Kulturë

“DokuFesti” në mision për t’ua mësuar nxënësve bazat e rrëfimtarisë

Nxënësit nga 20 shkolla të ndryshme nga i gjithë vendi që nga koha e pandemisë janë duke realizuar projekte të ndryshme edukative bashkë me departamentin edukativ të “DokuFestit”. “DokuLab” u fokusua në krijimin e një programi që nxit kreativitetin në grupmoshat përkatëse në dy drejtime.

Drejtimi i parë ishte mësimi i teknikave digjitale për krijimin e videove dhe tregimeve nga studentët përmes teknikës “stop-motion”, ndërsa i dyti fokusohej në ndërgjegjësimin e studentëve për tema të caktuara të përzgjedhura përmes trajtimit të qëllimeve të zhvillimit të qëndrueshëm.

Ekspertët nga “AMAM Studio” u angazhuan për të mbajtur trajnime në formë kampi çdo fundjavë në Prizren me shkollat e interesuara. Ky kamp u fokusua në krijimin e materialeve, video që adresojnë tema të tilla si arsim cilësor, reduktimi i pabarazive, qytete të qëndrueshme dhe ndryshimet klimatike.

Eroll Bilibani, drejtues i “DokuLabit”, ka treguar sy ky është një projekt i financuar nga “Gizi” si pjesë e programit për përmirësimin e cilësisë së arsimit në nivelin fillor.

“Projekti ka filluar para pandemisë dhe është transformuar disa herë deri në gjetjen e formës me të mirë se si mund të ndihmoheshin nxënësit e 20 shkollave kampione nga shtatë komuna të Kosovës për të krijuar klube funksionale të mediave në shkollat e tyre”, ka thënë Bilibani, i cili ka shtuar se këto klube pastaj mund të shfrytëzohen nga shkollat për aktivitete të ndryshme shkollore.

Gjatë vikendit ata kanë pritur disa nxënës dhe gjatë javës në vazhdim do të presin edhe të tjerë pasi që projekti do të përmbyllet në dhjetor. Bilibani ka treguar se nxënësit ishin fokusuar kryesisht në krijimin e temave që ata i preokupojnë duke shfaqur kështu në një mënyrë brengat e tyre.

“Përmes këtyre tregimeve ata kanë trajtuar një problem, kanë mësuar se si t’i japin formë rrëfimit dhe se si përmes një tregimi vizual të trajtohet një problem, gjithmonë duke u fokusuar se si mund të bëhet zgjedhja”, ka thënë ai. Ka shtuar se si “DokuFesti” u kanë dhënë një hapësirë ku zëri i tyre mund të dëgjohet.

Ka treguar se gjatë muajit dhjetor filmat e shkurtër të realizuar nga nxënësit do të shfaqen Prizren, Gjilan, Shtime, Prishtinë, Obiliq e Gjakovë.

“Ky projekt është një ndër projektet me të lezetshme që kemi pasur, sepse kemi punuar me një grup të veçantë të fëmijëve, të cilët na kanë inspiruar edhe neve dhe shpresojmë që do të gjejmë edhe mënyra të ndryshme që në të ardhmen të bashkëpunojmë përsëri me këto shkolla, por pse jo edhe ta zbatojmë këtë qasje edhe në shkollat e tjera”, ka thënë ai.

Ka shtuar se mendon që ky është një sukses goxha i madh pasi që këto shkolla kanë arritur që përmes klubeve të tyre të mediave, që menaxhohet nga vetë nxënësit, të bartin këtë njohuri nga një gjeneratë te gjenerata tjetër, pikërisht përmes nxënësve.

Në kuadër të këtij programi “GIZ” po ashtu u ka dhuruar këtyre 20 shkollave kampione edhe pajisje, si: aparate fotografike, ekrane për projekt, kompjuterë, printerë, në mënyrë që këto klube të mediave të arrijnë të krijojnë gazetën e vet e kështu me radhë.

“Punëtoritë tona kanë qëllim krijimin e një hapësire që lejon lirinë e shprehjes dhe eksperimentimin me kinemanë. Nëse eksperimentimi dështon, atëherë mësojmë nga gabimet dhe i përmirësojmë qasjen dhe metodologjinë për gjenerata të reja”, ka thënë ai.

Departamenti edukativ i “DokuFestit”, “DokuLab” menaxhon Qendrën e Produksionit të Filmit për të Rinj dhe fuqizon mësimdhënësit në përdorimin e mjeteve audiovizuale në procesin mësimor dhe ndërlidhjen e tyre me metodat tradicionale e që adresojnë çështjet komplekse, zhvillojnë mendimin kritik dhe promovojnë zhvillimin shoqëror tek të rinjtë.