Kulturë

Biennalja e Vizatimit në Ferizaj me 18 finalistë

Përderisa organizatorët e cilësojnë si organizim që tashmë e ka bërë identitetin e vet te komuniteti artistik, edicioni i pestë i Biennales së Vizatimit sivjet do të sjellë 24 vepra në Galerinë e Arteve të Ferizajt, të përzgjedhura krahas 80 të tjerave, që nuk u kualifikuan. Biennalja nisi rrugëtimin 10 vjet më parë, duke u organizuar çdo dy vjet në tentim të promovimit të artit të vizatimit, si një nga perlat antike të krijimtarisë pamore

Mbi 100 artistë kanë përdorur mediumin e vizatimit si teknikë për aplikim në edicionin e pestë të Binneales së Vizatimit në Ferizaj. Mirëpo, sivjet përderisa premtohen ekspozime të larmishme të veprave, janë përzgjedhur 18 artistë të cilët edhe janë në garë deri në shpalljen e tri çmimeve kryesore. Përgatitjet janë në finalizim e sipër.

Përderisa organizatorët e cilësojnë si ngjarje që tashmë e ka bërë identitetin e vet te komuniteti artistik, Bienalja sivjet do të sjellë 24 vepra në Galerinë e Arteve të këtij qyteti, të përzgjedhura krahas 80 të tjerave, që u përjashtuan nga gara.

Sivjet veprat do të vlerësohen nga juria në përbërje të Mehmet Behlulit, Nevzat Kicës dhe Ismet Jonuzit. Biennalja nisi rrugëtimin 10 vjet më parë, duke u organizuar çdo dy vjet në tentim të promovimit të artit të vizatimit, si një nga perlat antike të krijimtarisë pamore.

Agim Bujupi, Alaudin Elezi, Albion Begisholli, Ardita Krasniqi, Arton Behrami, Avni Demiri, Besa Kica, Bib Frrokaj, Blerim Tmava, Erion Kllokoqi, Fehim Huskovic, Fitim Avdyli, Gëzim Brestovci, Laureta Vogliqi, Leoneta Abyli, Muhamet Durmishaj, Shkurte Ramushi, Vahide Alija janë pjesëmarrësit e sivjetmë. Vijnë nga qytete të ndryshme nga Kosova e po ashtu edhe nga rajoni si Maqedonia, Shqipëria e Lugina e Preshevës, duke u bashkuar më 26 nëntor.

“Karakteristikë që e veçon këtë ngjarje artistike, që nga edicioni i parë, përveç të tjerash, është edhe mënyra dhe standardi i veçantë i organizimit duke ndjekur parime dhe metoda që mundësojnë që në thelb të vlerësimit të jetë vetëm vlera artistike e punimeve”, thuhet në njoftimin për medie të organizatorëve, Galerisë së Arteve në Feriztaj dhe Shoqatës së Artistëve Figurativë “Zef Kolombi”.

Nën kurimin e Jetullah Sylejmanit, veprat besohet se do t’ia shtojnë gjallërinë Galerisë dhe jetës kulturore të këtij qyteti. E sipas Sylejmanit, i cili po qëndron prapa procesit kuratorial, i gjithë organizimi është në një përpjekje të transparencës artistike.

“Bienalja e Vizatimit e ka krijuar identitetin e vet, është ndër të kërkuarat, ku njihen dhe aplikojnë artistë, gjithmonë janë shkëmbyer përvojat nga vendet e ndryshme”, ka thënë si në një intervistë të shkurtër për KOHË-n.

“Nuk kemi pasur temë të caktuar, artistët kanë qenë të lirë të aplikojnë me punime të ndryshme pa presion të temës”, ka thënë Sylejmani, i cili shtoi se ata kanë pasur të drejtë konkurrimi me disa vepra.

Sipas tij, një nga kriteret kryesore ka qenë fryma bashkëkohore e vizatimeve, duke bërë edhe një gërshetim mes një mediumi të vjetër dhe aktualitetit tematik e teknik.

“Kemi disa risi sivjet në kuptimin e vizatimeve. Kemi krijime gjatë pandemisë, ku artistët nuk e kanë shfrytëzuar kohën kot dhe ndoshta edhe vërehet reflektimi në vizatimet e tyre”, shtoi ai tutje.

Drejtori i kësaj Galerie, Skënder Bedriu, e çmon organizimin e kësaj Bienales.

“Është një nga ngjarjet më unike dhe më me vlera në galerinë tonë, do t’i japë një frymë ndryshe galerisë”, ka thënë ai.

“Jemi kujdesur që të ketë edhe juri nga vendet e tjera, për shembull nga Maqedonia në mënyrë që të njohim edhe vizatimet e frymës së atjeshme”, ka treguar kuratori Sylejmani.

Për të, artistët kanë shprehje artistike të ndryshme dhe kjo është garancia e llojllojshmërisë së veprave.

“Kemi tentuar që artistëve dhe artdashësve t’iu sjellim një ngjarje më të rëndësishme që organizohet në Galerinë tonë”, tha drejtori Bedriu.

Ekspozita e Biennales së Vizatimit do të hapet në mbrëmjen e 26 nëntorit, teksa edhe do të shpallen fituesit e tri çmimeve.