Se Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit i mungon buxheti përsëritet përvitshëm, por në praktikë hesapet janë ndryshe. Asaj i tepron buxheti pasi nuk ia del ta shpenzojë. Dështon kryesisht në investime kapitale, e në këtë linjë sivjet i teprojnë hiç më pak se 5.5 milionë euro në kulturë, rini e sport. Prej tyre 1.6 iu morën qysh në qershor e 3.9 milionë euro në fund të muajit të kaluar. Në kursim, hyjnë edhe gjysmë milioni nga mallrat, shërbimet dhe subvencionet. Për ata që udhëheqin organizata që merren me kulturë e trashëgimi kulturore, kjo gjendje tregon se Ministria nuk di të planifikojë
Ministria e Kulturës tradicionalisht nuk ka dalë e zonja në realizimin e projekteve kapitale që vetë i planifikon. Prej tyre ka projekte që vërtiten në ligjet e buxhetit për më shumë se një dekadë. Zyra Kombëtare e Auditimit vazhdimisht e ka klasifikuar Ministrinë e Kulturës në nivel jo të kënaqshëm sa i përket realizimit të projekteve kapitale.
Sivjet gjatë gjithë vitit MKRS-së i janë marrë nga Qeveria, 5.5 milionë euro nga buxheti që planifikohej për investime kapitale. Fillimisht, gjatë rishikimit të buxhetit nga kjo kategori MKRS-së i ishin marrë 1 milion e 600 mijë euro. Kurse nëpërmjet një vendimi të Qeverisë së Kosovës të ditës së fundit të nëntorit, MKRS-ja është goditur prapë në këtë aspekt. Sipas vendimit të Qeverisë, MKRS-së i kanë shkuar në kursime edhe 3 milionë e 909 mijë euro. Bashkë me mjete që kanë shkuar në kursime nga linjat e subvencioneve dhe mallrave e shërbimeve kjo shumë shkon në 4 milionë e 423 mijë euro. Vetëm deri tash MKRS-ja ka hequr dorë nga 5 milionë e 513 mijë euro që i kishte planifikuar për shpenzime kapitale.
Përtej kësaj, deri në fund të vitit, MKRS-ja pritet që të çojë në suficit edhe më shumë. Në total sivjet MKRS-ja kishte 18 milionë e 10 mijë euro të planifikuara për shpenzime kapitale. Buxheti në tërësi i MKRS-së për vitin 2021 ishte 35 milionë e 475 mijë euro, fiks 8 milionë e 700 mijë euro më pak se në vitin 2020.
Vërejtja që përsëritet
Projektet, buxheti i të cilave është prekur nga kursimet janë ai për teatër të baletit dhe operës, “Ibrahim Rugova”, Muzeu i Artit Bashkëkohor, rinovimi i Bibliotekës Kombëtare, disa shtëpi të kulturës nëpër komuna. Pastaj nga trashëgimia kulturore në kursime kanë shkuar mjete të parapara për Muzeun e Historisë së Natyrës, Qendrën Historike të Prishtinës, Muzeun e Paqes, Shtëpinë e Herticëve në Prishtinë, për disa kulla e shtëpi tradicionale që janë monumente. Trashëgimia kulturore dhe kultura i kanë çuar në kursime 1 milion e 747 mijë euro.
Ministria e Kulturës as vitin e kaluar nuk kishte performuar mirë sa u përket projekteve kapitale. Zyra Kombëtare e Auditimit e kishte renditur në mesin e pesë ministrive në realizimin më të dobët të objektivave në projektet kapitale. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit kishte shpenzuar 43 për qind të buxhetit për projekte kapitale. Prej 17 milionë e 478 mijë eurove ishin shpenzuar 7 milionë e 539 mijë euro.
“Vonesat në përfundimin e projekteve kapitale ndikojnë që MKRS-ja të mos arrijë objektivat e përcaktuara, si dhe mungesa e fondeve buxhetore për vitet pasuese mund të ndikojë që projektet e filluara të mos përfundohen edhe për një kohë të gjatë”, shkruhet në Raportin e Auditorit për vitin 2020.
Për dy ditë radhazi, MKRS-ja nuk i është përgjigjur KOHËS sa u përket shkurtimeve buxhetore e as për shpenzimin e buxhetit të këtij viti deri në fillim të këtij muaji.
Deri më 2 nëntor MKRS-ja kishte shpenzuar 47 për qind të buxhetit në tërësi përfshirë pjesën e mjeteve të Pakos së Ringjalljes Ekonomike në vlerë prej 5 milionë eurove.
Kritikat për menaxhim
Krejt kjo situatë për ata që udhëheqin organizata të pavarura në kulturë e trashëgimi kulturore është tregues se MKRS-ja nuk di të planifikojë.
Dramaturgu Jeton Neziraj, i cili udhëheq me Qendrën “Multimedia”, ka thënë se historitë ku MKRS-ja kthen prapa buxhetin për investime kapitale janë një rrëfim klasik. Sipas tij, situata tregon se Ministria vazhdon të jetë pothuajse ajo që ka qenë.
“Kjo dëshmon se në fakt, MKRS-ja nuk ka ndryshuar shumë. Kjo garniturë aktuale aty po përsërit të njëjtat politika që sall synojnë me i hedh hi në sy publikut. Pra, në njërën anë rritje të buxhetit të MKRS-së, në anën tjetër kthim mjetesh në fund të vitit për mosshpenzim. Çfarë kuptimi ka rritja atëherë?”, ka thënë Neziraj. Ka treguar se nuk e kupton se përse çdo vit ndahen kaq shumë mjete për investime kapitale, ndërkohë që skenën kulturore që punon dhe është aktive, e lënë në baltë.
“Teatrot e qyteteve sot rropaten me i nxjerr për projektet e tyre teatrore ato 25 mijë euro të premtuara nga MKRS-ja, e ajo, në anën tjetër kthen para në arkë të shtetit”, ka thënë ai.
E Sali Shoshi, që është drejtor ekzekutiv i Fondacionit kosovar për trashëgimi kulturore pa kufij “CHwB Kosova”, ka thënë se dërgimi i mjeteve në kursime, tregon për një planifikim jo të mirë të Ministrisë së Kulturës.
“Nuk ka mundësi që një shumë kaq e madhe t’i kthehet shtetit. Kjo tregon që dikush nuk është duke ditur të planifikojë si duhet”, ka thënë ai. Sipas Shoshit, vitin e kaluar sa i përket mosrealizimit të planeve mund të shihen edhe faktorë të jashtëm siç ishte pandemia. Ka thënë se sivjet nuk kanë ndikuar faktorët e jashtëm.
“Planifikimi i buxhetit dhe resurseve zbatuese nuk është i duhuri. Kjo është një arsye në shikim të parë. Nëse kanë ndërruar orientimet, kjo mund të jetë arsye tjetër”, ka thënë ai.
Ka marrë shembull ndërtimin e Muzeut të Historisë së Natyrës. Ka thënë se këtë projekt e ka kritikuar nga fillimi.
“Nuk kemi asnjë institucion që merret me natyrën në MKRS dhe nuk është përgjegjësi e MKRS-së. Ka koleksion, por jo edhe institucion që e menaxhon. Duhet të ketë sqarime për këto. Mungesa e sqarimit është problem më vete pasi duhet ta dimë se çfarë po ndodh”, ka thënë Shoshi. MKRS-ja ia ka mësyrë që projektin dhe punimet për Muzeun e Historisë së Natyrës, që deri tash shtetit i kanë kushtuar 165 mijë euro, t’i kthejë në pikën zero, prej studimit të fizibilitetit.
Historia e projekteve të dështimeve kapitale
Historia e disa projekteve të parealizuara kapitale të Ministrisë së Kulturës sa u përket kulturës dhe trashëgimisë kulturore kalon një dekadë. Teatri i operës dhe baletit “Dr. Ibrahim Rugova” është veç njëri prej tyre. Në dhjetor të vitit 2009 iu vunë themelet. Deri në atë ditë u shpenzuan mbi një milion euro. Punimet u ndërprenë për të mos nisur më kurrë. E këtë vit Ministria e Kulturës edhe hoqi dorë nga lokacioni ku planifikohej ndërtimi, hapësira afër Fakultetit Teknik në Prishtinë.
Qysh prej vitit 2008, MKRS-ja mban në sirtar një projekt për Muzeun e Artit Bashkëkohor. Për të pagoi 20 mijë euro. Planifikohej të ndërtohej në kampusin e Universitetit të Prishtinës, “Hasan Prishtina”. Por pikërisht në atë vend është ndërtuar Fakulteti i Edukimit. Projekti kapital secilin vit me “copy-paste” kalon te planet e reja. Por ende nuk ka një lokacion për të.
Sa i përket trashëgimisë kulturore në prill të vitit 2019 u vu guri themeltar për Muzeun e Historisë së Natyrës në Sllatinë të Fushë-Kosovës, pikërisht në zonën e njohur si “Te pishat”. U lidh një kontratë prej 2.4 milionësh. Punimet u ndërprenë në dhjetor të atij viti për të mos nisur më. Janë shpenzuar 165 mijë euro. E tash, MKRS-ja ka vendosur t’ia nisë nga fillimi me studim fizibiliteti. Për asnjërën nga projektet më të mëdha kapitale që shteti ka planifikuar për kulturë nuk ka ndonjë afat konkret. Përtej kësaj MKRS-ja ka nisur që të planifikojë edhe projekte të tjera të këtij rangu.