Filmi i metrazhit të shkurtër, “Four Pills at Night”, nën regji të Leart Ramës, ka mbërritur edhe para publikut në Itali. Është shfaqur të premten në kuadër të Festivalit të Filmit në Milano. Një tjetër shfaqje do ta ketë edhe sot (e shtunë) në “Cineteca Milano MEET”. Rrugëtimin në festivale ndërkombëtare, filmi 25-minutësh, e vazhdon pas premierës botërore në edicionin e 74-të të prestigjozit “Locarno Film Festival” në gusht të këtij viti. Vetëm dy ditë prej atje erdhi si premierë kombëtare në kuadër të programit “Special Screening” të “DokuFestit”, po ashtu, në gusht të këtij viti.
“Four Pills at Night” është i nominuar në tri kategori: në atë të “Filmit më të mirë ndërkombëtar, “Çmimin e audiencës” dhe “Stili unik vizual i regjisorëve nën 40 vjeç”.
Dy miq ka kohë që nuk e kanë parë njëri-tjetrin. Një bisedë në telefon tregon se janë të afërt. Lajmi se regjisori i ri, Drini, që portretizohet nga Florist Bajgora, do të vijë në Prishtinë, e gëzon Valin. Nis të krijohet përshtypja që ai në raport me të e kalon ndjeshmërinë prej shoku.
Lexo edhe:
“Mezi kom pritë me ardhë kjo natë me ia bo ‘reset’ trunit bashkë”, thotë në film Vali që luhet nga Redon Kika. Biseda dëgjohet gjersa në ekran shfaqen pamje të rrugës deri te vendi ku do të mbahet “party”, ku pritet të takohen edhe Drini e Vali. Fill pas kësaj, “Four Pills At Night” nis të japë pamje nga klubi ku po zhvillohet ndeja. Ajo që sjell më pas filmi nën regji të Leart Ramës është një rrëfim dashurie. Një lidhje që mbahet e fshehur, ku dikush dashuron shumë e fundi i historisë nuk dihet se si do të jetë. Është një histori midis së vertetës dhe deluzionit – pa përgjigje.
“Milano Film Festival” nisi më 1996 si një konkurs i vetëm filmave të shkurtër vendas, duke u bërë një festival ndërkombëtar i filmit më 1998 kur edhe filloi t’i shpërblejë pjesëmarrësit e tij.
“Vazhdimi i rrugëtimit në festivale të ndryshme është shumë i rëndësishëm për mua dhe jam shumë i lumtur që kjo po vazhdon të ndodhë. Kjo sepse njerëzit anembanë botës po e shohin filmin dhe po e vlerësojnë atë. Këtë vit filmat e pranuar në ‘Milano Film Festival’ janë filma të regjisorëve nën moshën 40-vjeçare, dhe është një nder i madh për mua që u përzgjodha të jem pjesë e këtij edicioni”, ka thënë për KOHËN, regjisori Leart Rama. As Festivali i Filmit në Milano nuk i ka shpëtuar gjendjes me COVID-19. Por s’e ka kufizuar filmin e regjisorit nga Kosova.
“’Four Pills at Night’ ka qenë një ndër filmat e parë të përzgjedhur, gjë që ka kuptim akoma më të madh duke konsideruar se për shkak të pandemisë festivali ka minimizuar programin për këtë edicion”, ka thënë Rama.
“Four Pills at Night” është prodhim i “Katarzë Films” bashkë me “Degjenerata”, ndërkohë që është mbështetur nga “Internationale Kurzfilmtage Winterthur”, “DokuFest” dhe Ambasada Zvicerane në Kosovë. Pos Redon Kikës e Florist Bajgorës, në film luajnë edhe Don Shala, Gjeni Basha, Edon Shileku, Dardan Bytyqi, Nita Kaja, Blin Sylejmani e të tjerë.