Kulturë

Janari i “Pa vend” prej “Sundance Film Festival” e gjashtë festivale të tjera

Një festival në SHBA, tri festivale në Francë, një në Norvegji dhe një në Angli e Itali janë stacionet e filmit “Pa vend” për këtë muaj. Regjisori Samir Karahoda ka theksuar se ajo që e bën një film të mirë është komunikimi me publikun dhe, sipas tij, meqenëse filmi po vlerësohet nga të gjitha anët e botës kjo tregon se kanë bërë një punë të mirë

Agjenda e filmit “Pa Vend” nën regji të Samir Karahodës është e ngjeshur sa u përket datave të këtij muaji. Është pjesë e shtatë festivaleve. Prej 11 janarit ka nisur të shfaqet në ngjarje prestigjioze të kinematografisë. Të enjten nis ajka e angazhimeve për këtë muaj, “Sundance Film Festival” në Utah të SHBA-së. Ekipi i filmit ashtu si e gjithë bota, festivalin do ta përcjellë online. Ka anuluar të gjitha aktivitet me pjesëmarrje fizike për shkak të rritjes së numrit të të infektuarve me Omicrom.

“Ani pse jemi të zhgënjyer që nuk mund të ofrojmë një edicion hibrid, e as të tillë me prezencë të publikut, edhe ky vit do të ketë atë eksperiencën magjike dhe do të përçojë energji”, ka shkruar festivali në njoftimin, ku ka treguar se janë anuluar të gjitha biletat e rezervuara për ngjarjen e sivjetme.

Edicioni i sivjetmë i “Sundance Film Festival”, që nis më 20 janar, do të përfundojë më 30 të këtij muaji. Shpresat për ekipin e “Pa vend” për t’u shpërblyer janë të mëdha bazuar në faktin se vitin e kaluar në këtë festival histori bëri pikërisht një film nga Kosova. “Zgjoi” nën regji të Blerta Bashollit mori çmimin e jurisë, atë për regji dhe të audiencës.

Në listën e festivaleve më të rëndësishme gjatë këtij viti është edhe Festivali i Filmit në qytetin Clermont-Ferrand në Francë. Është festivali më i rëndësishëm në botë për film të shkurtër. Nga 8 mijë e 200 filma sa kanë aplikuar, vetëm 77 prej tyre janë përzgjedhur për të qenë në garë, mes tyre edhe filmi i Karahodës. Festivali nis edicionin e 44-t më 28 janar dhe e përfundon më 5 shkurt.

Filmi këtë muaj është pjesë edhe e dy festivaleve të tjera franceze: edicionit të 34-t të “Premier Plans”, që nis më 24 dhe përfundon më 30. Është një festival i rëndësishëm në qytetin francez Angers, dedikuar filmbërësve të rinj dhe të atyre pas diplomimit. Është edhe në edicionin e 35-të të “FipaDoc” që mbahet në Biarritz e që nisi më 17 dhe përfundon më 23 janar.

“Pa vend” po ashtu është në garë në edicionin e sivjetmë të Festivalit të Filmit në Trieste. I themeluar natën e rënies se Murit të Berlinit, është një nga ngjarjet kryesore italiane që i dedikohet kinemasë së Evropës Qendrore dhe Lindore. Për më shumë se 30 vjet në fokus ka promovimin e kinemasë dhe të vendeve e regjisorëve që shpesh janë më pak të njohur për Italinë dhe për audiencën perëndimore në përgjithësi. Këtë vit, ky festival do të ketë një pasqyrë goxha të qartë edhe të kinematografisë së Kosovës.

Në edicionin e 33-të, që mbahet prej 21 deri më 30 janar, përveç “Pa vend” që është në garë për filmin më të mirë të shkurtër, në këtë festival do të shfaqen edhe tre filma të metrazhit të gjatë nga Kosova: “Luaneshat e kodrës” nën regji të Luana Bajramit dhe “Në kërkim të Venerës” nën regji të Norika Sefës janë në garë për filmin më të mirë të gjatë, kurse “Vera andrron detin”, nën regji të Kaltrina Krasniqit shkon si mysafire nderi.

Regjisori Samir Karahoda ka theksuar se ajo që e bën një film të mirë është komunikimi me publikun.

“Meqenëse filmi po vlerësohet nga të gjitha anët e botës, sidomos edhe nga festivale të rëndësishme botërore mendoj që kemi bërë një punë të mirë si ekip dhe e kemi arritur qëllimin që edhe të sensibilizojmë këtë temë në vendin tonë”, ka thënë Karahoda.

Filmi ndërtohet mbi suksesin e klubit prizrenas të pingpongut “Lidhja e Prizrenit”, duke përcjellë përpjekjet e vazhdueshme të Jeton Mazrekut dhe Ermegan Kazazit, të udhëhequr nga trajneri i tyre Rifat Rifati, që të mbajnë sportin e pingpongut gjallë, duke zhvilluar breza të rinj pingpongistësh.

Rrëfimi nga Kosova është pjesë edhe e edicionit të 34-t të “Minimalen Short Film Festival”, që nisi më 11 janar e përfundoi më 16. Në festival u shfaqën mbi 200 filma, që mbahet në Trondheim të Norvegjisë. Këtë muaj, “Pa vend” është edhe pjesë e edicionit të 19-të të “London Short Film Festival” prej 11 deri më 16 janar.

Karahoda debutoi si regjisor me dokumentarin e tij “Në mes”. Me këtë projekt për herë të parë e vuri emrin e Kosovës në konkurrencën zyrtare të “Berlinales”, një prej festivaleve më të shquara të Kategorisë A, ku u shfaq premierë në shkurt të 2019-s.

Me projektin e dytë filmik “Pa vend” bëri histori si i pari produksion vendor që garoi për “Palmën e Artë”. “Pa Vend” s’e mori “Palmën e Artë”, por la në Cannes emrin e Kosovës. Hapi derë të re për regjisorët vendorë. Ani pse nuk u shpërblye në festivalin ku pati edhe premierën botërore më 16 korrik të vitit të kaluar, u bë filmi i parë nga Kosova që Festivali i Filmit të Cannes e kandidoi për Çmimin e Akademisë Evropiane të Filmit. Qe filmi i parë i Kosovës i nominuar për filmin më të mirë evropian. Ishte në garë edhe për çmimet e Akademisë Amerikane.

Përkundër sukseseve, Karahoda ka thënë se një shtëpi siç duhet për sportistët do të ishte veç hapi i parë i përjetësimit të një fitoreje që do ta vuloste një ëndërr të bërë realitet.