Filigran merr forma mbresëlënëse, inspiruar nga natyra. Argjendari rus, Dmitry Kuznetsov, frymëzimin e gjen të gjethet, manaferrat dhe lulet.
Me qendër të Novosibirsk, një qytet në Rusinë jugore, fama e tij është përhapur në tërë Rusinë dhe punimet e tij mund të kushtojnë deri në mijëra dollarë.
Veprat e tij të artit janë të veçanta dhe formohen nga kombinim stilesh që janë karakteristike për bizhuteritë siberiane.
“Përpiqem të kombinoj teknika të ndryshme për të bërë bizhuteri, teknika që mundësojnë kombinimin e formave, teksturave, vëllimeve dhe shpesh veçanti është në kontrastin e këtyre formave dhe teksturave, në ndryshimin e densitetit e të tjera”, ka thënë Kuzetsov.
Tri teknikat që përdor Kuznetsov janë filigrani, modelimi i dyllit dhe “mokume-gane”, një teknikë japoneze e përpunimit të metaleve.
Një nga stolitë më tipike dhe më të njohura që ka bërë së fundi është gjerdani i luleradhiqes i quajtur "Pranvera 2020", i cili i mori dy muaj për ta përfunduar.
Këtë vit ai shënon 30-vjetorin e biznesit të tij si argjendar.
Si i ri, ai shikonte vëllanë e tij të madh që punonte në një punishte gurprerjeje, duke përpunuar dhe lustruar gurë me ngjyra.
Tani ai thotë se bërja e këtyre veprave të artit nuk është diçka që mund të nxitohet.
“Mund ta bësh një pjesë të tillë brenda një dite, ose mund ta bësh për disa muaj pa u ndalur. Sa më shpejt të bësh bizhuteri, aq më fitimprurëse është, por jo gjithmonë është interesante nga pikëpamja artistike”, ka thënë Kuznetsov.
Punimet e tij më të thjeshta shiten në treg për 14 dollarë, por artikujt më kompleksë dhe të bërë me porosi shiten prej 136 dollarë e më tutje.
Kuznetsov i skicon idetë e tij në letër, por ndonjëherë ai ka një ide të qartë në kokën e tij dhe menjëherë fillon të punojë në materiale.
"Këtu kam një gur të çmuar që njihet me emrin agat, një peizazh dimëror në një pyll me pisha, në kohën e fillimit të dimrit mund të bësh një gjerdan me të", ka thënë Kuznetsov gjersa ka qenë duke menduar për dizajnin e ri.
Ndonjëherë skicat mbahen në sirtarë për një kohë të gjatë para se të nxirren dhe të marrin formë.
Filigrani është një teknikë për realizimin e bizhuterive që realizohet duke ngjitur me të edhe modele të arit, argjendit ose copëza të tjera të metalit. Asistentja e Kuznetsov, Alina Solyar, ka thënë se për dallim nga bizhuteritë me filigran të gjyshes së saj, punimet e tyre janë moderne dhe me stil.
“Filigrani kur e pashë se është shumë modern më ka habitur, pra mënyra sesi është punuar pasi që për mua personalisht filigrani ka qenë gjithmonë një art për gjyshet, me vathe, mbajtëse të syzave dhe bizhuteri të tilla të vjetra. Kurse gjithçka këtu është shumë moderne dhe me teknologji të lartë”.
Ajo ka tre vjet që punon me Kuznetsovin, por ka thënë se ende po i mëson sekretet e mjeshtërisë.
"Ka shumë gjëra që lidhen me natyrën, domethënë ‘Dima’ është shumë e frymëzuar nga natyra. Meqë ra fjala, një gjë të tillë e kam vënë re të stolitë e ‘Dimës’ ka shumë punime që janë të ngjashme me drunjtë”, ka thënë Solyar.
Artisti preferon të përdorë argjendin, megjithëse ai punon edhe me ar sipas porosisë.
Gurët e çmuar dhe gjysmë të çmuar janë pjesë e zakonshme e krijimeve të tij.
Kur ndjek teknikën japoneze “mokume-gane”, Kuznetsov përdor metale me ngjyra si nikel, argjend e bakër për lidhjet japoneze.
"Tani unë do të shkrij metalin, në mënyrë që të shtoj bakër në argjendin e pastër për ta bërë bashkë me argjend dhe për të lidhur pjesët të cilat më vonë do të shërbejnë për të bërë bizhuteri", ka shpjeguar Kuznetsov.
Në mesin e veglave të artistit është një që ka shumë vlerë dhe është antike.
"Kjo është një nga gjërat më të vlefshme që kam, është mjet pune i gjyshit tim. Gjatë luftës ai ishte kreu i shkritores në fabrikën tonë të avionëve. Arma e fitores ishte farkëtuar në të", ka thënë Kuznetsov.
Ky mjet i shërben prodhuesit të bizhuterive tani për të bërë gjëra shumë më delikate.
"Qëllimi kryesor i punës sime është t'u sjell gëzim njerëzve. Tentoj t’i qëndroj besnike kësaj, në mënyrë që njerëzit që blejnë bizhuteritë e mia të kenë pak më shumë dritë në jetën e tyre", ka thënë Kuznetsov.