Kulturë

“Kosovo Theatre Showcase” vjen me premiera botërore e mbledh 50 profesionistë në vend

Kryeqyteti bashkë me Ferizajn e Gjilanin për gjashtë ditë do të jenë nikoqire të shumë ngjarjeve teatrore. Shfaqjet e panelet e diskutimit janë “menyja” e edicionit të sivjetmë të “Kosovo Theatre Showcase”, që nis prej ditës së dytë të nëntorit dhe përfundon në ditën e shtatë.

Qendra “Multimedia”, që i prin organizimit të edicionit të katërt të “Kosovo Theatre Showcase”, ka njoftuar se “Showcase” i këtij viti mbledh në Kosovë rreth 50 drejtues festivalesh, kritikë, gazetarë e profesionistë të tjerë të teatrit nga rajoni e bota, të cilët do të kenë mundësinë të shohin prodhimtarinë më të fundit teatrore në Kosovë, të prezantojnë punën e tyre, si dhe të flasin për çështje të tjera që kanë të bëjnë me teatrin.

Aty bëhet e ditur se këtë vit “Showcase” prezanton 10 performanca teatrore nga Kosova dhe rreth 4 të tjera nga rajoni dhe Evropa “në një program përcjellës të shfaqjeve mysafire të titulluar ‘Programi i vendeve pa regjim vizash’. Edhe sivjet sikurse më parë “Showcase” teatror kosovar synon që për çdo vit të sjellë disa nga krijimet më mbresëlënëse dhe të arrira të teatrit në Kosovë.

“Jemi të lumtur që edhe këtë vit po mundemi t’i japim krah produksionit inovativ teatror të vendit tonë. Çdo ditë po e shohim se ka një interesim gjithnjë e më të madh të publikut për teatër, por gjithashtu ka edhe interesim nga skenat teatrore evropiane për të përjetuar e bashkëpunuar me skenën e Kosovës dhe në këtë kuptim ‘Showcase’, citohet të ketë thënë Jeton Neziraj, drejtor ekzekutiv i qendrës “Multimedia”.

Sipas njoftimit, mysafirët përpos që njihen për së afërmi me shfaqje të prodhuara në Kosovë ― një vend me një nga skenat më vitale e vibrante në Ballkan ― kanë mundësinë edhe të ndërveprojnë me krijuesit vendorë të teatrit përmes diskutimeve, paneleve e programeve përcjellëse.

Në njoftim shkruhet se këtë vit “Kosovo Theatre Showcase” është nikoqir i premierës së shfaqjes “Balkan Bordello”, me regji të Blerta Nezirajt, që jepet të mërkurën, më 3 nëntor, në Teatrin Oda. Kjo shfaqje vjen si bashkëprodhim i teatrit “La MaMa” nga New Yorku, qendrës “Multimedia” nga Prishtina, “Atelje 212” nga Beogradi dhe “My Balkans” nga New Yorku. Ka një kastë aktorësh amerikanë, serbë e shqiptarë.

“Mes shumë shfaqjeve të tjera, sivjet në ‘Showcase’ do të rikthehet para publikut, pas rreth 6 vjetësh, shfaqja ‘John Cage’s Hamlet’ e regjisorit të ndjerë kosovar, Bekim Lumi”, shkruhet në njoftimin e ngjarjes, që bashkorganizohet edhe në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar të Kosovës, Teatrin e qytetit të Gjilanit, teatrin “Adriana” në Ferizaj dhe teatrin “Dodona” në Prishtinë.

Ngjarjet do të nisin me shfaqjen “La Rrem” në Teatrin Kombëtar të Kosovës, për të vazhduar me “Bob Watson Falls From the 9th Floor but Does Not Die Completely” një ditë më pas në teatrin “Dodona”. Po atë ditë në “Kino Armata” do të mbahet paneli i diskutimit me temën “How to Play? Representation and Body Politics on Stage”. E në mbrëmje, në Modelariumin e Fakultetit të Arkitekturës, do të jepet shfaqja “John Cage’s Hamlet”. E pas saj, në orën 20:00, në tetarin “Oda” do të jepet premiera botërore e shfaqjes “Balkan Bordello”. Në ditët në vazhdim do të vazhdojnë të jepen shfaqjet vendore e mysafire.