Për ministrin e Kulturës, Hajrulla Çeku, problemet në kulturë janë të shtresëzuara kaherë dhe si zgjidhje të tyre e sheh ligjin unik të kulturës, i cili sipas tij do të miratohet sivjet ani pse nuk është gati as si koncept. Në një diskutim në “Desku” të KTV-së, ka thënë se skena kulturore është e fragmentarizuar, ka pranuar se ka burokraci edhe se nuk beson në zgjidhje të shpejta. Dramaturgu Jeton Neziraj, i ka quajtur të kota takimet e tij me komunitetin artistik, i ka kërkuar të mos përmendë teatër të ri kombëtar e ka folur edhe për skema korruptuese brenda MKRS-së
Për rreth 70 minuta ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, disa herë ka përsëritur se me një ligj unik të kulturës do të zgjidhen shumë probleme. I ka cilësuar si probleme shumështresore ato të institucioneve qendrore të kulturës e edhe të skenës së pavarur.
Në emisionin “Desku” të KTV-së, të enjten mbrëma, është diskutuar për kulturën e trashëgiminë kulturore. Në një përballje me dramaturgun Jeton Neziraj dhe gazetarin e Grupit KOHA, Shaban Maxharraj, ministri Hajrulla Çeku ka folur për veprimet e deritashme në Ministri e po ashtu edhe për disa objektiva.
“Mosbesimi” në zgjidhje të shpejta
Ministri Çeku ka thënë se sivjet do të hyjë në fuqi ligji unik për kulturën, i cili do të shfuqizojë shumicën prej ligjeve që rregullojnë punën e institucioneve qendrore të kulturës. Por ende nuk ka përfunduar koncept-dokumenti për këtë ligj. Grupi punues ende nuk është kontraktuar për ta kryer këtë punë me gjithë takimet që kanë mbajtur deri tash.
“Problemet janë kronike, janë të shtresëzuara dhe zgjidhjet nuk besoj se mund të jenë të shpejta për problemet që janë grumbulluar aty për vite të tëra. Lëvizjet që i kemi bërë dhe po vazhdojmë t’i bëjmë kanë të bëjnë me ndryshime strukturore”, ka thënë ai. Ka treguar se besojnë që legjislacioni i kulturës jo vetëm se është i pamjaftueshëm, por shpesh është edhe kufizues.
“Me ato ligje që i kemi në sfera të ndryshme të kulturës ne hasim në shumë burokraci në pengesa të tjera dhe ato nuk mundësojnë një ambient ku mund të zhvillohet veprimtaria artistike për këtë arsye e kemi nisur hartimin e një koncept-dokumenti, ku po e rishikojmë jo vetëm legjislacionin, por edhe aktet e tjera që e rregullojnë funksionimin e institucioneve publike”, ka thënë ai. Ka shtuar se do të bëhet rekrutim i stafit të ri nëpër institucione në mënyrë që të pavarësohen edhe sa i përket buxhetit.
Aktualisht sistemi i menaxhimit është i centralizuar dhe për të gjitha shërbimet që marrin institucionet e kulturës dhe të trashëgimisë kulturore pagesat bëhen në Ministrinë e Kulturës. Ministri Çeku ka përmendur faktin se janë duke u mbajtur diskutime publike me komunitetin artistik për të gjetur formula të sakta për të dalë nga kriza. Deri tash ato janë mbajtur me komunitetin e teatrit, muzikës klasike, me atë të ansambleve popullore, me artet pamore e komunitetin e librit dhe të botimeve.
“Unë nuk u besoj zgjidhjeve të shpejta, për këtë arsye i kemi hyrë këtij procesi afatgjatë, por jo shumë afatgjatë sepse problemet janë aq të mëdha andaj ky vit do të na gjejë me ligj të ri që do të përmbysë këto ekzistueset dhe një ambient sa më pak burokratik të funksionimit të institucioneve”, ka thënë ai.
Neziraj: Diskutimet publike janë show
Por sa u përket zgjidhjeve, skeptik ka qenë dramaturgu Jeton Neziraj. Ai ka thënë se diskutimet në formën që janë duke u bërë me komunitet nuk japin zgjidhje. “Tingëllon si show. Tingëllon si show pasi rezultatet e atyre takimeve janë të barabarta me zero. Nëse e pyesim ministrin se cili është mësimi nga takimi që ka pasur me skenën teatrore, përgjigjja ka me qenë, po spekuloj, por ajo që dihet... dikush thotë se tash e 20 vjet s’më kanë lënë të bëjë shfaqje në teatër, dikush ligji është i keq...”, ka thënë ai. Sipas tij, bëhet fjalë për një komunitet të fragmentarizuar që nuk mund të japë zgjidhje. Sipas Nezirajt, MKRS-ja duhet t’i gjejë disa njerëz që merren me këtë punë e jo të ketë takime të formatit që i kanë.
Sa i përket financimit të projekteve të skenës së pavarur kulturore, ministri Çeku ka thënë se në thirrjen e këtij viti, që do të hapet në shkurt, do të ketë kritere të reja. Në këtë rast, Neziraj ka thënë se financimi i skenës së pavarur ka bërë dëme të mëdha pasi kishte skema korruptuese midis politikës dhe kulturës.
“Janë financuar projekte e pastaj është bërë marketing për parti politike. Është sikurse ajo skema me Ministrinë e Bujqësisë, por në këtë rast me shuma më të vogla”, ka thënë Neziraj.
Prioritetet e projekteve kapitale pa lokacion
Ministri Çeku ka paralajmëruar ndryshime dhe ka përmendur edhe faktin që një zyrtar i Departamentit të Rinisë është arrestuar para disa ditësh pasi ishte zënë në flagrancë duke marrë para nga një biznes. Sipas tij, dyshimet janë që skema të jetë më e gjerë. Por, sipas tij, janë një sërë dosjesh që janë dorëzuar në institucionet që merren me hetime të këtyre rasteve.
I pyetur për projektet kapitale, ministri Çeku ka renditur disa prej tyre që janë më prioritare. Ka thënë se sa u përket projekteve në kulturë, vetëm teatri i operës dhe baletit nuk e ka lokacionin e caktuar. Vitin e kaluar, MKRS-ja ka hequr dorë nga lokacioni te Fakulteti Teknik dhe Komuna e Prishtinës ka paraparë që atje të ndërtohet një kampus i ri universitar për Universitetin e Prishtinës, “Hasan Prishtina”. Projekti dhe vënia e gurit themeltar për një teatër të operës në këtë lokacion para më shumë se një dekade i kanë kushtuar Kosovës mbi një milion euro. I pyetur për emrin që do ta ketë ky institucion, duke pasur parasysh që si projekt kapital ka emrin e ish-presidentit Ibrahim Rugova, ministri Çeku ka thënë se kjo çështje mbetet e hapur. Sipas tij, e rëndësishme është që të gjendet lokacioni dhe të ndërtohet objekti. Ka treguar se janë ndarë mjete për punësimin e fillimisht pesë vetave në Operën e Kosovës, institucion i themeluar nga Kuvendi në gusht të vitit të kaluar. Sa i përket faktit që Opera ka vetëm Këshill drejtues e zëvendësues të drejtorit, ka thënë se institucioni nuk është veç të punësuar edhe lokacion, por është edhe program.
Sipas ministrit Çeku, janë duke u bërë zgjidhje për projekte kapitale që tash e një dekadë nuk kanë lokacion.
“Salla koncertale sipas të gjitha gjasave vazhdon në objektin e ish-Gërmisë. Muzeu i artit bashkëkohor sipas të gjitha gjasave do të jetë te Tulltorja dhe këtë proces po e trajtojmë në kuadër të ‘Manifestas’. Një funksion i kësaj bienaleje do të jetë lokacioni për këtë muze”, ka thënë ai.
Sa i përket ish-Gërmisë, Komuna e Prishtinës vitin e kaluar ka zgjedhur një projekt me autor arkitektin japonez, Kengo Kuma. Por për implementim duhet pëlqim nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve pasi bëhet fjalë për një monument. KOHA ka marrë vesh se MKRS-ja në emër të një “kompromisi” për sallë koncertale pajtohet që monumenti të shpërfytyrohet.
Teatri me Teatrin e ri Kombëtar
MKRS-ja ka të planifikuar edhe një teatër të ri kombëtar. Por sipas asaj që ka thënë ministri Çeku, kanë lëvizur hesapet.
Ka treguar se afërsisht nga fundi i marsit do të mbyllet Teatri Kombëtar i Kosovës pasi do të shkojë në rinovim pasi ka telashe të mëdha të funksionojë në gjendjen që është tash.
“Teatri i ri kombëtar është një projekt që ndërhyn në Teatrin aktual. Nuk do të rrënohet si monument, por punojmë me teknikën...”, ka thënë ai. Ka aluduar që do të ndërhyhet në shtim kapacitetesh në ndërtesën aktuale.
Në këtë rast ka ndërhyrë Neziraj, duke thënë se kur thuhet teatri i ri kombëtar nënkupton një institucion të ri edhe një objekt e ri.
Te trashëgimia kulturore ai ka folur për ndërhyrjet emergjente. Ka thënë se po punohet që deri në fund të vitit 2023 do nuk do të ketë monumente në rrezik. Sa i përket kompleksit memorial “Adem Jashari” ka thënë se është duke u bërë një ndërhyrje emergjente dhe Komisioni do të bëje detyrën projektuese e më pas do të shpallet konkurs ndërkombëtar për një master-plan. Ka paralajmëruar trajtim të mëpastajshëm edhe për monumentet ku ka ndërhyrje emergjente. Ka përmendur faktin se është funksionalizuar Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore dhe se janë dorëzuar mbi 50 dosje të monumenteve që të shqyrtohen për t’u përfshirë në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përhershme.