Kulturë

Agush Beqiri – pjesëtar i brezit themeltar të artit akademik në Kosovë

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, në ceremoninë modeste, të martën, në hapësirat e MKRS-së, ka thënë se ceremonia e përvitshme e ndarjes së çmimeve në fushën e arteve pamore është një lloj mirënjohjeje për kontributin e artistëve
 

Për rëndësinë e kontributit të tij në themelimin e skenës së arteve pamore në vend, Agush Beqiri u nderua me çmimin post mortem për veprimtari jetësore “Muslim Mulliqi”. Ndërkaq përfaqësimi i Kosovës ndërkombëtarisht dhe sukseset në pikturë e dizajn grafik e bën të nderohet me çmimin vjetor për arritjet në fushën e artit pamor profesorin universitar Faik Krasniqi

Këtu e gati katër dekada me parë atij do t’i besohej puna që arti në Kosovë të ekspozohej dinjitetshëm. Ndër të tjera, më 1982 – në objektin që dikur ishte njësi e Ushtrisë Jugosllave e më pas bibliotekë – do t’i binte barra që atë e cila sot është Galeria Kombëtare e Kosovës ta adaptonte për sallë ekspozitash për Muzeun Revolucionar. Por kjo është vetëm një vulë që ka lënë disenjatori e arkitekti Agush Beqiri. Tok me kolegët e tij artistë, ai qe pjesëtar i brezit që vunë themelet e avancuan artin akademik në vend e jetën kulturore në përgjithësi. Për kontributin e tij të çmueshëm Beqiri është nderuar të martën me çmimin post mortem për veprimtari jetësore “Muslim Mulliqi”.

Juria në përbërje prej kryetarit Mehmet Behluli e anëtarëve Rudina Xhaferri dhe Driton Selmani, pos këtij çmimi ka vendosur që atë vjetor për arritjet në fushën e artit pamor t’ia japë Faik Krasniqit.