Kulturë

Dialogu me forma për të tashmen si burim i së ardhmes

Prishtinë, 6 korrik - Segmentet e përsëritura formojnë veprat. Por edhe dimensioni i tyre final duket segment. Skulpturat komunikojnë me njëra-tjetrën dhe ngjajnë si vazhdimësi e punimit paraprak. Të gjitha kanë fije të përbashkët segmentin që përsëritet për të nxjerrë produktin përfundimtar. Format kanë shumë rëndësi për skulptoren Leunora Salihu. E veçanta e saj është se nuk ndan bazamentin nga skulptura. Mobiliteti karakterizon skulpturat e saj që ndërtojnë kufijtë e së mundshmes duke u lënë vend edhe tejkalimit të tyre.

“Urraum” e punuar më 2011 nga druri dhe tepihu, që përbëhet nga shumë segmente që krijojnë atë që ngjan me një tunel të shkurtër, është vetëm njëra prej 18 veprave që përbëjnë ekspozitën personale “In Search of the Present”, e përkthyer në shqip si “Nga forma fillestare në të tashmen” të Leunora Salihut që është hapur të mërkurën mbrëma në Galerinë Kombëtare të Kosovës. E “Turm”, që përbëhet nga nëntë segmente që ndërtojnë skulpturën vertikalisht, jep mundësinë e një interpretimi të shumanshëm.