Koncerti “Melankoli elizabetiane” dha mesazhin e ombrellës përbashkuese të muzikës dhe ndjesive që përçohen në to në mbarë botën. Duke sjellë një paletë të muzikën klasike angleze të periudhës së ashtuquajtur “epoka e artë” apo “rilindja angleze”, sopranoja Kaltrina Miftari, përcjellë nga Tringa Sadiku në kitarë kanë harmonizuar edhe veprat shqipe
“Pas heshtjes, ajo që është më e afërt për të shprehur të pashprehshmen është muzika”. Ky është realiteti i cili e bën unin të shkrihet në botën unike të meditimit me tinguj, të cilën e ka përshkruar me fjalë shkrimtari e filozofi anglez Aldous Huxley.
Brenda kufizimeve jetësore, përjetësi e imagjinatës së krijuesve muzikorë janë bërë partiturat e notave. Kjo vërehet edhe në muzikën klasike angleze të periudhës së ashtuquajtur “epoka e artë” apo “rilindja angleze”, të sundimit të mbretëreshës Elizabeta I, e cila kumbon në arte delikatesën dhe sensitiven njerëzore.
Pikërisht me copëza nga krijimet e asaj kohe dhe me disa nga vendoret, u pasurua skena e “ReMusicas” në 20-vjetorin e saj, me koncertin “Melankoli elizabetiane”, nën interpretimin e solistes Kaltrina Miftari dhe luajtjes në kitarë të Tringa Sadikut.
Veprat e John Download, “Flow my tears”, “Come again”, “Can she excuse my wrons”, “Fantasia no.7”, “Fine Knacks for ladies”, “I saw my lady weep”, “The frog galliard”; të Thomas Champion “Never weather beaten sail “, “My love hath vowed”, të Anon “Greensleeves” dhe veprat vendore të aranzhuara nga Rafet Rudi, “Dashtnuer t’u bana”, “Të gëzojmë se erdh pranvera“, “Asaman trëndafili çelës”, patën emërues të përbashkët motivet e dashurisë mbrëmjen e së hënës.
“Pjesëmarrja në festivalin ‘ReMusica’ është gjithmonë kënaqësi, por kësaj radhe ishte diçka më e veçantë, sepse bashkë me Tringën festuam 20-vjetorin e themelimit”, ka thënë për KOHËN sopranoja e Filharmonisë së Kosovës, Kaltrina Miftari.
Pavarësisht që publiku e dëgjoi koncertin në formatin digjital, për sopranon e rëndësishme kishte qenë kontakti me ta ballë për ballë.
“Ndihej mungesa e energjisë që publiku na jep”, ka thënë solistja me fokus në interpretimin e muzikës së Renesancës dhe të Barokut.
Të njëjtën ndjesi tha se e pati edhe kitaristja Tringa Sadiku.
“Edhe pse ne gati u mësuam me ndjenjën e mungesës së publikut, prapë po na mungon shumë. U munduam ta përçojmë energjinë tonë për dëgjuesit”, ka thënë ajo.
Mirëpo, pavarësisht që përballë saj mungonte publiku, në krah për të parën herë kishte dikë që do ta ndante skenën me të.
“Kësaj radhe ta ndaj skenën me Kaltrinën ishte një ndjenjë tepër e mirë, me luajt këtë lloj të repertorit ishte diçka shumë personale”, ka thënë ajo për KOHËN.
E bashkëpunimin e kanë cilësuar të ndjeshëm, njësoj sikurse veprat të cilave u dhanë jetë.
“Janë vepra shumë të bukura, kërkojnë ndjeshmëri në interpretim”, ka thënë Miftari.
E sipas tyre, ato kanë dashur t’i jepin koncertit edhe frymën vendore, andaj edhe i kanë përfshirë veprat “Dashtnuer t’u bana “, “Të gëzojmë se erdh pranvera “ dhe “Asaman trëndafili çelës”.
“Kemi përzgjedhur dy këngë popullore të cilat janë aranzhuar nga Rafet Rudi”, ka thënë Sadiku.
Sopranoja Miftari ka pohuar se pikërisht profesori Rudi kishte qenë ai i cili e kishte shtyrë të merrej me muzikën baroke.
“Arritëm të shijojmë një copëz krijimtarie të një periudhe të lavdishme kur këto vepra ishin pjesë e oborreve mbretërore për borgjezët e asaj kohe”, ka thënë drejtoresha e “ReMusicas”, Donika Rudi, për koncertin që e ka përshkruar si mbrëmje magjike.
Sipas saj, “ReMusica” po vazhdon t’u bëjë vend kompozitorëve vendorë përkrah atyre të huaj, njësoj siç bëri me koncertin e së hënës.
“Bashkimi erdhi krejtësisht natyrshëm. Ato thjesht u stilizuan dhe janë në frymë të njejtë me pjesët e tjera që dëgjuam, vetëm se këto tingëllonin shqip”, u shpreh ajo për veprat shqipe.
Ndër të tjera, veçoi performimin e “Dashtuner tu bana”, për të cilin Rudi ka thënë se ishte “me emocion, shpirt dhe dashuri përbrenda”.
“Ne kemi muzikë jashtëzakonisht të bukur, detyrë e jona është që ta sjellim atë në pah për publik të gjerë”, ka thënë Rudi.
Koncerti i fundit në kuadër të edicionit jubilar do të mbahet të mërkurën e 22 shtatorit, teksa do të sjellë tinguj francezë me “The French Touch”, nën interpretimin e Theo dhe Pierre Fouchenneret.