Kulturë

Dua Lipa fituese në “Brit Awards”, rrëmben trofeun e gjashtë në karrierë

Descriptive Text

Këngëtarja shqiptare ishte në mesin e fituesve në mbrëmjen ku triumfoi Adele. Triumfoi si artistja më e mirë pop/R&B, kurse humbi shansin për këngën më të mirë. Aty triumfoi londinezja 33-vjeçare me “Easy On Me”, e cila po ashtu u shpërblye edhe si artistja e vitit dhe mori Çmimin për albumin më të mirë me “30”. Nata u konsiderua si rikthim i Adeles

Nuk ka ngjarje prestigjioze të muzikës në botë e ku nuk është edhe Dua Lipa. Shpesh edhe me shpërblime të shumëfishta. Pa trofe nuk mbeti as të martën mbrëma. Rrëmbeu trofeun që e kurorëzoi si artistja më e mirë pop/R&B në “Brit Awards”. Me këtë shpërblim, prishtinasja tashmë ka 6 çmime nga ngjarja prestigjioze dedikuar muzikës.

Lipa, e cila nuk ishte e pranishme në ceremoni, përdori rrjetet sociale për ta ndarë gëzimin me ndjekësit e saj. Falënderoi të gjithë për votat. “Ani pse do të donim që të ishim në Londër që të festojmë së bashku me ju – ne kemi qenë duke ushtruar që të japim një spektakël sa më të mirë për ju”, ka shkruar ajo. Këngëtarja është në përgatitje të paraqitjes së saj në Miami të Floridës, ku të mërkurën do të ketë koncert në kuadër të turneun e saj “Future Nostalgia”.

Lipa për herë të parë u shpërblye në këtë ceremoni në vitin 2018 kur mori Çmimin si këngëtarja më e mirë solo dhe artistja më e re që depërtoi në skenë. Një vit më pas, ajo mori përsëri çmimin për këngën më të mirë me “One Kiss”. Ani pse në 2020 nuk ishte në mesin e të nominuarve u rikthye në vitin 2021 me nominim të trefishtë. Triumfoi në dy kategori. Lipa u shpërblye si artistja më e mirë britanike dhe mori çmimin për albumin me të mirë. 26-vjeçarja në kategorinë për albumin me të mirë pati triumfuar me “Future Nostalgia” që i dha epitetin alfa e discos. Atë vit nuk arriti të triumfonte në kategorinë për këngën më të mirë me hitin “Physical”.

Lipa ishte ndër muzikantët që po ashtu pati performuar vitin e kaluar duke sjellë disa nga hitet e saj në ceremoninë që u përcoll në mënyrë fizike nga 4 mijë njerëz si dhe u transmetua live.

“Faleminderit shumë është një nder që të jem këtu dhe përsëri në skenë. Herën e kaluar kur kam qenë këtu në vitin 2018 kam thënë që dëshiroj që të shoh më shumë gra në këtë skenë dhe tre vjet më vonë jam shumë e lumtur që po e shoh këtë”, kishte thënë Lipa atëherë.

Lipa ishte shfaqur duke kënduar këngën “Love Again” në metrotë e Londrës. Aty ka nisur edhe këndimin e hitit “Physical”. Megjithatë performancën e para-incizuar e vazhdoi live në “O2 Arena”. Këtë zhvendosje e bëri pikërisht me “Physical”, këngën me të cilën synoi të marrë Çmimin për këngën më të mirë (British single).

Pas hitit “Hallucinate”, ajo përfundoi interpretimin e saj me super-hitin “Don’t Start Now” dhe me fjalët “Future Nostalgia”, emri i albumit të saj të fundit, album ky suksesin e të cilit ende është duke e shijuar.

Pos Lipës, në mesin e fituesve të së martës ishte edhe Adele. Kantautorja nga Tottenham, mori në shtëpi çmimin për këngën e vitit me “Easy On Me”, e po ashtu u shpërblye edhe si artistja e vitit dhe mori trofeun për albumin më të mirë me “30”.

Kur doli në skenë për të pranuar çmimin e parë, ajo ka thënë se nuk ishte në dijeni që kaq shumë këngë ishin të nominuara për të mirën e vitit. Shtoi se nuk iu besua që një baladë triumfoi mbi të gjitha.

“Megjithatë faleminderit shumë. Është gjithmonë kënaqësi të jesh këtu. Gjithmonë me ka pëlqyer që të vijë në shtëpi dhe ‘Brits’ ka një rol të madh në karrierën time, shumë vjet më parë”.

Në këtë kategori la pas Lipën, e cila po ashtu ishte në garë për këngën e vitit me “Cold Heart” (Pnau Mis) bashkëpunim me Elton John.

Mes të shpërblyerve ishte edhe Olivia Rodrigo e mori me vete çmimin e dytë për këngën më të mirë ndërkombëtare të vitit, me “Good 4 U”.

Gjatë pranimit të çmimit, 18-vjeçarja amerikane, e cila vitin e kaluar kishte dhënë performancën e parë në “Brits”, ka thënë se marrja e çmimit sivjet është sureale.

Becky Hill mori çmimin për vallëzimin më të mirë. Ky ishte trofeu i saj i parë nga “Brit Award”. Në një fjalim emocionues ajo ka thënë: “Ka gjashtëmbëdhjetë vjet që ata kanë kategorinë e vallëzimit dhe jam shumë e lumtur që e fitova këtë çmim sonte”.

“Wolf Alice” mori çmimin për bendin më të mirë dhe trofeu iu dorëzua nga fituesi i “Eurovisionit”, grupi “Måneskin”.

“Ne jemi të shokuar. Faleminderit shumë labelit tonë ‘Dirty Hit’, pasi që pa ta nuk do të ishte e mundur që të jemi këtu”, ka thënë bendi. Duke u kthyer nga “Måneskin” ata kanë thënë: “duam të njoftojmë se po ashtu jemi duke formuar një super-grup me këta çuna”.

Londinezja Little Simz, që ishte në mesin e performuesve mori çmimin për artisten më të mirë të re. Kur pranoi çmimin në skenë, falënderoi nënën e saj. “Nënë – shiko se çfarë kam arritur. Faleminderit të gjithëve që më kanë mbështetur në këtë udhëtim”, ka thënë ajo.

Reperi Dave, mori çmimin “Best Rap/Hip Hop/ Grime”. Duke pranuar çmimin ai ka thënë se reperët kanë thyer shumë barriera në këtë industri.

“Unë jam vetëm një djalë të cilit më të vërtetë i pëlqen muzika. Të jesh këtu dhe të ndash skenën me disa nga reperët më të mirë në këtë industri është më e mira që mund të bëj”, ka thënë ai.

Çmimin “Rock/alternative” e mori Sam Fender e atë për yllin britanik në rritje e mori Holly Humberstone. Bruno Mars dhe Anderson Paak – aka Silk Sonic – morën Çmimin për grupin më të mirë ndërkombëtar.

Në mesin e fituesve ishte edhe artistja amerikane Billie Eilish. Ajo fitoi Çmimin për artisten ndërkombëtare të vitit të njëjtën ditë kur iu bë i ditur nominimi për këngën më të mirë në “Oscars”.