Kulturë

Vdiq regjisorja Burbuqe Berisha

Ka vdekur në moshën 51-vjeçare regjisorja Burbuqe Berisha, ka konfirmuar drejtori i Urgjencës në Prishtinë, Avdyl Pacolli.

“I kemi dërguar dy ekipe, 40 minuta kemi tentuar ta reanimojmë, por nuk ia kemi dalë”, ka thënë Avdyli për KOHËN.

Ish-drejtoresha e Teatrit Kombëtar, ka vdekur në ambientet e Ministrisë së Kulturës.

Në njoftimin për vdekjen e Burbuqe Berishës, Ministria e Kulturës ka shprehur ngushëllime për familjen e saj, miqtë dhe gjithë komunitetin artistik.

Regjisorja Berisha u lind në Shkup, ndërsa shkollimin fillor dhe të mesëm i kreu në Prishtinë. Studimet për regji filmi i kreu në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës.

Ka qenë autore e filmave dokumentarë, të metrazhit të shkurtër dhe filmave televizivë. Bëri regji edhe në teatër.

Punoi si menaxhere në Kino ABC, producente në Kosova Film dhe ishte drejtore e Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Disa nga realizimet e saj janë “Lexi në qytet” në 10 episode, “Ashensori”, “Suxhuk Open”, “Kosova 9/11”, “Ëndrra”, “Nanë”, “Dimri i shpirtit”, “Bunari”, “Viti 2000”, “Diçka po zihet”, “Gratë” dhe “Çelësi”.

Nga filmat e saj dokumentarë shquhen “Për Jusuf Gërvallën”, “Universiteti nëpër vite”, “Harmonika”, “Të rritur në rrugë”, “Kinematë” etj.

Ka bërë disa shfaqje teatrore prej të cilave veçohen: “Një çaj me Hillaryn”, “Revolveri”, “Darka private” etj.

Berisha në vitin 2019 mori çmimin kombëtar për kinematografi.