S’ka një formulë të saktë se si fëmijët e të rinjtë mund të nxiten për lexim, por është konfirmuar tashmë se familja ka një rol me peshë në këtë drejtim. “Roli i familjes në zhvillimin e kulturës së leximit”, ka qenë tema e panelit të diskutimit organizuar nga organizata joqeveritare ETEA, e të ftuarit kanë hapur disa çështje nga aspekti social e psikologjik, tek kanë dhënë edhe shembuj konkretë a nga përvoja personale.
Rëndësia e librit në krijimin e personalitetit të individit, përparësitë e mangësitë e digjitalizimit, librat audio midis përparësive e dëmit, kanë qenë disa prej temave që janë diskutuar nga sociologia Vjollca Krasniqi e psikologu Besnik Peci, në penalin e mbajtur në qendrën “Libart”, në bibliotekën “Hivzi Sulejmani” në Prishtinë, të enjten pasdite.
Se libri fizik përditë e më shumë është larg lexuesit ka qenë njëri prej konstatimeve të përbashkëta të të dy panelistëve.
Krasniqi, ligjëruese në Fakultetin Filozofik në universitetin e Prishtinës, “Hasan Prishtina” ka thënë se zgjedhja dhe trajtimi i kësaj teme janë të qëlluara, pasi, sipas saj, familja është vendi ku zhvillohen dëshirat, emocionet dhe aspiratat.
“Ajo që më shqetëson është se gjithmonë e më tepër brenda arsimit sot ne si shoqëri jemi të shtyrë që të mësojmë shpejt e të marrim informacion e definicione të sakta, gjë që është gabim, sepse nuk ka një definicion të saktë për asgjë nëse nuk lexojmë”, ka thënë Krasniqi.
Situata pandemike, sipas saj, e ka përkeqësuar edhe më raportin me librin.
“Libri ka filluar të bëhet audio. Jam shumë kundër, sepse kam frikë se në të ardhmen të rinjtë nuk do të dinë për Aristotelin e as për librat”, ka thënë ajo taksa ka përmendur edhe një hulumtim për atë se çfarë ndodh me hapësirën sociale në Kosovë e në të cilin, ndër të tjera, kishte edhe pyetje për respodentët nëse kanë libra në shtëpi, për preferencat muzikore apo për përcjelljen e shfaqjeve teatrore.
Rezultati, sipas saj, doli të ishte se ata nuk kishin asnjë libër në shtëpi dhe kësisoj nuk dëgjonin muzikë klasike, por atë popullore. Makina kërkuese “Google”, sipas Krasniqit, është “autostradë informative”, e cila, përveç përparësive, “ka edhe mangësi që çojnë deri te burimi i pasaktë”.
Ka thënë se nëse nuk inkurajohet leximi “mbytet ëndrra për të ardhmen, sepse fëmijët nëpërmjet librit zhvillojnë ëndrrat për të ardhmen”. Për ta ilustruar raportin me librin u është kthyer edhe kujtimeve në vendlindjen e saj, Mitrovicë, përkatësisht bibliotekën e qytetit, të cilën ajo e shihte si një frymëzim të saj për të lexuar.
“Kam shumë nostalgji për kohën kur isha në studime, sidomos për bibliotekën e qytetit ku kalova një kohë të gjatë aty. Sot jam duke u munduar që ta krijoj atë ambientin edhe në bibliotekën time private”, ka thënë ajo.
Prezantimin e saj e ka përmbyllur me thënien e filozofit grek, Aristoteli se “Lumturia është të kalosh një jetë të virtytshme”, por ka pasur një pyetje. “Si mundet njeriu të ketë një jetë të virtytshme nëse në jetën e tij nuk është i pranishëm libri”, ka thënë Krasniqi.
Për ta trajtuar këtë temë edhe në rrafshin e psikologjisë i ftuar ka qenë Besnik Peci.
“Kam një kulturë të leximit të fituar qysh në fëmijëri, krejt falë përrallave që m’i lexonte nëna para se të flija”, ka thënë ai. Psikologu ka thënë se është i mendimit se përrallat e treguara nga nëna kishin pasur ndikim në krijimin e ndërgjegjes së tij.
“Mosha 5-vjeçare sipas psikologeve me famë botërore është mosha kur kristalizohen të gjitha strukturat e personalitetit dhe tiparet e një individi”, ka thënë Peci teksa ka shtuar se si rrjedhojë kjo informatë është duke u vërtetuar dita-ditës edhe nga shkenca, sepse ka një bazë të fortë dhe të qëndrueshme: neuropsikologjia thotë se “truri i fëmijës arrin shkallën e zhvillimit psikik deri në 80 për qind deri në moshën 5-vjeçare”, ka thënë Peci duke rikonfirmuar konstatimin. “Nëpërmjet librit ndërtojmë personalitetin tonë”. Ka përmendur se “...të lexuarit ndikon në zhvillimin e gjuhës, të folurit, vetëbesimit, kjo kur fëmijët shpesh e shohin veten si heroi i librit, të cilin ata po e lexojnë”.
Temë diskutimi qe edhe digjitalizimi i librit, ku disa nga pjesëmarrësit ishin pro e disa prej tyre kundër. Disa prej tyre kanë thënë se teknologjia nuk është e dëmshme nëse përdoret siç duhet Po ashtu është theksuar se mësimdhënësit të cilët kanë ngecje në përdorimin e teknologjisë nuk i lejojnë nxënësit të punojnë me të.