Kulturë

Shtëpia e Dritëro Agollit do të shndërrohet në muze

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka nënshkruar të martën një memorandum bashkëpunimi me dekanin e Fakultetit të Histori-Filologjisë, Sabri Laçi, si fillim i bashkëpunimit për projektin e shtëpisë së Dritëro Agollit dhe në kuadër të Paktit për Universitetin. Ai ka sqaruar se do të bashkëpunojë me Fakultetin e Histori-Filologjisë edhe për dy shtëpi të tjera muze që do të bëhen, si “Sarajet e Toptanasve” dhe Shtëpisë së Libohovitëve.

“Projekti ynë i parë do të jetë puna për të kthyer shtëpinë e Dritëro Agollit në një shtëpi-muze. Bashkia e Tiranës e ka nisur një eksperiment të tillë shumë të suksesshëm me shtëpinë Kadare, do të vazhdojmë tani me shtëpinë e Dritëro Agollit. Ndërkohë që do vijojmë edhe me dy shtëpi të tjera muze, si Sarajet dhe shtëpinë e Libohovitëve. Njëra do të adaptohet si zonë muzeale, duke qenë se ka qenë edhe Ambasada e parë e SHBA-së në Shqipëri”, ka nënvizuar Veliaj, raportojnë mediat në Shqipëri.

Dekani i Fakultetit të Histori-Filologjisë, Sabri Laçi, citohet të ketë thënë se Universiteti i Tiranës e ka parë si një partner shumë të rëndësishëm Bashkinë e Tiranës.

“Jam i sigurt që Universiteti i Tiranës e mirëpret një bashkëpunim më të gjerë me Bashkinë e Tiranës dhe ne i kemi sytë tek bashkia, sepse e dimë që është ombrella që i duhet çdo qytetari të Tiranës, por edhe çdo institucioni që funksionon në Tiranë për të realizuar vepra të mira dhe vepra të rëndësishme për sot dhe për të ardhmen”, ka thënë Laçi.

Dritëro Agolli, kolosi i letrave, vdiq më 3 shkurt 2017, në moshën 86-vjeçare. Shkrimtar, publicist, gazetar dhe politikan që ka lënë pas një trashëgimi të pasur kulturore për vendin. Shtëpia e Dritëro Agollit në “Rrugën e Dibrës”, ku jetoi e shkroi veprat e paarritshme, do të kthehet në muze, ashtu sikurse u bë me shtëpinë e Ismail Kadaresë.