Kulturë

Rinovimi i Shtëpisë së Kulturës në Prizren: nënshkruhet kontrata, s’ka leje

Descriptive Text

Përderisa Komuna e Prizrenit e ka marrë si punë të kryer rinovimin e Shtëpisë së Kulturës, teksa për këtë dhe objekte të tjera ka nënshkruar kontratë prej 765 mijë eurosh, autoriteti i trashëgimisë kulturore, s’ka dhënë pëlqim. Projekti – sipas arsyetimit për refuzim të kërkesës – parasheh ndryshime të dukshme në këtë ndërtesë të periudhës moderne. Kjo është përplasja e radhës midis Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore dhe Komunës së Prizrenit

Komuna e Prizrenit ka nënshkruar kontratën për renovimin e ndërtesës së Shtëpisë së Kulturës “Xhemajli Berisha”, ndërkohë që Qendra Rajonale për Trashëgiminë Kulturore nuk ka dhënë pëlqim për realizimin e këtij projekti. Në fakt, Komisioni për shqyrtim dhe vlerësim të kërkesave dhe projekteve konservuese, restauruese të trashëgimisë kulturore në Qendrën Historike të Prizrenit, pas shqyrtimit të lëndës, e ka rekomanduar refuzimin e kërkesës për rinovimin e Shtëpisë së Kulturës, pasi projekti parasheh ndryshime të dukshme në këtë ndërtesë të periudhës moderne.

“Refuzohet kërkesa për rinovimin e Shtëpisë së Kulturës ‘Xhemajli Berisha’, për këto arsye: Rinovimi i ndërtesës parasheh ndryshime të dukshme, respektivisht zëvendësimin e materialeve, elementeve origjinale, etj., të cilat zëvendësohen me materiale joadekuate dhe pa ndonjë kriter, p.sh. zëvendësimi i materialeve dhe elemente të akustikës të cilat gjenden në sallën kryesore të ndërtesës. Ndërhyrjet të cilat parashihen të realizohen në ndërtesën ekzistuese të Shtëpisë së Kulturës, sipas projektit të paraqitur, ndryshojnë komplet pamjen, materialet dhe elementet karakteristike të saj. Andaj, konsiderojmë që Shtëpia e Kulturës u përket ndërtesave të para të qytetit të kategorisë së tillë, dhe rrjedhimisht, ndërhyrjet nuk mund të realizohen pa u bërë një studim/analizë dhe vlerësim i mirëfilltë, ku prezantohen dhe specifikohen vlerat e gjendjes ekzistuese nga ekspertet të fushës, gjithmonë duke respektuar të kaluarën meritore të saj dhe rëndësinë që ngërthen në vete”, thuhet në rekomandimin e Komisionit, që është përpiluar më 15 nëntor.

Paraprakisht, ky Komision ka sqaruar se përfaqësues të Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport të Komunës së Prizrenit përmes Drejtorisë së Urbanizmit kanë parashtruar kërkesë në Qendrën Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Prizren për marrjen e pëlqimit për renovimin e Shtëpisë së Kulturës “Xhemajli Berisha”, në rrugën “Saraçët”, e cila ndërtesë sipas përshkrimit, gjendet brenda Qendrës Historike të Prizrenit, gjegjësisht sipas Planit të Konservimit dhe Zhvillimit për Zonën Historike të Prizrenit, në Zonën e VI – Zona e shfrytëzimit të përzier dhe banimit, dhe se “u takon objekteve të periudhës moderne, respektivisht të viteve ‘50 dhe është ndërtuar me materiale bashkëkohore të periudhës përkatëse. Në afërsi të shtëpisë së Kulturës ‘Xhemajli Berisha’ gjenden asetet, të cilat gjenden në Listën e Trashëgimisë Kulturore nën Mbrojtje të përkohshme (2021-2022), si: Teqja Halveti, Xhamia e Kukli Beut, Shtëpia e familjes Shehu, Shtëpia dhe Selamllëku i Shani Efendiut, Kino Lumbardhi, Shtëpia e familjes Paçarizi, e të tjera”.

Drejtori i QRTK-së në Prizren, Samir Hoxha ka konfirmuar se rekomandimi i Komisionit ka qenë refuzimi i projektit të DKRS-së për Shtëpinë e Kulturës në Prizren, për arsyet e dhëna në shkresë.

Komuna e Prizrenit në muajin qershor të këtij viti kishte shpallur njoftimin për kontratë për projektin e titulluar “Rinovimi dhe mirëmbajtja e objekteve ekzistuese kulturore sportive ne Prizren (Faza e dytë), dhe Rinovimi i Shtëpisë së Kulturës 'Xhemajli Berisha' (projekt dyvjeçar)”, me vlerën e parashikuar prej 800 mijë eurove. Ndërsa, kontrata përkatëse me operatorin ekonomik është nënshkruar në fillim të muajit tetor në vlerë mbi 765 mijë euro, me ç'rast punimet parashihet të përmbyllen për 400 ditë pune.

Shefi i Zyrës së Prokurimit në Komunën e Prizrenit, Isa Osmankaj ka pohuar se të gjitha njësitë kërkuese, përkatësisht drejtoritë komunale janë të njoftuara se për projektet që kanë të bëjnë me zonën historike të Prizrenit duhet që paraprakisht të sigurohen pëlqimet nga Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore dhe Këshilli për Trashëgimi Kulturore i Qendrës Historike të Prizrenit.

“Është dashur që para inicimit të procedurës së prokurimit të sigurohen pëlqimet, ose paralelisht me zhvillimin e procedurës së prokurimit t’i sigurojnë edhe pëlqimet. Tash e kam kuptuar, pasi i kemi nënshkruar kontratat, që nëse nuk gaboj për dy projekte nuk ka pëlqime të QRTK-së. Nuk është në rregull, sepse duhet të zhvillohen punët sipas radhës, pra fillimisht të sigurohen të gjitha pëlqimet”, ka deklaruar Osmankaj, për KOHËN.

Sipas tij, në rastin konkret DKRS duhet të angazhohet që t’i përmbushë rekomandimet e QRTK-së, për të hapur rrugën për realizimin e projektit.

“Menaxheri i kontratës, përkatësisht DKRS, duhet të bëjë përpjekje që sa më parë të largohen pengesat që i ka cekur QRTK-ja dhe të fillohet me implementim të kontratës. Pa atë pëlqim nuk guxon të zhvillohet asnjë aktivitet. Nëse ju kujtohet, para 4 vjetësh, e kemi anuluar teleferikun që ka qenë projekt kapital, ku njëra prej arsyeve ka qenë se QRTK-ja nuk i ka dhënë pëlqimin për vendosjen e teleferikut në atë pjesë, dhe meqë s’kemi pasur kontratë të nënshkruar, por ka qenë procedurë e prokurimit jemi detyruar ta anulojmë”, është shprehur Osmankaj.

Javë më parë edhe projekti për rigjenerimin e brigjeve të Lumbardhit pati krijuar përplasje ndërmjet QRTK-së dhe Komunës së Prizrenit, me ç’rast pas fillimit të punimeve të iniciuara nga Komuna e Prizrenit, kishte intervenuar Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore për t’i ndaluar ato. QRTK-ja në Prizren kishte vlerësuar se vërejtjet që i ka dhënë nuk janë marrë parasysh nga organet komunale, dhe për pasojë, nuk ka lëshuar pëlqimin për këtë projekt. Në anën tjetër, Drejtoria e Urbanizimit kishte theksuar se ka ndjekur hapat ligjorë për të lëshuar lejen për këtë projekt, për të cilin aktvendim QRTK-ja ka parashtruar ankesë në shkallën e dytë të vendimmarrjes.