Kulturë

Meddy Huduti – fotografi që momentin e shndërronte në rrëfim

Foto: “Unë jetoj për me e kap momentin. Jo me e kriju momentin, por me e kap momentin që veç po ndodh...”, kishte thënë vite më parë Meddy Huduti në një bisedë për KOHËN
 

Objektet e zakonshme i shndërronte në diçka përrallore – një qasje që mund të vërehet në dokumentimin e jetës së përditshme, por veçanërisht në jetën kulturore. Imazhet e tij ishin gërshetim i diskutimeve mbi kohën, vdekshmërinë dhe kujtimet. Kur shkrepte fotografi në ngjarje të ndryshme ai nuk e bënte vetëm dokumentimin e tyre. Meddy jetonte për ta kapur momentin e më të krijohej rrëfimi i tij unik

Në një botë ku të gjithë posedojnë telefona të mençur e fotoaparate, krijohet përshtypja sikur të gjithë mund të bëjnë fotografi. Kështu mendonte edhe fotografja Mary McCartney. Ajo njëlloj si shumë të tjerë e kishte kuptuar se diçka e tillë nuk qëndron. Jo të gjithë mund të kapin thellësinë e një momenti. E fotografët e zotë, të njëjtin moment do ta kapin në mënyra të ndryshme. Kur është fjala për fotografinë nuk ka një formulë të vetme, pasi që çdo element kontribuon në koherencën kaleidoskopike të imazhit.

Meddy Huduti ishte nga fotografët e Kosovës së pasluftës që arrinte të kompozonte në mënyrë të përkryer elementet brenda imazheve që kapte. Fotografi i njohur vdiq të martën vonë. Lajmin e dhanë familjarët e tij të mërkurën. Ai ishte 31 vjeç.