj në sheshxhirim.

Tematika pasqyruese e kohës së viteve të 90-ta në Kosovë del të jetë një film i bazuar në ngjarje fikse për aktorin Ukaj, babai i të cilit, Shefki Ukaj, si gazetar i asaj kohe ishte ballafaquar me të njëjtën situatë sikur faktohet në film.

“Është një gazetar që mundohet ta mbrojë familjen e tij në mënyrën më të mirë që mundet në atë situatë. Mundohet ta luajë figurën e babait në atë mënyrë që të mos e vërejnë fëmijët se është duke u thyer. Është diçka që mua më ka interesuar të bëj edhe kur ma ka ofruar Parta rolin, shumica e gjërave që janë në skenar, mua më kujtohen prej fëmijërisë, edhe i kam si fotografi që kanë mbetur tek unë që s’mund të fshihen asnjëherë”, kishte thënë Ukaj. Lidhjet e tij me regjimin serb e luftën pos anës njerëzore i ka goxha të forta edhe në aspektin profesional.

Ukaj është aktor i ansamblit rezident të Teatrit të Luftës në Sarajevë. Në teatër rolet, po ashtu, i ka të shumta. Më 2019 nga Sarajeva në Kosovë kishte sjellë shfaqjen nën regji të tij, “Nigdje nikog nemam”. E më 2015 në Teatrin Kombëtar të Kosovë kishte ardhur si Romeo në kuadër të shfaqjes “Romeo dhe Xhuljeta” nën regji të Miki Manojloviq, një prodhim i Qendrës “Multimedia” nga Kosova dhe kompanisë teatrore nga Beogradi “Radionica Integracie”.

Historik për Kosovën qe edhe edicioni i vitit të kaluar i Festivalit të Cannes, kur për herë të parë një film vendor ishte në garë për “Palmën e Artë”. Filmi i shkurtër i Samir Karahodës, “Pa Vend”, ishte pjesë e konkurrencës zyrtare në kategorinë e filmave të shkurtër. Po ashtu, vjet u dha premiera botërore e filmit “Luaneshat e kodrës” nën regji të Luana Bajramit në “Director's Fortnight”, organizim paralel brenda Festivalit të Cannes.