Kulturë

Zenun Çelaj me 37 rrëfime autentike që pasqyrojnë jetën e shqiptarëve

Libri i Zenun Çelajt “Udhëtim në të shkuarën” – në përurimin e tij të enjten në sallën solemne të Pallatit të Kulturës, “Asim Vokshi” – është cilësuar si kronikë e mprehtë, shkruar nga dëshmitari i ngjarjeve që shënuan historinë e shqiptarëve
 
Ky tekst është Premium por sot mund ta lexoni pa pagesë!

Në 318 faqe “Udhëtim në të shkuarën”, botuar vitin e kaluar nga Botimet KOHA, Çelaj ka rrëfyer jetën e tij, por edhe dekadat e Kosovës e Malit të Zi prej fëmijërisë e deri në ditëlindjen e 80-të. Libri i promovuar të enjten në Gjakovë, është cilësuar si vepër e një kronisti të mprehtë, dëshmitar i rrallë ngjarjesh historike e që kapitujt e rrugëtimit të tij, janë dëshmi e jetës së shqiptarëve në ish-Jugosllavi. “Libri nuk përmban asgjë nga imagjinata ime. Gjithçka është reale që më ka ndodhur dhe më ka mbetur në kujtesë”, ka thënë gazetari veteran

Në vitin 1957 ishte nxënës i Normales së Gjakovës. Prej asaj kohe lidhjen me këtë qytet do ta kishte të veçantë. Gazetari veteran Zenun Çelaj i është rikthyer këtij qyteti edhe të enjten. Por kësaj radhe me një tjetër rol: atë të autorit të librit “Udhëtim në të shkuarën”. Pas 64 vjetësh prej kur ishte normalist, në qytetin jugperëndimor dhe në krejt Kosovën janë zhvilluar shumë ngjarje. Ka pasur agresivitet të vazhdueshëm nga pushteti serb, autonomi, suprimim të saj, shpallje të Republikës, luftë, liri e pavarësi.

Çelaj si kronist pendëmprehtë për gjashtë dekada nuk i është ndarë profesionit të gazetarit. Si dëshmitar aktiv i ngjarjeve prej vitit 1960, gazetar, reporter i lirë, redaktor e ndihmëskryeredaktor i “Rilindjes” jo veç artikujt, por edhe kujtimet i ka të panumërta. Angazhimi i tij në themelim të mediave të tjera e deri tek ai si një ndër themeluesit e sekretar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut veçse ia kanë pasuruar karrierën dhe kujtesën.