Kulturë

Skender Rizaj – historiani i gjurmëve të pashlyeshme

Descriptive Text

Historiografia shqiptare ka humbur një prej penave më të mprehta. Historiani Skender Rizaj, i cili njihet sidomos për hulumtimet e tij sa u përket shqiptarëve nën Perandorinë Osmane, vdiq të dielën. Ai ishte 91 vjeç.

Si historiani i parë në Kosovën e pas Luftës së Dytë Botërore, Rizaj do të ishte mësimdhënës historie e më pas edhe profesor universitar. Kontributi i tij shkencor në historiografi rrumbullakon disa shekuj. Vdekja e tij është parë si humbje e madhe për shkencën që merret me të kaluarën.

I lindur në Pejë më 14 mars 1930, Rizaj vinte nga një familje që i njihte mirë gjuhët orientale. Në qytetin e lindjes do të përfundonte shkollën fillore, kurse në Prizren shkollën normale. Studimet i kishte vazhduar në Shkup, për ta dhënë provimin shtetëror për profesor të gjimnazit më 1960 në Beograd. E Sarajeva do të bëhej vendi ku Rizaj do të vazhdonte studimet pasdiplomike deri në doktoratë.

Sipas biografisë së tij, në moshën 17-vjeçare ishte angazhuar në ilegalitet, ku mbante pseudonimin “Fishkëllima” dhe i takonte organizatës ilegale “Besa Kombëtare”. Për këtë edhe ishte dënuar me një vit burgim.

Kishte punuar si mësues në shkolla fillore e të mesme. Në Prishtinë kishte punuar si arkivist i Arkivit të Kosovës nga viti 1961 deri më 1963 e më pas edhe si mësimdhënës universitar.

Midis veprave të tij zënë vend: “Lidhja Shqiptare e Prizrenit në dokumente angleze”, Prishtinë, 1978, “Kosova gjatë shekujve XV, XVI dhe XVII - Administrimi, ekonomia, shoqëria dhe lëvizjet popullore”, “Rilindja”, Prishtinë, 1982, “Historia e Përgjithshme Koha e Re (1453-1789)”, Prishtinë, 1985, “Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1877-1885) dy vëllime-dokumente/The Albanian League of Prizren (1877-1885)”, Prizren, 1998, “E drejta historike e shqiptarëve për vetëvendosje/The Albanians Historical Right to Self-Determination”, Prishtinë, 2005; “Falsifikimet e historiografisë serbe /The Falsifications of Serbian Historiography”, Prishtinë, 2006.

Historiani i Institutit Albanologjik të Prishtinës, Nuridin Ahmeti, vitin e kaluar në një tekst të botuar në “Koha Ditore”, kishte renditur arritjet shkencore të Rizajt. Teksti ishte botuar në mars, në 90-vjetorin e lindjes së Rizës.

Të dielën Ahmeti ka thënë se nga materialet e shfletuara deri më sot, në lidhje me jetën dhe veprimtarinë e prof. dr. Skender Rizajt, mund të thuhet se fëmijëria e tij ishte me sfida e vështirësi, si shumica e fëmijëve të asaj periudhe në Kosovë. “Megjithatë, duke rrjedhur nga një familje që e respektonte diturinë dhe e kultivonin atë, profesori përkundër shumë sfidave jetësore arriti t’i përfundonte të gjitha nivelet e shkollimit, duke u bërë historiani i parë shqiptar në Kosovë pas Luftës së Dytë Botërore”, ka thënë ai duke iu referuar një punimi të tij që do ta botohet së shpejti. Sipas Ahmetit, si njëri nga intelektualët e paktë të kohës që kishte vendi ynë, profesori dha kontribut në ngritjen e kuadrit, fillimisht si mësues e profesor në shkolla fillore dhe të mesme në disa vende të Kosovës, e më pastaj edhe në Universitetin e Prishtinës. “Gjatë periudhës sa ligjëroi në Universitetin e Prishtinës, ai udhëhoqi një numër të konsiderueshëm studentësh në përgatitjen e diplomave në të gjitha nivelet e studimeve, e deri në doktorata”, ka thënë Ahmeti. Sipas tij, Rizaj u bë njëri nga profesorët më të dashur për studentët, duke iu dalë në krah sa herë që kishin nevojë.

“Periudha osmane te shqiptarët, posaçërisht aspektet e ndryshme shoqërore, ekonomike, administrative, nacionale etj., janë interesimet e tij shkencore, për të cilat problematika ka edhe rezultate të konsiderueshme”, ka thënë Ahmeti. Ka treguar se Rizaj është nga ata historianë që ka trajtuar një varg problematikash brenda periudhës afro pesëshekullore të Periudhës Osmane te shqiptarët. Sipas tij, pati raste kur hulumtimet dhe rezultatet shkencore të studiuesit prof. dr. Skender Rizaj tejkaluan edhe kufijtë e periudhës së sundimit osman te shqiptarët.

“Pjesa dërrmuese e studimeve të publikuara nga prof. dr. Skender Rizaj edhe sot e kësaj dite kanë mbetur referencë e rëndësishme për studiuesit e rinj të historisë dhe shkencave të përafërta. Profesor Rizaj përmes shkrimeve të tij mbi bazën e njohurive shkencore të mbështetura në argumente, nxiti jo një herë debat shkencor në lidhje me çështjet e ndryshme nga historia shqiptare”, ka thënë ai. Sado që zhvillimi i këtyre debateve në kohën e regjimeve antishqiptare ka mundur të kishte edhe pasoja të rënda, sipas Ahmetit, Rizaj asnjëherë nuk kishte hezituar që pikëpamjet e tij shkencore t’i plasonte në opinion.

“Ai për shumë çështje të historisë shqiptare dhe ballkanike, si: kishat serbe në Kosovë, Lidhja Shqiptare e Prizrenit, dyndja e madhe serbe nga Kosova në krye me patrikun Arsenije Çarnojeviqin III (1690), islamizimi te shqiptarë, etj., nuk ndoqi linjën tradicionale të interpretimit të historisë, por vazhdoi me trajtimin e këtyre çështjeve duke pasur gjithmonë si udhërrëfyes të vërtetën shkencore mbështetur vetëm në argumente të mirëfillta”, ka thënë Ahmeti.

Sipas njoftimit të familjes, profesori i ndjerë do të varroset në Prishtinë sot (e hënë) në mesditë.