Kulturë

Europa Nostra censuron çdo diskutim për Manastirin e Deçanit

Foto: Koha
 

Federata Evropiane e Trashëgimisë Kulturore “Europa Nostra”, ka bërë presion që të mos flitet assesi për Manastirin e Deçanit, nga pjesëmarrësit në një konferencë që po mbahet në Pejë. “Europa Nostra” si dhe Universiteti Katolik i Leuvenit në Belgjikë, u kanë bërë presion organizatorëve të konferencës ILUCIDARE Playground & Conference që po mbahet në Pejë, duke kërkuar që të anulohet çdo bisedë dhe aktivitet për Manastirin e Deçanit. Kjo ka bërë që të anulohet punëtoria e studiueses nga Universiteti i Cambridge-it Nora Visoka Weller, e cila ishte ftuar të fliste mbi politizimin e trashëgimisë kulturore.

Ndërkohë, ajo për KOHËN ka thënë se: “Është hera e parë në jetën time që më kërkohet direkt të mos flas për hulumtim shumëvjeçar që është shikuar nga shumë akademikë të mirënjohur të trashëgimisë kulturore nga Universiteti i Cambridge-it. Kjo censurë është kundër legjislacionit evropian për lirinë e shprehjes dhe kundër misionit të publikuar të këtyre organizatave, që thonë se punojnë për krijimin e platformave për debate të shëndosha mbi trashëgiminë kulturore, por që po kontribuojnë në politizimin e trashëgimisë dhe ndarjen e shoqërisë multietnike në Kosovë. Ironikisht ky është shembull se si politizohet trashëgimia kulturore”.