I vlerësuar për “depërtimin e tij të pakompromis dhe të dhembshur në efektet e kolonializmit dhe fatin e refugjatit në gjirin midis kulturave dhe kontinenteve” e për “betejën e pakompromis kundër kolonializmit”, Abdulrazak Gurnah është laureati i “Nobelit” për letërsi për sivjet. Shkrimtari tanzanian, i cili u shpërngul në Britani si refugjat në vitet ’60, qe befasi edhe për qarqet letrare. Në Kosovë është krejt i panjohur, e vepra të tij nuk ka në shqip. Por, përtej vendimit të radhës të Komitetit të Nobelit, shkrimtari Gëzim Aliu, profesori universitar Lirak Karjagdiu, drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Alda Bardhyli e botuesi Edon Zeneli, “lexojnë”, qasjen e çmimit të madh, prej befasisë a humbjes së vlerave të “Nobelit” deri te frika se ai tashmë po shndërrohet në skllav të politikës
Ngjau ajo që u paralajmërua: “Nobeli” për letërsi qe i paparashikueshëm dhe befasoi me laureatin e radhës, të enjten, kur shkrimtari Abdulrazak Gurnah, u shpall laureat i sivjetmë i çmimit më të madh letrar. U vlerësua për “depërtimin e tij të pakompromis dhe të dhembshur në efektet e kolonializmit dhe fatin e refugjatit në gjirin midis kulturave dhe kontinenteve” e për “betejën e pakompromis kundër kolonializmit”.
Shkrimtari tanzanian, i cili u shpërngul në Britani si refugjat në vitet ‘60, pos si fitues i “Nobelit”, brenda pak orësh u bë një nga shkrimtarët më të përfolur. Deri të enjten, ka qenë krejt pak i njohur në qarqet letrare ani pse ai shkruan në anglisht. I lindur më 1948, Gurnah dhe u largua nga Zanzibari në moshën 18-vjeçare si refugjat pas një kryengritjeje të dhunshme të vitit 1964, në të cilën ushtarët rrëzuan qeverinë e vendit, ka shkruar The New York Times. Ai është i pari afrikan që fiton çmimin në gati dy dekada. Anders Olsson, pjesë e Komitetit të Çmimit “Nobel” ka thënë për mediat e huaja se Gurnah ishte në kuzhinë kur u informua se ishte zgjedhur fitues, dhe Komiteti kishte “një bisedë të gjatë dhe shumë pozitive” me të. Çmimi jepet nga Akademia Suedeze dhe ka vlerë prej 1.14 milionë dollarësh.
Zhvendosja, mërgimi, humbja dhe identiteti si kryetema
Gurnah jeton në Mbretërinë e Bashkuar dhe gjuha amtare e tij është suahilishtja, por ai përdor anglishten si gjuhën e tij letrare. Ka botuar dhjetë libra së bashku me tregime të shkurtra. Romani i tij më i njohur është “Paradise” (Parajsa), me të cilin mori Çmimin “Booker” më 1994. Përveçse një shkrimtar i respektuar, ai është edhe profesor i Letërsisë Angleze në Universitetin e Kentit.
“Paradise” (Parajsa) bazohet në historinë e një djali afrikan, një histori tragjike dashurie dhe një përrallë e korrupsionit të modeleve tradicionale afrikane nga kolonializmi evropian. Ai paraqet një zë të madh afrikan për lexuesit amerikanë – një zë që e shtyu Peter Tinniswoodin të shkruante në “London Times”, duke rishikuar romanin e mëparshëm të Gurnah – “ai është një shkrimtar shumë i mirë. Unë jam i sigurt se ai do të bëhet një shkrimtar i jashtëzakonshëm”.
Siç shkruhet në recensione mediash të huaja për “Paradise”, në moshën dymbëdhjetëvjeçare, Jusufi, protagonisti i kësaj odiseje të shekullit XX, shitet nga babai i tij për shlyerjen e një borxhi. Nga jeta e thjeshtë e Afrikës rurale, Jusufi është hedhur në kompleksitetin e Afrikës Lindore urbane parakoloniale – një botë magjepsëse, në të cilën afrikanët myslimanë, misionarët e krishterë dhe indianët nga nënkontinenti bashkëjetojnë në një hierarki të brishtë dhe delikate shoqërore. Përmes syve të Jusufit, Gurnah përshkruan komunitetet në luftë, safarit tregtare të shkuara keq dhe sprovat universale të adoleshencës.
“Pastaj, ashtu si Jusufi fillon t’i kuptojë gjërat e kërkuara prej tij, ai dhe të gjithë rreth tij duhet të përshtaten me realitetin e ri të kolonializmit evropian. Rezultati është një sagë që nuk mund të ndalesh së lexuari, që mbulon të njëjtin territor me romanet e Isak Dinesen dhe William Boyd, por e bën këtë nga një perspektivë që nuk ishte parë kurrë më parë në atë pjesë të rrallë të kronikuar të botës”, shkruan “Good Reads”.
“Sigurisht që çmimet u jepen edhe autorëve që e meritojnë, por po më duket që ‘Nobeli’ për letërsi po shfaq edhe prirje për medializim, befasi, anashkalim të emrave të mëdhenj të letërsisë botërore, të dëshmuar tashmë me dekada, si shkrimtari ynë, Ismail Kadare, i cili do të duhej të nderohej moti me ‘Nobel’”, ka thënë shkrimtari e kritiku Gëzim Aliu
Ndërsa, tri romanet e tij të para, “Memory of departure” (1987), “Pilgrims Way” (1988) dhe “Dottie” (1990), dokumentojnë përvojën e emigrantëve në Britaninë bashkëkohore nga perspektiva të ndryshme.
Zhvendosja, mërgimi, humbja dhe identiteti janë temat qendrore në të gjitha romanet e Gurnahut, shumë prej të cilave përshkruajnë përvojat e personazheve arabe afrikane të zhvendosjes në vende, në të cilat ata kanë emigruar ose kanë ikur. Personazhet e tij shpesh i nënshtrohen një procesi identiteti dhe hibridizimi kulturor në zhvendosjen e tyre transnacionale nga margjinat në metropole, shkruan “Writers Make Worlds”.
Gurnah, në mënyrë të diskutueshme, është një anëtar i asaj që Claire Chambers e quan klasa “më proletare”, mitit të kthimit një grup ose klasë shkrimtarësh myslimanë britanikë që u shpërngulën në Angli në vitet 1970 dhe 1980 dhe nuk janë kthyer më në vendlindjet e tyre. Romani i tij i gjashtë, “Pranë detit”, trajton në mënyrë komplekse nocionet e “shtëpisë” dhe lojës së kujtesës në formimin e identitetit.
Vendim “i qetë” pas skandaleve
Çmimi “Nobel” për të vjen pas një morie akuzash në lidhje me mungesën e diversitetit midis nobelistëve të letërsisë. Gazeta suedeze, Dagens Nyheter, vuri në dukje vitin e kaluar se 95 nga 117 laureatët e mëparshëm të “Nobelit” ishin nga Evropa ose Amerika e Veriut dhe se vetëm 16 fitues ishin gra. Çmimet “Nobel 2021” nuk kanë pasur asnjë fituese femër deri më tani këtë vit, ka shkruar revista “Forbes”.
“Nobeli” është zhytur në polemika gjatë viteve të fundit. Çmimet e vitit 2018 nuk u mbajtën për shkak të një skandali seksual që përfshinte burrin e njërës prej anëtareve të Akademisë Suedeze. Gjithashtu, më 2019, vendimi i Komitetit për t’ua dhënë çmimin Peter Handkes të Austrisë ngjalli zemërim pasi Handke njihet si mbështetës i madh i serbëve dhe udhëheqësit nacionalist serb, Slobodan Millosheviq, gjatë luftërave ballkanike më 1990. Handke, i cili disa herë ka vizituar enklavat serbe në Kosovë, shquhet si mohues i gjenocidit dhe krimeve serbe ndaj shqiptarëve e myslimanëve. Në Prishtinë u organizuan edhe protesta në kundërshtim të këtij vendimi, e Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, reagoi edhe në adresë të Akademisë Suedeze. Vitin e kaluar, poetja amerikane Louise Glück u zgjodh fituese e çmimit për letërsi, që u cilësua një zë poetik i pagabueshëm që me bukuri të ashpër e bën universale ekzistencën individuale.
Gjithsesi ky çmim, po ashtu, konsiderohet një vendim kryesisht populist pas viteve plot trazira, shkruan Forbes.
“Edhe këtë vit vendimi i Akademisë ishte surprizues për botën letrare, por dhe duke konfirmuar qasjen e saj të vitit të fundit ndaj autorëve që janë në proces krijimtarie dhe gjeopolitikës. Gurnah është një autor që ka marrë vlerësime në skenën letrare, por asnjëherë nuk ka qenë i artikuluar për çmimin ‘Nobel’. Mezi pres ta lexoj”, ka thënë Alda Bardhyli, drejtoreshë e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit
Aliu: “Prirje për medializim, befasi, anashkalim të emrave të mëdhenj”
Shkrimtari tanzanian edhe pse tashmë nobelist, nuk është i njohur as për kritikën e popullarizuar e në shqip s’e ka asnjë vepër të përkthyer. Jo shumë edhe nga qarqet letrare kanë dëgjuar emrin e tij.
Një pyetje, e cila ka filluar të shtrohet vjetëve të fundit, është edhe ajo nëse “Nobeli” po bëhet më shumë si një çmim politik se sa letrar.
Shkrimtari e kritiku Gëzim Aliu thotë të ketë hetuar edhe një tjetër trend.
“Sigurisht që çmimet u jepen edhe autorëve që e meritojnë, por po më duket që ‘Nobeli’ për letërsi po shfaq edhe prirje për medializim, befasi, anashkalim të emrave të mëdhenj të letërsisë botërore, të dëshmuar tashmë me dekada, si shkrimtari ynë, Ismail Kadare, i cili do të duhej të nderohej moti me ‘Nobel’”, ka thënë Aliu për KOHËN. Emri i laureatit të sivjetmë është i panjohur edhe për të.
“Me duket se juria e ‘Nobelit’ nganjëherë po kërkon autorë, ashtu që t'i bëjë të famshëm. Tash e tutje do ta njohim edhe autorin që posa u shpërblye”, ka theksuar Aliu, këshilltar Shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës.
Të shpeshta janë bërë të ashtuquajturat baste për fituesin e mundshëm, por Gurnah nuk ishte opsion.
“Edhe këtë vit vendimi i Akademisë ishte surprizues për botën letrare, por dhe duke konfirmuar qasjen e saj të vitit të fundit ndaj autorëve që janë në proces krijimtarie dhe gjeopolitikës. Gurnah është një autor që ka marrë vlerësime në skenën letrare, por asnjëherë nuk ka qenë i artikuluar për çmimin ‘Nobel’. Mezi pres ta lexoj”, ka thënë për KOHËN, Alda Bardhyli, drejtoreshë e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit.
“Druaj se kësisoj, çmimi ‘Nobel’ për letërsi po shndërrohet në skllav të politikës, duke e humbur sensin e vet, meqë homo politicus po bëhet më dominues dhe më përcaktues se homo literarum me rastin e ndarjes së këtij çmimi”, ka thënë profesori universitar, Lirak Karjagdiu
Karjagdiu: “Druaj se çmimi ‘Nobel’ për letërsi po shndërrohet në skllav të politikës”
Më i ashpër edhe ndaj vendimit me laureatin e fundit të “Nobelit” për letërsi, ka qenë Lirak Karjagdiu, profesor i asocuar i Letërsisë Angleze në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Prishtinës. Sipas tij, jo vetëm tash, por ka vjet që ky çmim po e humb kuptimin dhe se politika po ia merr anën. Për këtë ka dhënë disa shembuj. Ka thënë se letërsia dhe politika, si entitete të ndryshme, por jo krejtësisht të kundërta, përgjatë shekujsh kanë pasur një marrëdhënie dinamike.
Në të vërtetë, sipas Karjagdiut, “politika, si veprimtari që ka efekt të jashtëm mbi letërsinë, jo gjithmonë ka sjellë pasoja negative për të, megjithëse janë të pakta rastet kur bashkëveprimi i tyre ka pasur sukses dhe ka rezultuar me krijimin e veprave me vlera të gjithëkohshme”.
“Kjo për fat të keq, po vihet re dhe po ndodh tevona edhe me rastin e ndarjes se çmimit ‘Nobel’, ngase po u ndahet shkrimtarëve të shquar jo aq për cilësinë e mirëfilltë letrare të krijimtarisë së tyre, sa për angazhimin e tyre social dhe politik, ndonëse Akademia gjithnjë ka insistuar se u është përmbajtur kritereve letrare dhe estetike”, ka thënë ai.
Por, kjo, sipas Karjagdiut mund të demantohet, me faktin se, Akademia ka denjuar që çmimin “Nobel” në vitin 2019 t’ia ndajë austriakut Peter Handke, i cili “njihet botërisht edhe si apologjist dhe përkrahës i politikave të Serbisë dhe Milosheviqit në Ballkanin e viteve 1990”.
“Shumë shtëpi botuese kanë shprehur interes për t’i përkthyer veprat e tij dhe pritet që brenda pesë a gjashtë muajsh të vijnë në shqip”, ka thënë botuesi, Edon Zeneli
“Se Akademia nuk u ka qëndruar aq shumë besnike kritereve letrare dhe estetike, e dëshmon edhe fakti se, çmimin ‘Nobel' ua ka ndarë personaliteteve, që duket sheshit se nuk e kanë fituar këtë çmim prestigjioz për arsye të njëmendta letrare dhe estetike, si: Bob Dylani (2016); Svetlana Aleksieviqi (2015); Mo Yani (2012); Herta Mülleri (2009); Harold Pinteri (2005); Elfriede Jelineki (2004); Imre Kertészi (2002); Dario Foe (1997), etj”, ka numëruar ai para se të zbërthejë “animin” politik të çmimit letrar.
“Druaj se kësisoj, çmimi ‘Nobel’ për letërsi po shndërrohet në skllav të politikës, duke e humbur sensin e vet, meqë homo politicus po bëhet më dominues dhe më përcaktues se homo literarum me rastin e ndarjes së këtij çmimi”, ka thënë ai.
Gurnah në shqip, brenda pesë ose gjashtë muajsh?
Por, nëse lexuesi shqiptar do ta çmojë Abdulrazak Gurnahun për vlerat letrare, duhet pritur. Se ky autor nuk ka vepër të përkthyer në shqip, e ka konfirmuar për KOHËN edhe Edon Zeneli nga shtëpia botuese “Buzuku”, njëherësh kryetar i Shoqatës së Botuesve të Kosovës.
“Shumë shtëpi botuese kanë shprehur interes për t’i përkthyer veprat e tij dhe pritet që brenda pesë a gjashtë muajsh të vijnë në shqip”, ka thënë Zeneli, teksa ka kujtuar se kohë më parë kishte kërkuar që të sjellë në Kosovë edhe veprat e tij në anglisht, porse nuk ka pasur. E, kjo në njëfarë mënyre, dëshmon se vepra tij ka qenë në harresë, përderisa “Nobeli” do ta nxjerrë prej aty. Zeneli ka thënë se ka bindjen që tashmë del si e konfirmuar se ideja e “Nobelit” nuk është që ta gjejë fituesin në mesin e shkrimtarëve të njohur, por si një shtysë për të nxjerrë në pah emra pak të popullarizuar.
Sapo Zeneli, në profilin e tij në Facebook, ka postuar emrin e laureatit, njëri prej komenteve të para ka qenë ai i një lexuesi të Gurnahut.
Leart Kryeziu ka lexuar “Paradise”. I kontaktuar nga KOHA ai ka thënë se në këtë vepër autori “prek tema që njëmend janë të rënda të trajtohen”.
“Para tre vjetësh e kam lexuar ‘Paradise’ të shkrimtarit Abdulrazak Gurnah. Ma ka propozuar një shok që jeton jashtë Kosovës dhe pastaj ma ka bërë dhuratë. Në këtë libër karakteri kryesor është Jusufi: Në moshën 12 -vjeçare, Jusufin e merr nga shtëpia e tij Azizi, një tregtar i pasur, me pagesë për një borxh të babait të tij. Ajo që pason është një seri ngjarjesh dhe episodesh me disa personazhe: Jusufi punon në dyqanin e Azizit së bashku me Khalilin, një djalosh miqësor dhe bisedues, i cili i thotë Jusufit se edhe ai po punon për të shlyer borxhet e babait të tij, edhe pse babai i tij ka vdekur. Jusufi është thirrur papritmas për të shkuar në një udhëtim 'për në brendësi'; Jusufi është lënë nën kujdesin e një çifti që e punojnë shumë...”, ka përshkruar ky lexues. “Një libër fantastik që më të vërtet duhet lexuar”, ka propozuar ai.