Kulturë

Monumentet si potencial, censurohet tema për Manastirin e Deçanit

Në tekstet promovuese të ngjarjes organizuar në kuadër të projektit “Ilucidare” përkrahur nga BE-ja, ndër të tjera shkruhet se aty shqyrtohen edhe tema se si “bashkëpunimi përtej kufijve mundëson shmangien e mosmarrëveshjeve diplomatike dhe mundëson promovimin e dialogut përmes trashëgimisë kulturore”. Por për një çështje ka pasur kufij: Manastirin e Deçanit. Profesoreshës së Universitetit të Cambridges, Nora Weller, nuk i është lejuar ligjërata për monumentin i cilin “Europa Nostra” në prillin e këtij viti me raporte të Serbisë e futi në listën e 7 monumenteve të rrezikuara të Evropës. Weller i ka akuzuar organizatorët për censurë. E njëri prej bashkorganizatorëve lokalë ia ka konfirmuar KOHËS se tema e saj nuk është lejuar, duke u konsideruar si çështje e ndjeshme

Fakti që një organizatë evropiane e ka shpallur Manastirin e Deçanit si “monument në rrezik” ka nisur të krijojë telashe edhe në aktivitete të trashëgimisë kulturore. Bile edhe në aso që financohen nga vetë Bashkimi Evropian. Në konferencën katërditore që po mbahet në Pejë, të organizuar nga projekti i mbështetur nga fondet e BE-së, “Ilucidare”, një ligjëratë e punëtori për Manastirin e Deçanit, nuk është lejuar të mbahet fare. Shumica e organizatorëve i kanë thënë “jo” seminarit e punëtorisë me titull “Çfarë shkoi keq, cilët janë hapat e ardhshëm për Manastirin e Deçanit”. Për këtë ka reaguar ajo që ishte ftuar për të ligjëruar mbi këtë temë, profesoresha e Universitetit të Cambridges, Nora Weller.

Por rasti i Manastirit nuk ka mbetur pa u përmendur, madje pikërisht lidhja e këtij monumenti mesjetar me organizatën evropiane “Europa Nostra”.

“Ilucidare” është projekt që promovon trashëgiminë kulturore si burim të inovacionit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar. Synon të çojë përpara objektivat e Bashkimit Evropian për marrëdhëniet ndërkombëtare me bazë në kulturë. Sa i përket ngjarjes në Kosovë “Ilucidare Playground & Conference”, partner kryesor i projektit është Fondacioni Kosovar për Trashëgimi Kulturore pa Kufij (CHwB Kosova).

Weller: Kjo është censurë e papranueshme

Konferenca që ka nisur të hënën për katër ditë ka për qëllim që shpalosë të arriturat e deritashme në avancimin e trashëgimisë kulturore, si dhe mundësinë që ofrojnë monumentet për bashkëpunime rajonale e ndërkombëtare. Sipas organizatorëve, mes të tjerash, gjatë këtyre ditëve do të bisedohet se si vendet rurale gjejnë mënyra inovative të gëzojnë trashëgiminë e tyre lokale, duke bërë ndërlidhjen në mes të industrisë kreative dhe artit. Po ashtu, “edhe se si bashkëpunimi përtej kufijve mundëson shmangien e mosmarrëveshjeve diplomatike dhe mundëson promovimin e dialogut përmes trashëgimisë kulturore” . Midis tyre edhe aktivitetet si “Guralec: Moving Rocks” dhe konferenca “Përtej mureve dhe bindjeve”. Por del që mure janë vënë nga vetë organizatorët. Të paktën në një rast. Fondacioni Kosovar për Trashëgimi Kulturore pa Kufij “CHwB Kosova” kishte propozuar që të mbahej një punëtori e titulluar “Çfarë shkoi keq, cilët janë hapat e ardhshëm për Manastirin e Deçanit”. Këtë do ta udhëhiqte ekspertja e trashëgimisë kulturore, profesoresha e Universitetit të Cambridge, Nora Weller. Por shumica e konserciumit organizativ nuk ishin pajtuar. Kjo ka nxitur edhe reagimin e Wellerit.

“Çdo koment dhe bisedë mbi Manastirin e Deçanit janë të ndaluar nga organizatoret që janë: ‘Ilucidare Project’ dhe Universtieti i Leuven me disa partnerë të tjerë evropianë, por partner kryesor i tyre është ‘Europa Nostra’. Imagjinoni sa thellë ka hyrë kontrolli”, shkruhet në reagimin e saj. Ka sqaruar se ishte e ftuar të flasë për politizimin e trashëgimisë kulturore, por i janë lutur që të tregojë për shembuj të tjerë përbrenda punës së saj e “kurrsesi mos e përmend Manastirin e Deçanit”.

“Kjo është censurë e papranueshme nga ana ime dhe në fund u anulua ligjërata”, ka shkruar ajo të martën në Facebook.

Për KOHËN ajo ka sqaruar se kur është publikuar agjenda, përfaqësuesit e Universitetit të Luevenit dhe të “Ilucidare Project” e kanë kundërshtuar temën pasi përbrenda konsorciumit të partnerëve, ndër të cilët kyç është edhe “Europa Nostra”, ka kërkesë që të anulohet çdo bisedë dhe aktivitet që ka të bëjë me monumentin mesjetar.

“Kjo është e para herë në jetën time që më kërkohet direkt të mos flas për hulumtimin tim shumëvjeçar që është shikuar nga akademikë të mirënjohur brenda Universitetit tim ‘Cambridge University’. Kjo censurë shkon kundër legjislacionit evropian mbi të drejtën e lirshme të shprehjes, shkon kundër misionit të publikuar të këtyre organizatave që kontribuojnë në politizimin e trashëgimisë dhe ndarjen e shoqërisë multietnike në Kosovë”, ka thënë Weller.

Përmendja e rastit të Manastirit

Të martën midis aktiviteteve të mbajtura, një panel ka diskutuar edhe për marrëdhëniet rajonale e ndërkombëtare në kuadër të trashëgimisë kulturore me fokus në Ballkanin Perëndimor.

Me gjithë kundërshtimet për Manastirin e Deçanit, të cilat i ka treguar edhe udhëheqësi i “CHwB Kosova” Sali Shoshi, rasti i monumentit është përmendur.

Shoshi ka thënë se me propozimin e organizatës që udhëheq ai në draft-agjendë ka hyrë edhe tema për Manastirin e Deçanit pasi “CHwB Kosova” ka qenë e përfshirë edhe në reagimet kundër listimit të këtij aseti të trashëgimisë kulturore si “monument në rrezik”.

“Por anëtarët e tjerë të konsorciumit kanë thënë se nuk jemi të përgatitur që ta trajtojmë këtë temë shumë të komplikuar. Kanë thënë se është çështje sensitive dhe duhet të jenë të gjitha informatat për ta trajtuar. Shumica ka vendosur që të mos trajtohet tash dhe ka mbetur për më vonë”, ka thënë Shoshi.

Pa qenë pjesë e panelit të diskutimit, profesori i antropologjisë në Universitetin e Prishtinës, Arsim Canolli, në konferencën e transmetuar online, ka thënë se organizatat evropiane duhet të jenë më të pranishme në Kosovë për të parë zhvillimin e bashkëpunimeve e edhe trashëgiminë kulturore si mundësi të lidhjes midis popujve e kulturave.

“Shembujt që dëgjuam këtu janë shembujt që duhet t’i dinë njerëzit. E kemi shembullin e keq të ‘Europa Nostras’ që pa ardhur fare e kanë vënë në listën në rrezik Manastirin dhe ky është turp”, ka thënë ai. Canolli i ka bërë këto komente pasi panelistët kanë shpalosur përvojat e tyre.

Drejtori artistik i festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest”, Veton Nurkollari, ka thënë se para dy dekadash kur nisën festivalin, nuk kishin ndonjë ide të qartë se çfarë është një festival filmi.

“Në fillimisht u jemi qasur autoriteteve për të përdorur Hamamin e Prizrenit. Tash ne udhëheqim një festival gjysma e të cilit është në qytet duke përdorur Kalanë e hapësira shumë të rëndësishme të trashëgimisë kulturore. Kësisoj pasurohet festivali dhe promovohen qyteti dhe trashëgimia e tij kulturore”, ka thënë Nurkollari. Ai ka treguar se pos mysafirëve e publikut rajonal të pranishmit në “DokuFest” vijnë nga e gjithë bota.

Rrëfim të ngjashëm ka pasur edhe Arba Atashi, e cila është drejtoreshë e festivalit ndërkombëtar të filmit të animuar “Anibar” në Pejë. Ajo ka treguar se si festivali ka ndikuar që të mbrohen disa hapësira që lidhen me trashëgiminë kulturore të Pejës dhe njëkohësisht të promovohen ato.

Tërthorazi për moskthimin e eksponateve

Në cilësinë e anëtarit të Bordit të Rrjetit të Muzeve të Ballkanit i pranishëm në panel ka qenë edhe ish-drejtori i Muzeut Kombëtar të Kosovës, Skënder Boshtrakaj. Në shkurt të vitit 2018 ai kishte konkretizuar ekspozitën e përgjithshme të MKK-së. Por realizimi nuk ishte edhe aq reprezentativ. Arsye për këtë janë mungesa e të paktën 1247 eksponateve. Prej vitit 1999 ato mbahen në Serbi pasi janë marrë me reversë për një ekspozitë gjoja të përkohshme. Tash e 22 vjet Kosova kërkon kthimin e tyre dhe mënyra e marrjes në kohë lufte shpesh është vlerësuar edhe si plaçkitje e trashëgimisë kulturore.

Boshtrakaj në kuadër të fjalës së tij ka prekur edhe këtë temë. Ka thënë se rrjeti i tyre ka nisur me aktivitete online qysh para pandemisë.

“Kemi filluar me aktivitete online pasi në këtë regjion zhvendosja e eksponateve nuk është e lehtë. Nëse i japim njëri-tjetrit koleksione specifike për prezantim, pastaj nuk është e lehtë t’i kthejmë ato prapa. Kjo ndodh në këtë regjion, por kjo nuk është temë në këtë rast”, ka thënë ai. Për këtë çështje institucionet e Kosovës sivjet u janë drejtuar me shkresa edhe institucioneve në shtetin serb. Por nuk kanë marrë ndonjë përgjigje pos reagime publike duke i quajtur shkresat si provokim.

Shembulli i politizimit të trashëgimisë

Në ditën e 8-të të prillit të sivjetmë Serbia ia ka dalë që edhe një herë të alarmojë ndërkombëtarisht se trashëgimia kulturore e Kosovës nuk është e sigurt. Këtë e ka bërë me Manastirin e Deçanit. Ky objekt i shekullit të 14-të u bë pjesë e listës së shtatë monumenteve të trashëgimisë kulturore në rrezik, i hartuar nga organizata “Europa Nostra”.

“Është për të ardhur keq që një organizatë e shoqërisë civile, siç është ‘Europa Nostra’, të jetë e ndikuar politikisht”, kishte thënë atë ditë Sali Shoshi, drejtor ekzekutiv i “CHwB Kosova”

Sipas raportit përfundimtar, i cili është edhe arsyetim i këtij rangimi që i është bërë monumentit të Kosovës, që nga qershori i vitit 1999, Manastiri i Deçanit është ruajtur vazhdimisht nga trupat paqeruajtëse të KFOR-it, të udhëhequra nga NATO-ja.

“Përveç shqetësimeve të sigurisë, Manastiri me zonën e tij të veçantë mbrojtëse janë përballur me rreziqe të vazhdueshme të zhvillimit lokal të papërshtatshëm – në shkelje të shtetit ligjor – i cili do të minonte vlerat e një lokaliteti të trashëgimisë botërore të UNESCO-s. Veçanërisht shqetësues është plani për ndërtimin e një rruge ndërkombëtare - që lidh komunat e Deçanit / Dečani në Kosovë dhe Plavës në Mal të Zi - që do të kalonte përmes zonës speciale të mbrojtur dhe do të kalonte pranë portave të Manastirit”, shkruhej në raportin ku Kosovës i referohen me fusnotë. Sipas raportit, në verën e vitit 2020 punimet në rrugë u pezulluan dhe u arrit një marrëveshje, nën kujdesin e bashkësisë ndërkombëtare, për të ndërtuar një by-pass për këtë rrugë. Por në përgjigjet që ia kishte kthyer KOHËS kur shpalli listën me 12 monumentet e rrezikuara, “Europa Nostra” kishte bërë të ditur se nominimi i Manastirit të Deçanit për listën e shtatë monumenteve më të rrezikuara është bërë nga rrjeti evropian “Future for Religious Heritage”. Aty ishte sqaruar se për bazë janë marrë raportet shtetërore të Serbisë, të cilat i përcillen UNESCO-s çdo vit. Në “Raportin shtetëror për ruajtjen e monumenteve mesjetare në Kosovë (Serbi)” të Institutit të Serbisë për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës shkruhej se në vazhdimësi të kërcënimeve që i bëhen Manastirit, Ministria e Infrastrukturës s’hoqi dorë nga ndërtimi i rrugës Deçan-Plavë. Në raportin e vitit 2020 ceket se ministri i Kulturës i Serbisë në vitin 2018 për këtë çështje i ishte drejtuar UNESCO-s. Aty, po ashtu, ceket se Manastiri vazhdimisht ruhet nga forcat e KFOR-it. Në raportet e viteve paraprake përmenden edhe “kërcënime” të vazhdueshme që i janë bërë Manastirit. Për institucionet e Kosovës krejt kjo është e papranueshme.

Madje ministri aktual i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka thënë se ky manastir është midis monumenteve më të sigurta në botë. Për këtë edhe i ka shkruar “Europa Nostras” dhe ka kërkuar që ta vizitojnë Manastirin në mënyrë që ta rishqyrtojnë kualifikimin që i është bërë si “monument në rrezik”.