Nuk ka ngjarje prestigjioze të muzikës në botë ku Lipa nuk është aty. Shpesh edhe me triumfe të shumëfishta. Ajo që më 2015 konsiderohej si yll në ngritje, sivjet shkëlqimin e ka pasur në kulm. Përtej profesionit, është shndërruar edhe në një ambasadore të zonjën për Kosovën
“Ende jam vetëm në hapat e parë”, do të thoshte Dua Lipa në dhjetor të vitit 2015 për numrin festiv të “Kohës Ditore”. Në një intervistë ekskluzive, asokohe Lipa kishte folur për fëmijërinë e saj, lidhjen me muzikën nëpërmjet të atit Dukagjin Lipa e deri te planet për të ardhmen. Asokohe po përjetonte fillet e para të popullaritetit e ndikimit në industrinë muzikore. Kënga e saj debutuese, “New Love”, qe përhapur shpejt. E dyta, “Be the One”, ishte bërë “kolonë zanore” e 2015-s duke pushtuar top-listat.
Gjashtë vjet më vonë, nuk ka ngjarje prestigjioze të muzikës në botë ku Lipa nuk është aty. Shpesh edhe me triumfe të shumëfishta. Ajo që më 2015 konsiderohej si yll në ngritje, sivjet shkëlqimin e ka pasur në kulm. Përtej profesionit, është shndërruar edhe në një ambasadore të zonjën për Kosovën. E sa u përket shqiptarëve, nuk është ndalur me kaq. Ka ndihmuar popullin e saj edhe me investime.
“Grammy” i radhës...
Në mars të vitit 2021, Dula Lipa shkëlqeu në ceremoninë e 63-të të çmimeve “Grammy”. Emri i saj nuk ka munguar në listën e fituesve. Albumi “Future Nostalgia”, që i dha Duas epitetin “Alfa e discos”, i solli edhe “Grammyn” e radhës.
“Zot i madh. Wow, faleminderit shumë! Kjo është një çmenduri e vërtetë. Albumi ‘Future Nostalgia’ është shumë i rëndësishëm për mua dhe ma ka ndryshuar jetën në shumë mënyra. Por një gjë të cilën e kam kuptuar gjatë realizimit të tij, është se sa e rëndësishme është ndjenja e lumturisë për të gjithë ne”, kishte thënë ajo për albumin e lansuar në kohë pandemie. Kishte treguar se në fund të albumit të saj të parë kishte menduar se duhet bërë muzikë të trishtë për ta ndier se ajo ka rëndësi.
“Prandaj jam mirënjohëse dhe e nderuar për këtë çmim, pasi që lumturia është diçka që të gjithë e meritojmë e që na duhet në jetën tonë”, kishte vazhduar ajo.
Secila nga njëmbëdhjetë këngët e albumit “Future Nostalgia” shpërndan një ndjenjë euforike që rritet nga tingujt e parezistueshëm.
Lipa ishte e nominuar edhe në pesë kategori të tjera, përfshirë albumin e vitit, këngën dhe incizimin e vitit, performancën më të mirë pop për “Don’t Start Now”, performancën më të mirë pop si duo a grup për bashkëpunimin e saj me Balvin, Bad Bunny dhe Tainy, për këngën “Un Dia”.
Edhe pse triumfoi vetëm në njërën kategori, i dhuroi publikut një nga performancat më të mira në “Grammy”. “Fantazinë më të mirë pop”, siç e cilësuan shumë kritikë. Performanca e saj shpërfaqte një nostalgji për t’u kthyer në pistën e vallëzimit.
Lipa interpretoi dy këngë: “Levitating”, bashkëpunimin simpatik me DaBaby, dhe super hitin e saj “Don’t Start Now”. Doli në skenë me një fustan ngjyrë rozë me një sfond surreal me re ngjyrë trëndafili për të interpretuar “Levitating”. DaBaby u ngjit në skenë menjëherë më pas për të interpretuar vargun e tij për remiksin e këngës e Lipa iu bashkua në skenë më vonë për të vazhduar interpretimin e këngës “Don’t Start Now”. Ani pse Lipa nuk u largua me ndonjë trofe tjetër përveç atij për albumin më të mirë pop, koreografia e saj e gjallë dhe muzika pushtuan zemrat e shikuesve, tek të cilët u ngjall dëshira për të vallëzuar.
Fituese e dyfishtë në “Brit Awards”
“Kjo ishte Dua Lipa – mbretëresha juaj”, do të thoshte komediani britanik, Jack Whitehall më 11 maj, në fund të edicionit të 41-të të “Brit Awards”. Këtë epitet ia ka dhënë yllit nga Kosova pasi që ajo ishte artistja më e shpërblyer në ceremoninë më të madhe britanike të industrisë muzikore. Jo pak mesazhe dha teksa pranoi trofetë. Ajo mori çmimin për albumin më të mirë britanik me “Future Nostalgia” dhe atë për artisten më të mirë. Me dy çmimet e asaj nate ajo tashmë ka pesë “Brit Awards”. Njëkohësisht vërteton edhe pozitën e saj në mesin e artisteve më të rëndësishme të zhanrit pop. Paraprakisht, më 2018, mori çmimin për artisten më të mirë britanike (Best British Female).
“Nuk po më besohet që kjo po ndodh. Ky album ka shumë kuptim për mua dhe faleminderit të gjithë atyre që e kanë dëgjuar. Ky album më ka mësuar shumë, si vetëbesimin, fuqinë, kurajën dhe më ka dhënë shumë dashuri dhe miqësi dhe u jam shumë falënderuese njerëzve të mrekullueshëm me të cilët kam punuar dhe kam krijuar një album të tillë”, kishte thënë Lipa kur kishte pranuar trofeun e dytë në ceremoni, atë për albumin më të mirë britanik.

Lipa, gjersa ka pranuar çmimin e u është drejtuar 2 mijë e 500 punonjësve shëndetësorë të cilët kanë marrë bileta për ta ndjekur këtë spektakël që pati në publik rreth 4 mijë shikues, nuk e shmangi as politikën. Çmimin për albumin më të mirë ia dedikoi Folajimi Olubunmi-Adewoles, 20-vjeçarit që vdiq duke u përpjekur për të shpëtuar një grua që kishte rënë në lumin Thames në prill. Bëri thirrje që një çmim për dëshmim të trimërisë i takon atij dhe Joaquin Garcias, të cilët nuk e njihnin njëri-tjetrin e madje as gruan që ra në lumë, por nuk hezituan që ta ndihmonin. Por, ky nuk ishte dedikimi i saj i vetëm.
Me ta pranuar çmimin për këngëtaren më të mirë britanike i ishte bashkuar iniciativës për t’ia dedikuar çmimin e saj dikujt tjetër, duke e ftuar kryeministrin britanik, Boris Johnson, që ta përmbushë propozimin për rritje të pagës për 1 për qind për punonjësit e vijës së parë gjatë pandemisë.
Më 2022 do të jetë prapë në ceremoni. Ajo është në mesin e të nominuarve për çmimet “Song of the Year” (Kënga e vitit) me këngën “Cold Heart” bashkë me këngëtarin Elton John e po ashtu edhe në kategorinë “Best pop/R&B”.
Sa i përket “Best pop/R&B”, është në garë me Adele, Ed Sheeran, Advertisement, Griff dhe Joy Crookes. Ceremonia e ndarjes së çmimeve do të mbahet më 8 shkurt.
“Sunny Hill Kindergarten” dhe promovimi i Shqipërisë
Pas sukseseve të mëdha në jetën profesionale, në korrik Dua Lipa gjeti kohë për Shqipërinë për të lënë gjurmë me ndërtimin e kopshtit për fëmijë “Sunny Hill Kindergarten”. Me rastin e qëndrimit të saj në Shqipëri, 25-vjeçarja vizitoi punimet për rindërtimin e Kopshtit 42, i cili ishte dëmtuar nga tërmeti i 2019-s.
“Një yll që rrezaton fort në qiellin e muzikës botërore, por një shqiptare e mirë, bujare dhe me zemër të madhe”, kishte thënë atë ditë kryebashkiaku, Erion Veliaj.
Në mënyrë simbolike, ai i ka dhuruar Lipës një targë të personalizuar “Dua 100 TR”, për të cilën kishte thënë me humor se është “një mënyrë për ta hapur rrugën më lehtë në çdo postbllok e semafor”.
Kurse këngëtarja Dua Lipa ia kishte kthyer nderin përmes një dhurate simbolike të një ekzemplari të albumit të saj të fundit “Future Nostalgia”, të cilin e ka nënshkruar me dedikim për Veliajn.
“Ju lumshin durt për krejt punën që e keni bo. Kopshti ka me kan’ shumë i bukur dhe po ndihna shumë krenare që mundem me marrë pjesë si ‘Sunny Hill Foundation’ për këtë kopsht. Shpresoj të shohim ma shumë këso sene të mira për vendin tonë. Jam shumë krenare që jam shqiptare”, kishte thënë Lipa gjatë vizitës. E kryeministri Edi Rama e kishte përshkruar Lipën si një alamet njeriu.
“Uroj që ajo të rrojë e të mbretërojë 100 vjet në fronin ku është ulur, po brenda meje mbeti gjurma e vajzës së mençur, të edukuar e modeste si të ishte askushi, e cila është me siguri krenaria e lumturia e prindërve dhe e krejt familjes së saj, pikërisht sepse çka i takon botës nga ylli i muzikës, nuk ka prekur asnjë fije atë çka u takon atyre nga vajza e tyre. Çfarë çike”, kishte shkruar Rama në postimin e tij në “Facebook”. Lipa për disa ditë kishte qëndruar në brigjet e Jonit dhe nëpërmjet fotografive kishte marrë vëmendje duke promovuar bregdetin shqiptar në sytë e miliona ndjekësve të saj në rrjete sociale.
“Si një vend i vogël, Kosova është duke shpërthyer me kreativitet...”
Por promovimin e shqiptarëve nuk e ka ndalur me kaq. Vjeshta – saktësisht mbrëmja e 10-të e nëntorit – Dua Lipën e ka gjetur në Këshillin Atlantik në Washington. Këshilli kishte vendosur që t’i nderojë ata që kanë ndihmuar në progres dhe në stabilitet në kohë të trazuara.
Ky ishte qëllimi edhe i ndarjes së Çmimit për Lidership të Dalluar (DLA) në “Mellon Auditorium”, ku u nderuan Ursula von der Leyen, Albert Bourla, Özlem Türeci, Ugur Sahin dhe Dua Lipa. Aty Lipa e nisi fjalimin e saj, duke falënderuar Këshillin Atlantik si një mik i madh i Kosovës dhe duke theksuar se është nder për të për të festuar së bashku përvjetorin e 60-të.
Lipa aty kishte thënë se ajo flet para të pranishmëve si një fëmijë i Kosovës që u lind dhe u rrit në Mbretërinë e Bashkuar, gjersa potencoi se është aty si mysafire e Shteteve të Bashkuara.
“Unë vij nga një vend për të cilin shumica prej jush do të keni dëgjuar, por ndoshta jo në mënyrën se si do ta përshkruaj. Dua të ndaj me ju pak gjëra për Kosovën time. Kosovarëve u pëlqen të festojnë, gjë që ndoshta nuk është befasi, pasi 50 për qind e popullsisë është nën njëzet e pesë vjeç”, kishte thënë ajo duke shtuar me shaka se zyrtarisht është e moshuar në Kosovë. Ka potencuar edhe kulturën e vendit për të pirë kafe.
“Si një vend i vogël, Kosova është duke shpërthyer me kreativitet dhe kam shumë shembuj, por po i përmend vetëm disa. ‘Zgjoi’, një film i bukur kosovar, fitoi tre çmime kryesore në edicionin e sivjetmë të ‘Sundance’. Mbajeni atë në mendje kur flasim për ‘Oscars’”, kishte thënë ajo gjersa ka treguar se Prishtina është edhe nikoqire e “Manifestas” vitin 2022. Me një buzëqeshje do të tregonte se madje edhe gazetarët më me nam spekulojnë mbi atë se çfarë ka në ujin e vendit që sjell artistë muzikorë kaq të suksesshëm.
“Krejt çka mund të them është na jepni një mundësi dhe ne do të shkëlqejmë”, kishte thënë Lipa. Midis të tjerash kishte shtuar se për të, fakti se ka këtë identitet të dyfishtë ka qenë diçka pozitive. Ajo kishte treguar se Kosova ende përballet me shumë sfida, dhe shpesh është brezi i ri ai që i bart mbi vete ato.
“Të rinjtë luftojnë për të gjetur punë dhe mundësitë e tyre pengohen nga kufizimet që e bëjnë të vështirë udhëtimin për punë ose për qejf. Pasi kemi përmbushur të gjitha kriteret, Komisioni Evropian në fakt ka rekomanduar liberalizimin e vizave për Kosovën, për më shumë se tre vjet më parë. Pra, a mendoni se ne mund ta bëjmë atë tani? Ose…”, kishte thënë Lipa. Gjasat janë që në vitin 2022 ajo t’i kthehet Kosovës me ndonjë performancë me festivalin e saj “Sunny Hill Festival”. Më 2020 dhe 2021 festivali që për dy vjet i solli Kosovës emra me nam të industrisë muzikore nuk u mbajt shkaku pandemisë. Por Lipa gjeti forma të ndryshme për ta promovuar vendin e saj. Madje, si një ambasadore që mundet dhe di ta bëjë këtë. Këtë ritëm të promovimit duket sikur e ka fort për qejfi e nuk do të ndalet. Mbase, siç thoshte më 2015 për karrierën e saj, tash në promovimin e Kosovës është veç në hapat e parë.